Emiratet që janë në zemrat tona

Më të lexuarat

Dr. Ahmed bin Othman Al-Tuwaijri

Në dritën e tensioneve që po karakterizojnë marrëdhëniet ndërmjet Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, veçanërisht në lidhje me situatën në jug të Jemenit, është e domosdoshme dhe e nevojshme të bëhet dallimi ndërmjet marrëdhënies së Mbretërisë me Emiratet në përgjithësi dhe qëndrimit të Mbretërisë ndaj praktikave të Abu Dhabit. Po ashtu, është e domosdoshme të dallohet ndërmjet qëndrimit të Mbretërisë ndaj politikave të Abu Dhabit dhe marrëdhënieve të vëllazërisë dhe unitetit që lidhin popullin e Mbretërisë së Arabisë Saudite me popullin e Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Është e vetëkuptueshme se Mbretëria e Arabisë Saudite nuk ka absolutisht asnjë problem me Shtetin e Emirateve të Bashkuara Arabe; problemi i saj i vetëm dhe kryesor është me Abu Dhabin dhe me ata që urrejtja, zilia dhe ndjenjat e errëta ua kanë verbuar mendjen, dhe që kanë pranuar të jenë thikë në shpinën e kombit arab dhe një mjet i verbër mbi të cilin hipi sionizmi për të realizuar ambiciet e tij në rajon dhe ndaj gjithë umetit.

Po ashtu, është e vetëkuptueshme se populli saudit nuk mban ndaj popullit emiratas përfshirë qytetarët e Abu Dhabit veçse dashuri, vëllazëri dhe respekt, dhe e mban popullin emiratas në zemrën e tij ashtu siç mban të gjitha popujt arabë dhe islamë.

Mbretëria e Arabisë Saudite ishte nismëtare e idesë së bashkimit të Emirateve dhe mbështetësja më e madhe e pavarësisë së tyre, si në nivel politik e diplomatik, ashtu edhe në nivel financiar e material. Çdo studiues i historisë bashkëkohore të Gjirit e di se Mbreti Faisal bin Abdulaziz(Allahu e mëshiroftë) ishte arkitekti i pavarësisë së Emirateve dhe i bashkimit të emirateve të tyre. Ai ishte ai që i bindi britanikët të tërhiqeshin nga Emiratet e Gjirit dhe shfrytëzoi ndikimin e tij në Uashington për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ushtronin presion mbi qeverinë britanike për të përshpejtuar këtë tërheqje. Po ashtu, ai u përpoq me gjithë fuqinë e tij për t’i bindur sheikët e Emirateve për përfitimet e bashkimit dhe se ai do të ishte në interesin e të gjithëve. Ai( Allahu e mëshiroftë) ishte gjithashtu ai që e bindi Shahun e Iranit të mos e kundërshtonte pavarësinë e Emirateve, qoftë gjatë vizitës së Shahut në Mbretëri në vitin 1968, qoftë më pas, kur Mbreti Faisal dërgoi këshilltarin e tij të posaçëm, Dr. Maarouf Al-Dawalibi (Allahu e mëshiroftë) në Teheran për këtë qëllim.

Këto fakte nuk janë pjellë e imagjinatës dhe as fjalë të hedhura kot, por janë dokumentuar nga dokumente zyrtare, qofshin ato letra të shkëmbyera apo procesverbale takimesh ndërmjet Mbretit Faisal (Allahu e mëshiroftë) dhe sheikëve të Emirateve të Gjirit dhe udhëheqësve të vendeve të përfshira në çështjet e Gjirit. Ato janë dokumentuar gjithashtu nga libra, studime dhe disertacione akademike, ndër to pa u kufizuar vetëm në këto libri i profesor Tancred Bradshaw me titull: “Fundi i Perandorisë në Gjirin Persik: nga Emiratet Truciale në Emiratet e Bashkuara Arabe”, si dhe studimi akademik i përgatitur nga Dr. Fahd Abbas Al-Salman, profesor në Universitetin e Kirkukut, me titull: “Roli i Arabisë Saudite në pavarësinë e Emirateve të Gjirit Arab gjatë periudhës 1968–1971”.

