Secili prej nesh e zgjedh vetë rrugën e jetës, por Biologjia nuk pyet për afate, për punë apo karrierë

Më të lexuarat

Secili prej nesh e zgjedh vetë rrugën e jetës. Askujt nuk mund t’i mohosh të drejtën për të ndjekur ëndrrat e veta.
Kohët e fundit, shoh një prirje që më lë të menduar: garën e pandalshme për karrierë, për tituj, për ngjitje në shkallët e punës.., ndërsa krijimi i familjes shtyhet, heshtet, ose mbetet prapa. Kjo e ndikuar edhe nga lëvizje që kanë goxha hapsirë në sferen mediatike. Koha ecën. Biologjia nuk pyet për afate, as për projekte në punë – dhe një ditë ajo troket, me zë të qetë por të prerë.

Në punën time (që nga 01.09.2009) kam parë mësues që kanë mbyllur kapitullin e tyre profesional e kanë dalë në pension. Shumica e atyre viteve në punë, me gjithë ngjarjet e mëdha e të vogla, zbehen shpejt. Jo shumë moti te Fontana në Ulpianë takova një ish-profesor timin në fakultet, kishte dal dhe sillej rreth fontanës për të kaluar pak kohë. U ankua që nuk po ka me kë të ndërroj ndonjë bisedë. Nuk është ndonjë email falënderimi që do t’i mbani mend. Nuk është as ndonjë udhëtim pune.

Ato zëvendësohen, harrohen.
Ka gjëra që nuk zbehen kurrë: duart e vogla që kapin dorën tuaj rrugës për në kopsht, buzëqeshja e parë e fëmijës suaj, zërat e tyre, zhurmat e tyre!
Askush nga kompania nuk do t’ju telefonojë të nesërmen e largimit për të pyetur si jeni. Por, fëmijët tuaj.., ata do t’ju kërkojnë gjithmonë.
Është mirë të jesh punëtor i mirë. Është një nder të bësh punën me përkushtim.
Por, është shumë më e madhe të jesh baba i mirë. Dhe shumë më fisnike të jesh nënë e mirë. Sepse puna të zëvendëson shpejt – familja, kurrë.
Secili që ka synim krijimin e familjes, Zoti ia mundësoftë!
P.s. Për të shmangur keqkuptimet, respektoj drejtën e secilit në rrugën që zgjedh.

Mensur Humolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit