Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, ka njoftuar se agjencia po zgjeron ndjeshëm operacionet humanitare në Gaza pas armëpushimit.
“Ne po garojmë me kohën për të shpëtuar jetët e fëmijëve nga rreziqe të parandalueshme si kequshqyerja, sëmundjet dhe i ftohti i dimrit,” tha ai në një deklaratë.
UNICEF po bashkëpunon me organizata partnere në Gaza për të rikthyer të gjithë 650 mijë fëmijët e moshës shkollore në arsim. Sipas Beigbeder, “pas dy vitesh të humbura, familjet e dinë se kthimi në arsim do të krijojë bazat për të nxënë, shërim, shpresë dhe kohezion social afatgjatë.”
Agjencia po ndërton klasa gjysmë të përhershme dhe po riparon shkollat e dëmtuara, ndërsa përgatitet për ngritjen e shkollave gjithëpërfshirëse që do të ofrojnë shërbime të shumëfishta — nga uji i pijshëm i sigurt te mbështetja mendore, psikosociale dhe mbrojtja e fëmijëve — për të nxitur rikuperimin emocional dhe sigurinë e çdo fëmije. /mesazhi
