Si po e përmbytim Shqipërinë me duart tona…

Më të lexuarat

Kur mbetjet e hedhura vend e pa vend na kthehen në përmbytje te pragu i derës

Shqipëria e këtij fillimviti po përmbytet, por jo thjesht nga zemërimi i motit por nga një lloj i ri kanibalizmi mjedisor: papergjegjshmëria jonë kronike që po kthehet në bumerang dhe dështimi i shtetit për të menaxhuar krizën.

Pamjet që vijnë nga kanalet e bllokuara në zonën e Dimalit janë pasqyra më e qartë e këtij degradimi. Atje ku makineritë e rënda luftojnë me “përbindëshat” plastikë që kanë bllokuar rrjedhën e lirë, nuk po pastrohet thjesht një kanalizim.

Po ekspozohet fytyra e vërtetë e një shoqërie që e konsideron lumin si një “kosh magjik”, por edhe e një qeverie që mban përgjegjësinë kryesore për këtë situatë kaotike.

Nuk mund të ketë asnjë justifikim për faktin se qeveria dhe institucionet përgjegjëse e kanë lënë vendin në këtë pikë. Është detyrë e ekzekutivit të garantojë infrastrukturën e duhur të mbetjeve, të mbikëqyrë pastrimin e vazhdueshëm të kanaleve kulluese përpara se të nisin shirat dhe të zbatojë me dorë të hekurt ligjin mbi mjedisin.

Kur mbetjet tona mjekësore dhe plastike arrijnë deri në brigjet e Dubrovnikut, duke u kthyer në një turp ndërkombëtar që na denigron në mediat botërore, gishti duhet drejtuar te mungesa e vizionit dhe dështimi i strukturave shtetërore për të frenuar këtë masakër.

Është shteti ai që duhet të krijojë sistemin, por sistemi pa qytetarin mbetet një makineri e vdekur. Megjithatë, faji i institucioneve nuk e zhvesh individin nga faji moral dhe praktik.

Është absurde të dëgjosh se si faji kërkohet te ndërtimi i urave, kur në fakt vrasësi i rrjedhës së ujit është shishja plastike, tapiceria e makinës dhe mbetja urbane që ne vetë i hedhim ku të mundim.

Nëse qytetari i hedh plehrat nga kati i tetë i pallatit, apo fermeri i hedh mbetjet në kanalin që i vadit tokën, atëherë kjo është një vetëvrasje kolektive. Asnjë qeveri, sado e suksesshme të jetë, nuk mund të vendosë një polic pas çdo individi për ta ndaluar të ndotë shtëpinë e tij.

Përmbytjet që po shohim sot nuk janë thjesht fatkeqësi natyrore, por një formë brutale e hakmarrjes së natyrës ndaj abuzimit tonë të përditshëm. Zgjidhja kërkon një pakt të ri: qeveria duhet të marrë përgjegjësinë për dështimin e saj në menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimin e territorit, por çdo qytetar duhet të bëjë pjesën e tij të patjetërsueshme.
Derisa dora që e lëshon qesen në lumë të mos frenohet nga vetëndërgjegjësimi, uji do të vazhdojë të na vijë në prag të derës, jo si mallkim nga qielli, por si faturë e mbetjeve që dje i hodhëm vetë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit