✍ Shkruar nga Selim Azzouz – gazetar e publicist egjiptian
As këtë herë entiteti sionist nuk guxoi të shpallte me siguri se kishte vrarë “të maskuarin” Abu Ubejdën. Deri në këto çaste, ai thotë se e ka “shënjestruar” dhe se pret rezultatet. Ndërkohë, shumë sy janë kthyer nga Hamasi për fjalën e fundit. Sepse në herën e kaluar kur Izraeli shpalli vrasjen e tij, Hamasi as nuk e pohoi e as nuk e mohoi, derisa ai doli vetë në ekran dhe turpëroi ata që shpifën.
Pasuesit e Izraelit – qofshin sionistë të kulluar apo arabë të lidhur me sionizmin – janë ata që nguten e shpallin “vrasjen” e tij. Por kjo nuk është hera e parë. Në fakt, Izraeli e ka shpallur të “vrarë” pesë herë, që nga lufta e vitit 2004 kur u shfaq për herë të parë, e deri kur iu ngarkua detyra zyrtare e zëdhënësit të Brigadave të Kasanit më 2006. Dhe gjithnjë, realiteti doli ndryshe: propaganda izraelite ishte gënjeshtër!
Ky fakt i thjeshtë tregon se Izraeli nuk ka kontroll mbi Gazën; ai godet nga ajri, por nuk e di ç’ndodh realisht mbi tokë. E ndryshe është në Liban, ku shpesh deklaratat e tij mbi eliminimin e ndonjë figure rezultojnë të sakta. Por në Gaza, pas dy vitesh lufte, kufizimi i tij është bërë i dukshëm: pa informacion të saktë, pa mundësi për një pushtim tokësor, sepse përballë do të gjendej me rezistencën ballë për ballë. Dhe atëherë, avionët e tij do të shërbenin vetëm për të transportuar kufoma në Tel Aviv.
Një simbol i rezistencës
Abu Ubejdah nuk është thjesht zëdhënës. Ai është institucion i gjallë, zë i një epoke, flamur i një lufte. Ai është një nga tre shtyllat e mëdha të rezistencës, krahas Jahja Sinwarit dhe Muhamed Deifit. Publiku e pret me ankth; shfaqja e tij është garanci, heshtja e tij është shqetësim. Dhe prandaj armiku e urren kaq shumë: sepse ishte ai që shpalli kapjen e ushtarit izraelit Gilad Shalit dhe ia uli kokën Izraelit në bisedime të turpshme.
Izraeli, i zvogëluar e i çoroditur, kërkon fitore në “lajme të rreme” e në luftë psikologjike. Por mjafton të shohësh fytyrat e tij të lodhura: nga Netanjahu tek zëdhënësit si Avichay Adraee, të gjithë janë fytyra të një turpi të përbashkët. Ku janë figurat me dinjitet të historisë? Këtu kemi një konglomerat shushunjash të mbledhura nga skajet e botës.
Mes jetës dhe vdekjes
Nëse Abu Ubejdah ka rënë dëshmor, kjo është humbje e madhe. Por një humbje që bart kuptimin e fitores: sepse martirizimi është nderi i çdo luftëtari të së vërtetës. Kur e pamë pas një kohe, në fytyrën e tij shfaqej e njëjta uri, i njëjti rreth i errët rreth syve, ashtu si çdo gazetar, si çdo fëmijë e si çdo nënë e Gazës që vuante nën rrethim. Ky është mesazh më i fuqishëm se çdo propagandë: rezistenca jeton mes njerëzve, vuan si ata, nuk ha më shumë, nuk gëzon privilegje.
Dhe nëse shkon tek Zoti si martir, ai nuk shkon vetëm: ai bëhet gur themeli për brezat që vijnë. Sepse rezistenca nuk ndalet me vrasjen e emrave të mëdhenj. Muhamed Deifi e Jahja Sinwari janë prekur nga shenjestra, por rezistenca është bërë më e ashpër, më e pathyeshme. Kjo është ligjësia e kësaj toke: çdo gjak i derdhur lind dhjetë të rinj; çdo dëshmor shndërrohet në flamur për t’u ndjekur.
Përjetësia e të maskuarit
Në fund, qoftë i gjallë apo i martirizuar, Abu Ubejdah ka hyrë tashmë në përjetësi. Ai u bë simbol i fjalës së pathyeshme, i zemrës që nuk u drodh. E për këtë, historia do ta kujtojë: jo si thjesht njeri, por si fytyrë e një populli që nuk u përkul.
“Qofsh i bekuar i gjallë apo i vdekur, o i maskuar!”
