Kur miliardat e Davosit peshojnë më shumë se jeta e një foshnjeje…
Historia rrezikon të rishkruhet sërish nga dora e “fitimtarëve”, në rastin e Gazës nga xhelatët, ndërsa viktimat, fëmijë, gra dhe burra palestinezë, dergjen nën dhe, të harruar nga një botë që e ka humbur shpirtin.
Ndërsa Donald Trump shpalli me pompozitet në Davos krijimin e “Bordit të Paqes”, realiteti në terren janë vrasjet e përditshme nga ushtria izraelite. Ky nuk është proces paqeje; është një ankand gjenocidi ku fati i një populli shitet si pasuri e paluajtshme.
Diplomacia ndërkombëtare është zhytur në sterilitet të pashpirt, ndërsa fjalët boshe të liderëve kumbojnë si tallje mbi varret e reja. Vetëm të enjten, katër palestinezë u vranë në Gaza, ndërkohë që politikanët shtrëngonin duart në Zvicër.
Në këtë bord do të ulen kriminelë lufte si Netanyahu dhe tiranë si Putin, ndërsa fëmijët ngrijnë nën çadra plastike. Jared Kushner shfaq harta turistike dhe kulla luksoze mbi tokën ku rrjedh ende gjak. Ky “rindërtim” pa palestinezët është faza përfundimtare e krimit.
Ndërsa bota e pasur nënshkruan marrëveshje biznesi mbi Rripin, një foshnjë 3-muajshe vdiq nga hipotermia në një tendë ku duhej të ishte shtëpia e saj. Ky është kontrasti i tmerrshëm i rendit të ri botëror: miliardat e investimeve kundrejt jetës së një fëmije që ngrin.
Ndërsa Donald Trump shpalli me pompozitet në Davos krijimin e “Bordit të Paqes”, realiteti në terren janë vrasjet e përditshme nga ushtria izraelite.

Njw “paqe” e tillë është një transaksion i ndyrë mbi kufoma, një shuplakë ndaj çdo norme universale të drejtësisë. Familjet e viktimave vuajnë jo vetëm humbjen, por edhe faktin se bota e ktheu tragjedinë e tyre në “mundësi biznesi”.
Historia nuk mund të jetë pronë e atyre që kanë armët dhe paratë. Nëse heshtim sot, bëhemi bashkëfajtorë në këtë ekzekutim masiv të njerëzimit. Ndërsa maketet e resorteve luksoze projektohen mbi rërën e Gazës, heshtja për fatin e palestinezëve nënkupton zhdukjen e tyre graduale.
Toka e gjakosur shitet si destinacion turistik, ndërsa banorët trajtohen si të padukshëm, të zhveshur nga e drejta për të ekzistuar. Kështu, historia po rishkruhet jo vetëm nga xhelatët, por edhe nga arkitektët e një bote pa shpirt, ku luksin e ndërtojnë mbi varret e të pafajshmëve.
Në këtë panoramë turpi, nuk mungon as servilizmi ballkanik: kryeministri shqiptar Edi Rama do të ngjitet në foltoren e Knesset-it, krah Netanyahut, njeriu që bota e kërkon për krime lufte. I dehur nga “respekti” dhe “entuziazmi” se po trajtohet si presidenti i SHBA-së, Rama harron se po shkel mbi gjakun e fëmijëve të Gazës për një moment lavdie personale. Ky është kulmi i cinizmit politik, ku mburrja për protokollin shoqërohet me bombardimin e spitaleve nga aleati i tij./tesheshi/