Është për të ardhur keq që historia e gjatë e Mbretërisë në mbështetje, përkrahje dhe kujdes ndaj Emirateve për dekada të tëra është përballur nga Abu Dhabi vetëm me mosmirënjohje, mohimin e mirësive, ringjalljen e urrejtjeve dhe komplotimin kundër Mbretërisë dhe kundër botës arabe.

Për t’i vendosur gjërat në vendin e duhur, është e nevojshme të sqarohet se ekzistojnë tre faktorë kryesorë që kanë kontribuar në formësimin e qëndrimit të Abu Dhabit, të cilët mund të përmblidhen si më poshtë:

Së pari, urrejtja e Abu Dhabit dhe përtypja e vazhdueshme e ngjarjeve historike të vjetra, të cilave koha ua ka fshirë gjurmët. Në një dokument të publikuar nga WikiLeaks në nëntor 2010, citohet Mohammed bin Zayed (atëherë princ i kurorës së Abu Dhabit), i cili më 31 korrik 2006 ka thënë: “Emiratet kanë zhvilluar luftëra kundër sauditëve, gjithsej 57 beteja kundër Arabisë Saudite, dhe sauditët nuk janë miqtë e mi të dashur.” Po ashtu, nga biseda të rrjedhura, ai është cituar të ketë thënë: “Mosmarrëveshjet e së kaluarës së gjatë vazhdojnë të hedhin hijen e tyre mbi të tashmen ndërmjet Emirateve dhe Arabisë Saudite.” Në një tjetër dokument të WikiLeaks, të datës prill 2008, thuhet se Mohammed bin Zayed u takua me komandantin e operacioneve detare amerikane, gjeneralin Gary Roughead, dhe se i kishte thënë atij: “Bota ka ndryshuar dhe Emiratet janë optimiste, pavarësisht se ndodhen në një rajon të dominuar nga prapambetja”, duke marrë si shembull Mbretërinë e Arabisë Saudite. Një dokument tjetër, i datës 25 qershor 2008, tregon se ministri i jashtëm emiratas, Abdullah bin Zayed, i nxiste amerikanët kundër Mbretërisë dhe kishte një qëndrim thellësisht negativ ndaj Mbretit Abdullah bin Abdulaziz — Allahu e mëshiroftë — dhe se nuk shihte asnjë figurë premtuese tek princat sauditë më të rinj. Për më tepër, në ndërgjegjen e Mohammed bin Zayed është rrënjosur bindja se Mbreti Faisal bin Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë) e kishte detyruar babain e tij, Sheikh Zayed (Allahu e mëshiroftë) t’u nënshtrohej kërkesave të Mbretërisë lidhur me demarkacionin e kufijve dhe pasojat politike e ekonomike që rrjedhën prej tij. Ky është një shpifje e pastër, e hedhur poshtë nga të gjitha dokumentet historike dhe nga regjistrimet dhe procesverbalet e ruajtura të bisedave ndërmjet Mbretit Faisal dhe Sheikh Zayed (Allahu i mëshiroftë të dy).

Së dyti, zilia dhe smira e thellë që Abu Dhabi ndien ndryshe nga emirate e tjera ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shkak të dhuratave me të cilat Allahu e ka nderuar Mbretërinë: praninë e Dy Xhamive të Shenjta dhe Qabesë së Bekuar, pozitën e lartë që ajo gëzon jo vetëm te myslimanët, por në mbarë botën, pasuritë e mëdha natyrore dhe hapësirat e gjera territoriale. Kjo zili është shtuar edhe nga transformimet e mëdha të sjella nga Vizioni 2030 i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, dhe nga arritjet e paprecedenta ekonomike, administrative dhe shoqërore të realizuara nën këtë vizion, të cilat kanë larguar vëmendjen nga gjithçka me të cilën Abu Dhabi krenohej dhe kanë zhvendosur shumë investime dhe turizëm nga Emiratet drejt Mbretërisë.

Së treti, iluzioni i rremë i Abu Dhabit se rruga më e shkurtër për t’u hakmarrë për urrejtjet e së kaluarës dhe për të shëruar ndjenjat e zilisë dhe inferioritetit ndaj Mbretërisë është hedhja në krahët e sionizmit dhe pranimi që Emiratet të shndërrohen në “Kalë Troje” izraelit në botën arabe, me shpresën për t’u forcuar kundër Mbretërisë dhe shteteve të mëdha arabe. Çfarë tradhtie ndaj Allahut, të Dërguarit të Tij dhe gjithë umetit! Çfarë marrëzie dhe dritëshkurtësie! Izraeli është në rrugën e zhdukjes së shpejtë, ndërsa umeti mbetet, me lejen e Allahut.

