“Një Holokaust po ndodh në Gaza”, mu në vendin e shenjtë hebre
Një mesazh i shkruar në hebraisht “Një Holokaust po ndodh në Gaza” u shfaq në Murin Perëndimor në Jerusalem, një nga vendet më të shenjta për hebrenjtë. Ky grafit shkaktoi reagime të forta në Tel Aviv dhe në publikun e gjerë izraelit.
Udhëheqësi i Partisë së Unitetit Kombëtar dhe ish-ministri në kabinetin e luftës izraelit, Benny Gantz, e dënoi me forcë këtë akt dhe e quajti antisemitizëm.
“Vandalizmi në Murin Perëndimor, i cili është vendi më i shenjtë për popullin hebre, është një krim kundër të gjithë Izraelit. I bëj thirrje policisë që urgjentisht ta hetojë rastin dhe t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë”, tha Gantz.
Muri Perëndimor, i njohur edhe si Muri i Vajtimit, është një vend lutjeje dhe pelegrinazhi për hebrenjtë në të gjithë botën dhe është një simbol i rëndësishëm i besimit dhe historisë së tyre.
Policia ka nisur një hetim për incidentin dhe autoritetet izraelite po njoftojnë masa të shtuara për të mbrojtur vendet e shenjta për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen. /tesheshi.com/
