Njohje me librin “El-Isabeh fi temjizis-sahabeh” – metodologjia dhe rëndësia e tij
- Biografia e autorit
Autori i këtij libri është hafidhi Shihabuddin Ebu Fadl, Ahmed ibn Ali ibn Muhammed ibn Haxher el-Askalani (lindi 773 h – vdiq 852 h), një nga imamët më të mëdhenj të hadithit në shekullin 9 hixhri. Ai ka lindur në Egjipt dhe është rritur në një ambient të përkushtuar ndaj dijes, ku memorizoi Kuranin që në moshën nëntë vjeçare dhe më pas iu përkushtua thellësisht shkencave islame, veçanërisht hadithit dhe degëve të tij.
Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, u shqua për gjerësinë e dijes, kujtesën e jashtëzakonshme, aftësinë për të grumbulluar dhe sistemuar materiale, si dhe për kujdesin në përcjelljen dhe analizimin e transmetimeve. Ai mbajti disa herë postin e gjykatësit në Egjipt dhe la pas një trashëgimi të pasur shkencore, ndër më të rëndësishmet:
- a) Fet’hul Bari bi sherh Sahih el-Buhari, i cili është komentimi më i plotë dhe më i njohur i Sahihut të
- b) Tehdhib et-Tehdhib, një vepër madhështore mbi transmetuesit e hadithit.
- c) El-Isabeh fi temjizis-sahabeh, libri që po trajtojmë.
Dijetarët e quajtën Ibn Haxherin “Prijësi i besimtarëve në hadith”, për shkak të thellësisë së tij në këtë fushë.
- Prezantimi i librit
Titulli:El-Isabeh fi temjizis-sahabeh (Identifikimi i saktë i sahabëve)
Autori: Ibn Haxher el-Askalani (v. 852 h)
Tema: Biografitë e sahabëve
Vëllimet: 16
Ibn Haxheri e shkroi këtë libër me synimin për të mbledhur të gjitha të dhënat rreth sahabëve nga burime të ndryshme, për t’i saktësuar, për të dalluar të vërtetën nga gabimet, për të korrigjuar emrat dhe prejardhjet, dhe për të shmangur ngatërrimet që kishin ndodhur në literaturën e mëparshme.
- Metodologjia e autorit në libër
Puna e Ibn Haxherit në këtë libër dallohet për metodën shkencore të thelluar, që përfshin disa pika kryesore:
- a) Përdorimi i gjërë i burimeve
Ai është mbështetur në dhjetëra libra të hershëm të historisë dhe hadithit, si:
- “El-Istij‘ab” i Ibn Abdul-Berrit
- “Usd el-Gabeh” i Ibn el-Ethirit
- “Ma‘rifet es-Sahabeh” i Ebu Nu’ajmit, dhe shumë të tjerë.
- b) Klasifikimi i sahabëve
Ibn Haxheri i ka ndarë sahabët në kategori të ndryshme, ndër to:
- Ata që është vërtetuar shoqërimi i tyre me Pejgamberin ﷺ në mënyrë të qartë.
- Ata për të cilët ka pasur mospajtime.
- Ata që janë përfshirë gabimisht në listat e sahabëve.
- Ata që e kanë takuar Pejgamberin ﷺ, por nuk u është vërtetuar sahabllëku.
- c) Saktësimi dhe verifikimi
Autori i ka kushtuar rëndësi të madhe korrigjimit të emrave dhe nofkave, si dhe sqarimit të gabimeve të mëparshme.
ç) Referencat dhe dokumentimi
Çdo lajm apo transmetim është shoqëruar me burimin e tij dhe me shënime për vërtetësinë ose pasaktësinë e tij.
- d) Renditja alfabetike
Të gjitha biografitë janë të sistemuara sipas rendit alfabetik arab, gjë që e bën librin shumë të lehtë dhe praktik për studiuesit.
- Rëndësia dhe vlera shkencore e librit
“El-Isabeh” është enciklopedia më e gjerë dhe më e saktë që është shkruar ndonjëherë për biografitë e sahabëve. Ai është bërë burimi kryesor i studiuesve të mëvonshëm dhe bashkëkohorë në këtë fushë. Disa nga tiparet që e bëjnë të veçantë janë:
- Kombinimi i burimeve të shumta me verifikim të kujdesshëm.
- Sqarimi i gabimeve të autorëve të mëparshëm.
- Lehtësia e kërkimit për shkak të renditjes alfabetike.
- Forca dokumentuese dhe sqaruese e transmetimeve.
- Vlerësimet e dijetarëve për librin
Nxënësi i tij, Sakhaviu, në “Ed-Dau el-Lami‘” ka thënë: “Libri El-Isabeh është ndër veprat më madhështore që janë shkruar për njohjen e sahabëve. nuk ka asnjë libër që e tejkalon, dhe nuk mund të neglizhohet nga studiuesit.”
Zerkeli ka shkruar në “El-A‘lam”: Ky është libri më i gjerë dhe më i saktë në biografitë e sahabëve, i bazuar në një numër të madh burimesh të hershme.”
Sujutiu e përmblodhi dhe e përmendi këtë vetë në “Tedrib al-Ravi”, duke thënë se: “El-Isabeh”është një libër i pasur, dhe e kam përmbledhur, falë Allahut.”
Shumë studiues bashkëkohorë kanë theksuar se: “Nuk ekziston pothuajse asnjë studim mbi sahabët që të mos kthehet për referencë tek ‘El-Isabeh’ si burim kryesor.”
- Ndikimi i librit në studimet islame
Roli i “El-Isabeh” është i dukshëm në:
1- Hulumtimet e hadithit dhe sqarimin e transmetuesve.
2- Përdorimin si referencë kryesore në disertacionet e mastereve e doktoraturave në degët e Shkencave të Hadithit dhe Sires.
3- Bazë për hartimin e indekseve dhe shumë fjalorëve modernë.
4- Sqarimin e ngatërrimeve të emrave dhe nofkavenga literaturat e mëparshme.
Në përfundim themi:
Libri “El-Isabeh fi temjizis-sahabeh” i Ibn Haxherit nuk është thjesht një koleksion biografish, por një enciklopedi shkencore e përpiktë që ndërthur historinë me hadithin dhe verifikimin kritik. Kjo vepër tregon gjenialitetin e autorit, gjerësinë e njohurive të tij dhe përkushtimin ndaj shërbimit të Sunetit të Pejgamberit ﷺ dhe sahabëve të tij të ndershëm, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!
Përmblodhi: Uvejs Ramadani
