Kroacia reagon ndaj akuzave të Vuçiqit për alencën ushtarake në rajon, bën thirrje për paqe në rajon

Më të lexuarat

Presidenti serb ka akuzuar Kroacinë se, së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë, po bëjnë aleancë ushtarake kundër Beogradit.

Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, bëri thirrje sot për paqe dhe bashkëpunim në rajon pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, akuzoi Kroacinë se, së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë, po bëjnë aleancë ushtarake kundër Serbisë.

“Kroacia ka rrugën e saj dhe ajo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare, e bën në mënyrë transparente.

Sa u përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe fqinjësisë në ditën e sotme, mund t’ju them vetëm se edhe pse Krishtlindjet i festojmë sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet të na bashkojë”, tha Bozhinoviq duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për deklaratat e Vuçiqit pas pritjes së Këshillit Kombëtar Serb me rastin e Krishtlindjes Ortodokse në Zagreb.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë të dielën, Vuçiq deklaroi se “kërcënim serioz për sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë paraqet aleanca, përkatësisht lidhja e re mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, e cila përfshin prodhimin e përbashkët të sistemeve të avancuara luftarake, nga automjetet 4×4 deri te planet për armatim më të fuqishëm në të ardhmen”.

Një ditë më vonë, në Trebinje të Bosnjë e Hercegovinës, presidenti serb tha se Beogradi e kupton qartë formimin e aleancës së re ushtarake mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës, duke theksuar se kjo aleancë nuk është e drejtuar kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb.

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës nënshkruan në mars të vitit 2025 një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Me këtë deklaratë, në të cilën mund t’i bashkohen edhe shtete të tjera, theksohet rëndësia e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund ta cenojnë stabilitetin rajonal.

Siç është theksuar, dokumenti promovon aftësitë mbrojtëse dhe bashkëpunimin e industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprueshmërisë përmes arsimimit, trajnimit dhe stërvitjeve, luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e integrimeve euroatlantike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit