Njeriu i Orbanit telendis Brukselin me deklarime
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha se pretendimi i udhëheqësve evropianë se Ukraina është më e gatshme për anëtarësim në BE sesa vendet e Ballkanit Perëndimor është një “shaka absolute”, duke theksuar se vendet në rajon janë në një pozicion shumë më të mirë pas viteve të reformave dhe pritjes për zgjerim.
Në një intervistë me RTRS, Szijjarto tha se Hungaria “mbështet absolutisht” zgjerimin e Bashkimit Evropian, por vetëm për vendet që do ta forcojnë Unionin.
“Kjo duhet të jetë një shaka, sepse të gjithë e dinë që vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë pritur anëtarësim për 15, 16 ose 17 vjet, janë përgatitur shumë më mirë se Ukraina,” tha Szijjarto, duke vënë në dukje se rajoni ka bërë përparim në reforma dhe zhvillim, dhe se bashkimi me këto vende do të kontribuonte në sigurinë dhe forcën ekonomike të BE-së.
Ai argumentoi, megjithatë, se anëtarësimi i Ukrainës do të sillte “një numër të madh rreziqesh“, duke përfshirë luftën, krimin e organizuar dhe sfida të tjera të sigurisë.
“Ne hungarezët e kuptojmë shumë mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë më të përgatitura. Ne duam që ato të bashkohen me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa Ukraina do ta dobësonte Unionin dhe do të sillte rreziqe,” tha ai.
Szijjarto kujtoi se gjatë presidencës së saj të BE-së, siç deklaroi ai, Hungaria punoi për të përshpejtuar procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe se si fqinj i rajonit “e di shumë mirë se sa shumë do të thoshte kjo si për Ballkanin ashtu edhe për kontinentin”.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Szijjarto tha se konflikti ka vazhduar për katër vjet dhe se Bashkimi Evropian ka “dështuar plotësisht” në përpjekjen e tij për të kontribuar në përfundimin e tij. Ai akuzoi BE-në për “thellimin e konfliktit” duke furnizuar armë dhe duke ofruar ndihmë financiare për Kievin.
“BE-ja ka marrë vendime që e kanë përshkallëzuar më tej luftën, duke përfshirë dërgimin e armëve dhe më shumë se 100 miliardë euro ndihmë. Kjo vetëm sa e ka zgjatur luftën”, tha ai.
Sipas tij, konflikti “mund të kishte mbaruar” në prill 2022 nëse udhëheqësit e Evropës Perëndimore do t’i kishin mbështetur negociatat në atë kohë.
“Tani po diskutohet përsëri një marrëveshje e re, por situata është shumë më keq se tre vjet e gjysmë më parë. Çdo ditë që konflikti vazhdon sjell më shumë viktima, më shumë shkatërrim dhe një rrezik më të madh përshkallëzimi”, tha Szijjarto.
Ai akuzoi udhëheqësit evropianë se “vuajnë nga vizioni i luftës” dhe se e keqinterpretojnë konfliktin si një mbrojtje të Evropës.
“Kjo është një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë. Ukraina po mbron veten, jo Evropën. A po e bën këtë heroikisht? Absolutisht. Por Evropa nuk ka asnjë detyrim moral ose ligjor për të vazhduar dërgimin e armëve dhe parave”, tha ai.
Szijjarto përfundoi se udhëheqësit evropianë vazhdojnë të mbështesin Kievin sepse po përpiqen të mbulojnë “numrin e madh të vendimeve të gabuara” të marra që nga fillimi i luftës. /tesheshi.com/
