Këshilla e dijetarit të shquar Ibën Baz – Allahu e mëshiroftë – për krerët e shteteve islame dhe për të gjithë muslimanët në lidhje me detyrimet që kanë ndaj çështjeve të umetit islam
Tha Allahu e mëshiroftë:
“Sot, muslimanët dëgjojnë ose shohin se çfarë po u ndodh vëllezërve të tyre në Filipine, Afganistan, Eritre, Etiopi, Palestinë dhe në shumë vende të tjera. Madje, ka edhe pakica myslimane në shtete komuniste mohues, të cilat muslimanët i kanë lënë pas dore dhe nuk kanë vepruar siç duhet për t’i ndihmuar, për t’u gjendur pranë dhe për t’u dhënë mbështetje. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Përngjasimi i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë që kanë për njëri-tjetrin është si trupi i vetëm; kur ankohet një gjymtyrë, përgjigjet i gjithë trupi me ethe dhe pagjumësi.”
Po ashtu, Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Besimtari për besimtarin është si një ndërtim, ku secila pjesë forcon tjetrën,” – dhe i ndërthurte gishtat e tij…”
Këto hadithe të vërteta dhe të shumta nga i Dërguari i Allahut ﷺ e qartësojnë se si duhet të jenë muslimanët në bashkëpunim e solidaritet, duke ndier nevojën që kanë për njëri-tjetrin.
Dijetarët – Allahu i mëshiroftë – kanë thënë: nëse një grua myslimane në Marok do të pësonte padrejtësi, do të ishte detyrë për muslimanët e Lindjes që ta ndihmonin. E çfarë mund të thuhet atëherë kur përballë nesh janë vrasje, dëbime, padrejtësi dhe burgosje pa të drejtë, që ndodhin mbi qindra e mijëra muslimanë – dhe vëllezërit e tyre nuk lëvizin, nuk i ndihmojnë, përveç atyre që Allahu ka mëshiruar?
Detyra e shteteve islame dhe e individëve të pasur e me mundësi është që të shikojnë me mëshirë dhe dhembshuri drejt vëllezërve të tyre të shtypur, dhe t’i ndihmojnë ata – qoftë përmes ambasadorëve të besuar të shteteve islame, apo edhe përmes delegacioneve që duhet të dërgohen herë pas here në emër të shteteve islame për të hetuar dhe vëzhguar gjendjen e muslimanëve në ato shtete ose të pakicave myslimane në vende të tjera.
Dhe nëse kombet krishtere, hebraike, komuniste dhe të tjera prej popujve mohues, mbrojnë të drejtat e çdo individi që u përket atyre, edhe nëse ndodhet në një vend tjetër të largët – duke bërë protesta, deklarata, e madje edhe kërcënime diplomatike nëse ai individ dëmtohet – atëherë si është e mundur që muslimanët të heshtin sot përballë shfarosjeve, torturave dhe ndëshkimeve të tmerrshme që po u ndodhin vëllezërve të tyre në shumë vende të kësaj bote?!
Dhe le ta dijë çdo popull apo shtet mysliman që nuk lëviz për të ndihmuar vëllezërit e tij për hir të Allahut, se shumë shpejt mund ta godasë edhe atë i njëjti fatkeqësi që po dëgjon ose po sheh se po i ndodh vëllezërve të vet, dhe të mos ketë askënd që ta ndihmojë apo që të punojë për largimin e padrejtësisë dhe vuajtjes nga ai.”
📚 Burimi: “Mexhmuu fetava” i dijetarit Ibn Baz (2/163–164).