Mbretëria e Arabisë Saudite nuk ka qenë naive ndaj realitetit të qëndrimeve të Abu Dhabit ndaj saj, as ndaj hapave të tij komplotues kundër botës arabe në përgjithësi dhe Mbretërisë në veçanti. Ajo ka zgjedhur t’i përgjigjet fyerjes me mirësi, të durojë dëmin dhe të veprojë me atë që është më e mira, duke marrë parasysh interesat e rajonit dhe të umetit të madh, me shpresën se të mashtruarit do të zgjoheshin dhe të humburit do të ktheheshin në rrugën e drejtë. Por fatkeqësisht, ata kanë vazhduar në devijimin dhe verbërinë e tyre.

Në Jemen, Abu Dhabi ka ushtruar një shkatërrim të pashembullt në historinë moderne arabe dhe ka punuar me gjithë fuqinë e tij për të dështuar çdo përpjekje të Mbretërisë së Arabisë Saudite për unitet politik, stabilitet dhe zhvillim për popullin jemenas. Në Libi, ajo ka mbështetur fraksione separatiste, i ka furnizuar me para, pajisje dhe municione, dhe i ka ndihmuar me sulme ajrore kundër zonave të qeverisë legjitime të njohur ndërkombëtarisht, duke thelluar plagët e libianëve dhe duke penguar çdo përpjekje kombëtare dhe ndërkombëtare për unitet dhe stabilitet. Në Sudan, dhe në koordinim të plotë me entitetin sionist, ajo ka ofruar të gjitha llojet e mbështetjes për milicitë e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, të cilat kanë përhapur kaos, kanë kryer grabitje, përdhunime dhe spastrim etnik, duke shkatërruar çdo shpresë për rikthimin e unitetit, sigurisë dhe stabilitetit.

Një raport i përgatitur nga pesë ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe i paraqitur në nëntor të kaluar Komitetit të Sanksioneve për Sudanin pranë Këshillit të Sigurimit tregoi se ekzistonte një urë ajrore midis aeroporteve emirate dhe një aeroporti në Çad, përmes së cilës transportoheshin armë dhe municione për rebelët në Sudan, dhe se avionët Iliushin të përfshirë në këtë urë ajrore fiknin pajisjet e gjurmimit për periudha të gjata gjatë fluturimeve të tyre. Raporte të shumta kanë vërtetuar gjithashtu se Abu Dhabi ka rekrutuar mercenarë nga e gjithë bota për të mbështetur rebelët në Sudan, Jemen dhe Libi. Në Tunizi, ata u infiltruan si krimbi që gërryen drurin, blenë me paratë e tyre ndërgjegjet e tradhtarëve dhe agjentëve të Izraelit dhe të frankofonisë, duke shuar shpresat e popullit tunizian për një jetë në liri, dinjitet dhe krenari.

Në Egjipt, ata shfrytëzuan kushtet e vështira ekonomike nga të cilat Egjipti vuante dhe vazhdon të vuajë, u infiltruan në nyjet kryesore të ekonomisë egjiptiane, veçanërisht në porte, dhe u përpoqën të përvetësonin aksione të mëdha në institucione dhe kompani financiare, industriale dhe bujqësore, përfshirë Bankën Tregtare Ndërkombëtare, kompani financiare, teknologjike dhe industriale të mëdha, përveç investimeve gjigante në sektorin e pasurive të paluajtshme me dhjetëra miliarda dollarë. E gjithë kjo me qëllim kontrollin e ekonomisë egjiptiane dhe, përmes saj, kontrollin e vendimmarrjes së Egjiptit. Për më tepër, ata komplotuan me Etiopinë dhe e mbështetën financiarisht për ndërtimin e Digës së Rilindjes, e cila përbën rrezikun strategjik më të madh për Egjiptin gjithçka në shërbim të ambicieve të mëdha izraelite.

