Rrethi i ndikimit… të bësh ndryshimin, jo të merresh me të panjohurën

Më të lexuarat

Falënderimi i qoftë Allahut që na krijoi për ta adhuruar, dhe na bëri trashëgimtarë në tokën e Tij, dhe i dha çdo njeriu një gjurmë në këtë botë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërgudari i Tij, i dërguari si mëshirë për botët, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

E më pas:

Nga ligjet e jetës është që njeriu lëviz dhe mendon brenda dy rretheve kryesore:
•    E para: Rrethi i shqetësimit
•    E dyta: Rrethi i ndikimit

Rrethi i shqetësimit përfshin gjithçka që e shqetëson njeriun, apo e angazhon mendjen dhe zemrën e tij – qoftë në çështje të mëdha apo të vogla, të afërta apo të largëta, të tashme apo të ardhme.
Si për shembull: luftërat, krizat, padrejtësitë, vdekja, ora (e kiametit), sëmundjet, dhe gjithçka që ndodh nëpër cepat e tokës.

Ndërsa rrethi i ndikimit përfshin çdo gjë që njeriu mund ta bëjë, veprojë apo ndryshojë qoftë me fjalë apo vepra, me thirrje apo këshillë, me edukim apo ndreqje, me namaz apo sjellje, me karakter apo dhënie.

Profeti ﷺ na udhëzoi që të përqendrohemi te rrethi i ndikimit, e jo të shpërdorojmë mendimin dhe punën tonë me atë që nuk e zotërojmë. Në hadithin që transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) një burrë i tha të Dërguarit ﷺ:
“O i Dërguar i Allahut, kur është ora(Kijameti)?” Ai ﷺ iu përgjigj: “Çfarë ke përgatitur për të?”

Këtu ndalemi te mençuria e përgjigjes profetike:

Profeti ﷺ nuk iu përgjigj për kohën( kur do të ndodhë) sepse ajo është nga të fshehtat  por e zhvendosi pyetjen e tij nga rrethi i shqetësimit në rrethin e ndikimit, sikur t’i thoshte:
“Mos të shqetëson ‘kur’, por ‘çfarë do të bësh?’ Mos mendo për kohën, mendo përgatitjen.”

Ç’do të thotë të dimë kohën e fundit, kur ne nuk e kemi nisur akoma fillimin?

O besimtarë!

Kanë kaluar epoka të tëra nga jeta e njerëzve, ndërkohë që ata janë të hutuar me gjërat që nuk i zotërojnë, dhe kanë harruar se kanë gjëra madhështore në duart e tyre me të cilat mund të bëjnë ndryshimin.

Ti mund ta falësh një mëkatar, ta ndihmosh një nevojtar, ta udhëzosh një të humbur, të mbjellësh të mirë në një rrugë, apo dituri në një zemër, apo mëshirë në jetën e dikujt.
Të gjitha këto janë brenda rrethit të ndikimit tënd.
Atëherë, përse ta braktisim dhe të merremi me të panjohurën?

Fati i mirë është ai që e zgjeron rrethin e ndikimit të tij, që jeton për të, dhe nuk e konsumon vetveten me gjëra që nuk i zotëron dhe që as i bëjnë dëm e as dobi.

Zbatimi i këtij udhëzimi profetik në jetën tonë:

Në vend që të pyesësh:
“Kur do të përfundojë sprova?”, pyet: “Çfarë duhet të bëj që të qëndroj i qëndrueshëm në sprovë?”

Në vend që të thuash:
“Pse nuk udhëzohet filani?”, thuaj: “A e ftova atë? A isha shembull i mirë për të?”

Në vend që të thuash:
“Çfarë po ndodh me botën?”, thuaj: “Çfarë mund të bëj unë në këtë qoshe të vogël të botës që më përket mua?”

O Allah, na bën prej atyre që veprojnë me përkushtim, dhe që paraprijnë pyetjet me përgatitje; dhe prej atyre që merren me atë që kanë në dorë, e që përgatiten për botën tjetër, të vetëdijshëm për hollësitë e saj.

Dr. Mutlak El-Xhasir

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit