Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka ngritur sërish alarmin për krizën humanitare në Rripin e Gazës, duke kërkuar lejimin për të shpërndarë ndihma humanitare pa pengesa.
“Në periudhën para rrethimit dhe urisë, OKB-ja dhe partnerët e saj ndihmonin 2 milionë njerëz në të gjithë Gazën përmes shpërndarjes së ndihmave në komunitet,” shkroi UNRWA në platformën X.
“Pesë muaj më vonë, uria është vrasësi i radhës. Katër pika të militarizuara të shpërndarjes nuk mund të zëvendësojnë një reagim humanitar të koordinuar.”
Izraeli vazhdon të mbajë një bllokadë humanitare mbi Gazën, duke lejuar vetëm ndihma të kufizuara përmes hedhjes nga ajri dhe përmes mekanizmit të kontestuar GHF, i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA.
OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare kanë kritikuar ashpër GHF-në, duke e quajtur një skemë të militarizuar që rrezikon jetën e palestinezëve dhe nuk respekton parimet humanitare. Që nga maji, më shumë se 1,300 persona janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ndihma nëpër pikat e shpërndarjes të drejtuara nga GHF në Gaza. /mesazhi
