Në përvjetorin e lindjes së Profetit ﷺ shtohet debati mes thirrësve dhe grupeve të dijetarëve rreth lejueshmërisë së festimit të tij. Ata ndahen ndërmjet ndaluesve dhe lejueseve. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është shqyrtimi i çështjes dhe diskutimi i saj shkencor i pastër kjo ka vendin e vet por është të flasim rreth disa anëve të saj që e ndriçojnë pamjen, nxjerrin në pah çfarë është e pranuar dhe çfarë është e diskutueshme, çfarë është mirë të merret parasysh dhe çfarë duhet patjetër të kihet kujdes, përmes pikave në vijim:
E para: Dashuria për Profetin ﷺ
Dashuria për Profetin ﷺ, madhërimi, respektimi dhe nderimi i tij, mosparakalimi para tij, vënia e tij përpara vetes, fëmijëve dhe pasurisë, pasimi i tij, bindja ndaj urdhërave të tij, shmangia nga ndalesat e tij, dhe që Allahu të adhurohet vetëm me atë që ai ka ligjësuar – të gjitha këto janë të pranuara në fe dhe të mbledhura në sheriat. Këto janë pika ku myslimanët janë të bashkuar, pavarësisht vendeve dhe medhhebeve. Nuk lejohet që mospajtimi rreth lejimit të festimit të përvjetorit të lindjes së tij ﷺ të bëhet derë për të vënë në dyshim këto të vërteta apo rrugë për të akuzuar ndonjë mysliman se nuk e do Profetin ﷺ.
E dyta: Leximi i sirës dhe tipareve të Profetit ﷺ
Leximi i sirës së Profetit ﷺ dhe tipareve të tij gjatë gjithë vitit, në përvjetorin e lindjes së tij dhe në të tjera ditë, është nga dituritë më të larta dhe afrim prej më të mëdhenjve, sepse është nga dija e dobishme që ndihmon në plotësimin e pasimit të tij ﷺ dhe shembullit të mirë, nxit në dashurinë dhe madhërimin për të dhe nxjerr në pah përsosmërinë e tij njerëzore në të gjitha gjendjet. Por ta veçosh këtë lexim vetëm në përvjetorin e lindjes së tij ﷺ çdo vit, ose të besosh se kjo ditë ka një veçori mbi të tjerat, është diçka që kërkon argument.
E treta: Dërgimi dhe lindja e Profetit ﷺ
Dërgimi i Profetit ﷺ është nga manifestimet më të mëdha të mirësisë, bujarisë dhe mëshirës së Allahut për këtë ummet. Përmes saj Allahu na bëri të shohim fenë e Tij, na nderoi me Librin e Tij, na zbriti dritën e Tij të qartë, dhe na udhëzoi drejt rrugës së Tij të drejtë. Lindja e tij ﷺ është themel i dërgimit të tij.
Gëzimi për çdo dhuratë dhe mëshirë nga Allahu është i urdhëruar në Librin e Tij: “Thuaj: Me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, le të gëzohen me to.” (Junus: 58).
Nuk ka dyshim se dërgimi i Profetit ﷺ dhe lindja e tij janë nga mirësitë më të mëdha të Allahut për këtë ummet. Prandaj është e ligjshme për myslimanin të gëzohet për to dhe ta falënderojë Allahun për këtë dhuratë në çdo kohë dhe moment, në përvjetorin e lindjes së tij ﷺ dhe në të tjera ditë.
E pyetën Profetin ﷺ për agjërimin e ditës së hënë, ai tha: “Kjo është një ditë në të cilën linda dhe ditë në të cilën u dërgova ose më zbriti shpallja.” Pra, ai ﷺ e agjëronte të hënën si falënderim ndaj Allahut për atë që i kishte dhënë dhe nga këto dhurata ishte lindja e tij ﷺ. Edhe ne kemi të ligjshme të agjërojmë të hënën si pasim i tij ﷺ.
E katërta: Festimi sot i ndryshëm nga falënderimi profetik
Festimi që shohim sot për lindjen e Profetit ﷺ ndryshon nga falënderimi i ligjshëm për lindjen e tij në dy aspekte:
• Nga ana e mënyrës: ajo që erdhi në hadith është agjërimi, jo ajo që shohim sot në atë që quhet festim i ditës së lindjes së tij ﷺ.
• Nga ana e kohës: falënderimi i tij ﷺ ishte me ditën (të hënën), jo me datën (12 Rabiul-Euel), qofte ajo e hënë ose jo. Edhe nëse pranojmë këtë datë – që gjeneratat e para nuk e veçuan me gëzim e festim – ajo u shfaq më vonë në rrethana historike. Dhe ajo që nuk ishte fe në kohën e sahabëve, tabiinëve e atyre pas tyre, nuk është fe as sot. Sepse parimi bazë në adhurime është ndalimi e jo lejimi.
Gjithashtu, çështja e saktësisë së datës së lindjes së tij ﷺ është e diskutuar. Shumica thonë 12 Rabiul-Evel. Por Ibën Hazmi tha se ishte më 8, dhe Ibën Abdu’l-Berr transmetoi nga historianët që e saktësuan këtë datë. Edhe Muhamed bin Musa el-Havarizmi e pranoi këtë, dhe e përforcoi Ibën Dihja. Astronomi Mahmud Pasha, në një studim astronomik, tha se lindja ishte më 9 dhe këtë e përkrahu Ibën Uthejmini dhe Mubarakfuri (autori i Nektarit të Vulosur).
E pesta: Realiteti i sotëm i përvjetorit të lindjes ﷺ
Shikimi në realitetin e njerëzve sot, qoftë në kontekst zyrtar apo shoqëror, me mbizotërimin e emocioneve ose të ftohtësisë dhe me sipërfaqësinë e trajtimit të kësaj ngjarjeje madhështore në media dhe rrjete sociale ua bën detyrë dijetarëve të japin një sqarim të ekuilibruar që të marrë parasysh:
1. Të sqarojnë se nuk lejohet të merret përvjetori i lindjes së tij ﷺ si festë, sepse myslimanët kanë vetëm dy festa të ligjshme: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Profeti ﷺ tha: “Dita e Fitrit, dita e Kurbanit dhe ditët e Teshrikut janë festat tona, të muslimanëve.” Nuk e përmendi përvjetorin e lindjes mes tyre.
2. Të paralajmërojnë nga të këqijat që ndodhin në disa festa të Mevludit: si teprimi në lavdërimin e tij ﷺ, format e shirkut dhe bidatet e ndaluara me konsensus, pamjet e turpit dhe mëkateve, shfaqjet epshore, përzierja e të dy gjinive, shpenzimet e tepërta, garat për dukje e lavdi, etj. Këto janë të ndaluara me konsensus dhe nuk kanë lidhje me dashurinë ndaj Profetit ﷺ.
3. Të theksojnë se shumica e asaj që ndodh sot në emër të festës së lindjes është larg pasimit të tij ﷺ. Shpesh përdoret për të zbukuruar imazhin e disa institucioneve apo personave edhe pse ata ligjërojnë ligje që bien ndesh me sheriatin, madje janë në krye të përhapjes së asaj që kundërshton udhëzimin e tij ﷺ. Në shumë vende kjo është bërë një mjet për të mashtruar njerëzit, për përfitim financiar, ose për fitim tregtar. Pra, ç’vlerë ka një festim i tillë i zbrazët në peshojën e sheriatit?
E gjashta: Mosmarrëveshja mes dijetarëve
Dijetarët do të mbeten të ndarë në këtë çështje:
• Ndaluesit: sepse është si një festë dhe në Islam nuk lejohet shpikja e një feste të re; sepse nuk e bënë as Profeti ﷺ, as sahabët e gjeneratat e para; dhe sepse është mjet për devijime dhe teprime.
• Lejuesit: me kushte dhe kufizime, duke e parë si gëzim për mëshirën e Allahut.
Por pa marrë parasysh se cila palë ka më shumë të drejtë, nuk lejohet që kjo të çojë tek:
• gjetja e pretekstit për akuzim e përçarje,
• prezantimi i ndalimit si mungesë dashurie për Profetin ﷺ,
• prezantimi i lejimit si bidat ose ndjekje e pasioneve.
Kjo është padrejtësi dhe shkak për fitne.
E shtata: Si të përfitojmë nga kjo ditë
Meqë festimet ekzistojnë dhe debati vazhdon, atëherë është detyrë që përvjetori i lindjes së tij ﷺ të bëhet rast për thirrje, mësim dhe njohje me madhështinë e tij ﷺ, me mrekullitë dhe provat e pejgamberisë së tij, në mënyrë që dashuria për të të forcohet në zemra dhe të shtohet imani dhe pasimi i tij. Po ashtu, kjo ditë duhet të shfrytëzohet për të larguar armiqësitë dhe përçarjet, për të nxitur dialog të ndërtuar mes dijetarëve dhe për të mbajtur gjithmonë parasysh argumentin dhe të vërtetën.
Përfundim
Mevludi me gjithë debatin juridik që e shoqëron dhe me përzierjen e elementeve të sakta dhe të gabuaraështë një fushë që ka nevojë për: kuptim të thellë, edukim të kujdesshëm dhe drejtësi shkencore. Myslimani gëzohet për lindjen e Profetit ﷺ në çdo kohë, lexon siren e tij dhe e pason atë pa ndërprerje. Ndërsa festimi i veçantë, pa mëkate e devijime është çështje mbi të cilën dijetarët janë ndarë. Ky debat duhet trajtuar me urtësi dhe drejtësi që të mos kthehet në shkak për armiqësi dhe përçarje, apo mjet për të larguar njerëzit nga udhëzimi i Profetit ﷺ dhe shokëve të tij.
Allahu na furnizoftë me dije të dobishme dhe vepra të mira, na dhëntë butësi, drejtësi dhe urtësi, dhe na udhëzoftë në rrugën e drejtë.
✍️ Dr. Faisal el-Bu‘dani
