Libri, thesari i harruar – Bekir Halimi

Më të lexuarat

 

Fjalët e Ibnul-Xheuzit më kanë lënë gjithmonë pa fjalë:
“Sa shumë kënaqem nga leximi i librave! Dhe kur gjej një libër që nuk e kam parë më parë, ndiej sikur kam gjetur një thesar. Nëse do të thosha se kam lexuar njëzet mijë vëllime, kjo do të ishte madje më pak se sa kam lexuar, dhe unë jam ende në kërkim.”

Kjo më shtyn të pyes veten: Çfarë ishte ajo që e bëri librin një thesar për të? Si ndodhi që për shumë nga bashkëkohësit tanë libri të kthehet në një barrë të rëndë, në vend që të mbetet një dritare e diturisë dhe shpirtit?

Ne jetojmë në një kohë ku fëmijët tanë janë e ardhmja e kësaj bote, e ardhmja e këtij umeti. A do të arrijmë t’i bëjmë ata si paraardhësit tanë – që librin e konsideronin si një thesar të çmuar, për të cilin ia vlente të udhëtoje, të kërkoje, të sakrifikoje?

Libri është ende aty… si thesar i fshehur. Pyetja është: a kemi dëshirë ta kërkojmë, siç bënë ata që na paraprinë?

*📖 Leximi – dashuria që nuk plaket*

Të parët tanë nuk e kishin dashurinë për librin vetëm në rininë e tyre. Për ta, leximi ishte si një e dashur që dashuria ndaj saj vetëm shtohej me kalimin e moshës dhe ditëve.

Më vjen në mend fjalët e Ebu’l-Vefā Ibn Akil, i cili, në moshën tetëdhjetë vjeç, thoshte:
“E ndiej më të fortë dëshirën për dijen tani, sesa e ndjeja kur isha njëzet vjeç.”

Ky është një mesazh i madh: leximi nuk është vetëm një zakon i përkohshëm i rinisë, por një shoqërues i përhershëm i jetës, një dritë që bëhet më e fortë sa më shumë që njeriu afrohet me përvojën dhe urtësinë.

Fatkeqësisht, ky fenomen i mrekullueshëm – leximi, që ishte tipar dallues i gjeneratave tona të arta – sot është zbehur në shoqëritë tona, ndërsa e shohim të lulëzojë tek shoqëritë e tjera.

A nuk është koha që të kthehemi tek libri, që të ringjallim atë kulturë që dikur ishte fryma e diturisë dhe e përparimit tonë?
Leximi nuk është thjesht një hobi… ai është themeli i çdo ringjalljeje.

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit