-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Veçoritë e shumëzimit të dhive

Më të lexuarat

Zgjedhja e krerëve që do të mbahen për mbarë dhe ripërtëritja e tufës duhet t’u përgjigjen kërkesave dhe karakteristikave të racës dhe drejtimit për të cilin mbahen dhitë në fermë.

Duke ditur se dhitë në vendin tonë mbarështohen kryesisht për qumësht, mish ose me drejtim qumësht-mish, po paraqesim disa nga kërkesat për seleksionimin e dhive për qumësht.

Dhia me drejtim për qumësht duhet të ketë një shëndet të mirë, trup të zhvilluar harmonikisht dhe të japë pamjen e përgjithshme të një kafshe me trup elegant: kokë të vogël, profil të drejtë, pak të përkulur, buzë të holla, sy të ndritshëm, qafë të hollë, trup të drejtë dhe të gjatë, gjoks të thellë, vithe të gjera, por të thata, gjymtyrë të forta, të gjata e të holla.

Kujdes të madh duhet t’i kushtojmë veçanërisht zhvillimit të gjirit i cili duhet të jetë i zhvilluar mirë, me lëkurë të hollë dhe elastike, thithat t’i ketë të gjata dhe të barabarta dhe të mos kenë anomali. Të dhënat mbi sasinë e qumështit të prodhuar janë një tregues i rëndësishëm që duhen vlerësuar në veçanti.

Në përgjithësi të metat trupore dhe defektet duhen vënë re mirë pasi ato shpesh trashëgohen tek pasardhësit.

Zgjedhja e cjepve për ndërzim duhet të bëhet me më shumë kujdes dhe përgjegjësi pasi nga cilësitë e mira të tij do të varet përmirësimi i ardhshëm i tufës.

Zgjedhja duhet të bëhet në bazë të karakteristikave të racës, të dhënave që disponohen për prejardhjen e tyre, shëndetin e mirë dhe kryesisht për mirë funksionimin e organeve gjenitale.

Për të patur një progres në prodhimtarinë e përvitshme të tufës, dhitë duhet t’i nënshtrohen përzgjedhjes së vazhdueshme.

Edhe mosha e tufës luan rol në nivelin produktiv. Për këtë, në tufën e dhive duhet të jenë rreth 50 % e krerëve me moshë 2-3 vjeçare, kurse pjesa tjetër duhet të jetë e moshave 4-6 vjeç, duke siguruar një remont vjetor në masën 23-30%.

Zhvillimin trupor dhitë e arrijnë më vonë se pjekuria seksuale e cila arrihet rreth moshës 6-8 muajsh, që përkon me vjeshtën e parë të jetës së ftujës dhe me një peshë trupore afërsisht sa 40 % e peshës së dhisë së rritur.

Në këtë periudhë kecat kërkojnë të ndërzejnë dhe ftujat kërkojnë mashkull, por teknikisht dhe praktikisht kjo nuk duhet lejuar për të siguruar një brezni me cilësi të mira. Mosha më e përshtatshme për dhitë dhe cjeptë është përkatësisht 12-15 muajsh, (për ato më pak të zhvilluara 18 – 20 muajsh) kohë në të cilën arrihet rreth 60 – 75% e peshës së dhive të rritura dhe përkon me vjeshtën e dytë të jetës së tyre.

Ritmi i pjekurisë seksuale përshpejtohet nga ushqimi i mirë e i bollshëm, klima e freskët dhe prania e cjapit në tufë. Periudha e ndërzimit tek ne është vjeshta dhe pikërisht shtatori, tetori, deri edhe nëntori për zonat më malore dhe të ftohta.

Afshi, tek dhitë shfaqet me simptomat e zakonshme si tek speciet e tjera të kafshëve, me këto karakteristika: vulvë e skuqur, shqetësime, sekretim i mukozës vaginale, mungesë oreksi. Ndërsa cjapi është i gatshëm për kërcim, por sidomos në periudhën vjeshtë- pranverë, instikti është mjaft i fortë dhe në këtë periudhë ka një erë të veçantë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit