Nuk pickohet besimtari nga një strofull dy herë. (Premtimet e rreme) – Florian Leli

Më të lexuarat

Nuk pickohet besimtari nga një strofull dy herë.
(Premtimet e rreme)

Është teksi i hadithit që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi: “Nuk pickohet besimtari nga një strofull dy herë”. Pickimi është i gjarprit; sepse folja (لَدَغ – ledege) përdoret për pickimin e kafshëve helmuese; gjarprit dhe akrepit. Në disa shtesa të hadithit transmetohet: “nga një strofull gjarpri dy herë”.

Folja “nuk pickohet” ka ardhur në formë dëftore. Hatabiu thotë: “Si formë është dëftore, por në kuptim është urdhërore; besimtari të jetë serioz e vigjilent, të mos jetë gafil që mashtrohet herë pas here”. Thotë: “Kjo përfshin çështjet që lidhen si me fenë ashtu edhe me dynjanë”.

Është transmetuar edhe në formë ndalese: “Të mos pickohet besimtari nga një strofull dy herë”, por transmetimi i parë është më i njohur.

Kjo shprehje profetike ka një histori të njohur. Kur Ebu Aza, poeti kurejshit nga fisi Xhumah, u zu rob nga muslimanët në fushëbetejën e Bedrit, zuri t’u qajë hallin për fëmijë e varfëri. Profetit iu dhimbs dhe e liroi pa shpagim. Ai i premtoi se nuk do t’u dilte kurejshve në krah, por këtë premtim e flaku pas shpine dhe para betejës së Uhudit nisi të thurë vargje frymëzuese për të nxitur luftën. Deshi Allahu dhe në Uhud ra prapë rob në dorën e muslimanëve e zuri t’u qante hallin; kam fëmijë e halle. Atëherë profeti s.a.v.s. i tha: Nuk pickohet besimtari nga një strofull dy herë. Mos ta fërkosh mjekrën në Mekë e të thuash: U talla me Muhamedin dy herë. Në fund mori dënimin e merituar.

Shkurtimisht komentuesit e këtij hadithi kanë thënë që besimtari duhet të jetë i shkathët e vigjilent, i mprehtë e jo gafil. Duhet të mësojë nga gabimet dhe të mos e lejojë veten të mashtrohet herë pas herë. Buhariu në titullin e këtij kapitulli përmend edhe fjalën e Muavijes: “I urtë është ai që ka përvojë”, pra urtësia përfitohet nga përvojat e jetës, kush e pëson një herë fiton përvojë dhe urtësia kërkon që të mos mashtrohet e ta pësojë rishtas.

 

Nga Hoxhë Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit