Shtohen përplasjet në rrugë, policia qëllon dy protestues të tjerë
Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një territor të rrezikshëm dhe të panjohur, ku tensionet mes autoriteteve shtetërore dhe atyre federale kanë arritur pikën e vlimit. Ngjarjet e fundit në Minesota dhe Oregon nuk janë thjesht incidente të zbatimit të ligjit; ato janë simptoma të një çarjeje të thellë që po e çon Amerikën drejt një konfrontimi të brendshëm që ngjan frikshëm me një prelud lufte civile.
Incidentet që ndezën gjakrat
Brenda 48 orëve, dy operacione të forcave federale të imigracionit përfunduan me të shtëna vdekjeprurëse dhe plagosje, duke shkaktuar zemërim masiv. Në Mineapolis, një oficer i ICE, agjencisë së doganave dhe migracionit, qëlloi për vdekje Rene Nikol Gud, një nënë 37-vjeçare dhe shtetase amerikane.
Ndërsa qeveria federale pretendon se ajo tentoi të shtypte agjentin me makinë, aktivistët dhe dëshmitarët, të mbështetur nga pamjet video, thonë se ajo thjesht po vëzhgonte aktivitetin e tyre.
Pa kaluar shumë kohë, një tjetër incident i ngjashëm ndodhi në Portland, Oregon, ku agjentët e Patrullës Kufitare plagosën dy persona. Edhe këtu, versionet e ngjarjes janë diametralisht të kundërta, duke krijuar një mjegull mosbesimi mes policisë lokale dhe agjencive federale.
Lufta për autoritet: Shtetet kundër Uashingtonit
Ajo që e bën situatën alarmante është refuzimi i hapur i bashkëpunimit mes niveleve të qeverisjes. Guvernatorët dhe kryetarët e bashkive demokratikë po i cilësojnë operacionet e administratës Trump si “provokime të panevojshme”.
Në Minesota, Guvernatori Tim Uole z ka vënë Gardën Kombëtare në gatishmëri, ndërsa hetuesit shtetërorë u tërhoqën nga rasti pasi agjencitë federale i përjashtuan nga vendngjarja.
Ndërkohë në Oregon, Guvernatorja Tina Kotek e akuzoi presidentin Trump për nxitjen e një “mjedisi paligjshmërie dhe pakujdesie”, duke qeverisur përmes frikës.
Nga ana tjetër, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dhe zëvendës/presidenti J.D Vans, kanë mbrojtur me forcë veprimet e agjentëve. Vans e cilësoi agjentin që qëlloi në Minesota si një hero që meriton mirënjohje, duke e parë rezistencën e qytetarëve si një sulm të drejtpërdrejtë mbi shtetin.
Një komb i ndarë në dy fronte
Në rrugët e Mineapolis, gazi lotsjellës dhe spraji me piper, janë bërë përgjigja ndaj protestuesve që brohorasin “vrasje” ndaj oficerëve të maskuar federalë. Për shumë qytetarë, këta oficerë nuk shihen më si mbrojtës të ligjit, por si një “forcë pushtuese” që po shkatërron komunitetet.
Administrata Trump ka dërguar mbi 2.000 oficerë federalë vetëm në Minesota. Ky militarizim i brendshëm, i kombinuar me retorikën agresive politike, ka krijuar një situatë ku ligji nuk interpretohet më në gjykata, por në përleshje të përgjakshme rrugore.
Nëse dialogu mes shteteve dhe qeverisë federale nuk rikthehet urgjentisht, Amerika rrezikon që ky “flirt” me luftën civile, të kthehet në një realitet tragjik dhe të pakthyeshëm.