Në Somali, ata u përpoqën me çdo mjet të ndanin veriun nga jugu dhe i siguruan entitetit sionist një bazë në Bririn e Afrikës, duke realizuar një ëndërr të kahershme sioniste: kontrollin e Ngushticës së Bab el-Mandebit dhe përfundimin e rrethimit strategjik ndaj Egjiptit dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, e cila është objektivi kryesor i të gjitha këtyre ndërhyrjeve dhe komploteve.

Edhe një herë, këto fakte nuk janë trillime apo akuza armiqësore, por janë dokumentuar nga studime shkencore dhe raporte zyrtare, përfshirë studimin me titull “Roli nën-imperial në zhvillim i Emirateve të Bashkuara Arabe në Afrikë”, botuar nga Instituti Holandez Transnational Institute, i njohur për pavarësinë, thellësinë dhe profesionalizmin e studimeve të tij.

Para dhe pas kësaj, është vërtetuar pa asnjë dyshim se Abu Dhabi ka qenë nxitësi më i madh i entitetit sionist për agresionin ndaj Rripit të Gazës, madje ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën e tij barbare përmes spiunimit të forcave të rezistencës, nën mbulesën e Gjysmëhënës së Kuqe Emirate, dhe përmes furnizimit të sionistëve me koordinatat e vendeve të lëshimit të raketave dhe grumbullimeve të rezistencës. Akoma më keq, kanali Euronews raportoi më 13 janar 2023 se një dokument emiratas i rrjedhur, i datës 1 tetor 2023, tregonte se udhëheqja e lartë emirate kishte dhënë udhëzime të qarta për përgatitjen e disa bazave ushtarake emirate në shërbim të operacioneve izraelite në Gaza, përfshirë përdorimin e bazave në Jemen, Eritre dhe Somali si platforma kryesore për furnizimin e Izraelit me armë, municione dhe informacione inteligjence. Gazeta izraelite Jerusalem Post i konfirmoi këto fakte në një raport të publikuar më 13 janar 2026, të përgatitur nga gazetarja izraelite Mathilda Heller, me titull: “Emiratet e Bashkuara Arabe përdorën baza ushtarake në rajonin e Detit të Kuq për të ndihmuar Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit”.

Abu Dhabi nuk u mjaftua vetëm me komplotimin kundër shteteve arabe dhe destabilizimin e tyre, por shkoi edhe më tej, duke luftuar pakicat myslimane në Perëndim. Revista amerikane The New Yorker publikoi në numrin e saj të marsit 2023 një artikull të detajuar mbi shënjestrimin nga Emiratet të qendrave, institucioneve dhe figurave islame në Perëndim dhe përpjekjet për t’u njollosur reputacionin, duke përmendur si shembull kontraktimin e kompanisë zvicerane “Alp Services”, e cila rekrutoi akademikë, gazetarë dhe shkrimtarë për të përhapur thashetheme dhe akuza të rreme ndaj shumë organizatave dhe personaliteteve myslimane gjithçka në shërbim të sionistëve dhe Izraelit.

Megjithë gjithë këtë komplotim, me gjithë shëmtinë dhe brutalitetin e tij, ai nuk do të ndikojë në vizionin tonë për Emiratet dhe popullin e tyre fisnik. Emiratet do të mbeten në zemrat tona: në urtësinë e Sheikh Zayed bin Sultan (Allahu e mëshiroftë) në vizionin dhe drejtësinë e Sheikh Sultan Al-Qasimi (Allahu e ruajtë) në veprat bamirëse dhe duart bujare të sheikëve të Sharjah-s, Ras al-Khaimah-s, Umm al-Quwain-it, Fujairah-s dhe Ajman-it, në mendimtarët dhe intelektualët emiratas që mbajnë fort të vërtetën, dhe në fisnikërinë dhe mirësinë e popullit emiratas.

Mbretëria e Arabisë Saudite do të mbetet motër besnike e Emirateve, dhe populli saudit do të mbetet vëlla i popullit emiratas. Turpi dhe poshtërimi do të bien mbi ata që devijuan nga rruga e drejtë.
“Allahu e realizon vullnetin e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

Burimi: https://www.al-jazirah.com/2026/20260122/fe3.htm

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit