Gëzimi i jetës…

Më të lexuarat

Një nga shkaqet më të rëndësishme të gëzimit në jetë është që njeriu të ketë shije të shëndoshë dhe të edukuar, e cila di si ta shijojë jetën dhe si t’i respektojë ndjenjat e njerëzve, pa ua prishur atyre qetësinë, përkundrazi duke ua sjellë gëzimin në zemër.
Shija e shëndoshë është e aftë të fitojë zemrat dhe të sjellë gëzim si në shpirtin e vet njeriut, ashtu edhe në shpirtrat e atyre që e rrethojnë. Siç ka thënë një i urtë:
“Atë që dëshiron ta arrish me frikësim dhe dhunë, mund ta arrish me buzëqeshje.”

Përfytyro një familje ku mbizotëron shija e shëndoshë: secili prej anëtarëve shmang lëndimin e ndjenjave të tjetrit me fjalë apo veprime që shija i refuzon; përkundrazi, shija e tij e lartë e shtyn të zgjedhë fjalën e butë dhe veprimin e hijshëm që sjell gëzim në zemrat e familjarëve.

Shija e shëndoshë në shtëpi e refuzon konfliktin dhe ashpërsinë e zemërimit; ajo kërkon rregull, organizim të bukur dhe kënaqësi në bukurinë e luleve, në bukurinë e pastërtisë dhe në bukurinë e çdo gjëje në shtëpi. Nuk e teprojmë po të themi se përparimi i shijes ka ndikim më të madh në lumturi sesa përparimi i mendjes; sepse kur shija lartësohet, ajo neveritet nga veprat e ulëta, nga fjalët e ndyra dhe nga sjelljet e pakuptimta.

Sikur të kisha mundësi, do ta bëja një pjesë të madhe të programeve arsimore në shkolla të përqendruara në edukimin e shijes, krahas kurrikulave të mbushura me edukimin e mendjes.

Fayḍ al-Khāṭir,
nga profesori Ahmad Amin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit