Gaza dhe hartat e besnikërisë

Më të lexuarat

Kur flasim për Gazën, nuk flasim për një ndjenjë të përkohshme që prek zemrën e shtyn drejt një postimi a psherëtime dhe pastaj shuhet, por për një dhimbje të thellë, të rrënjosur, që lind nga një bindje e fortë besimi se ajo që ndodh në Gaza nuk është thjesht një detaj i realitetit, por një qendër gravitacionale në peshoren e qiellit — një matës i saktë i zemrave dhe përcaktues i pozicionimeve.

Gaza sot nuk është thjesht një qytet që bombardohet — ajo është një provim i hapur për ndërgjegjet dhe një detyrë e qartë për shpirtrat:

Kush do të ngrihet? Kush do të shpërfillë? Kush do të qajë për Allahun, jo për sytë e njerëzve? Kush do ta kthejë ndjeshmërinë e tij në projekt, jo në postim?

Gaza nuk është vetëm një çështje politike që thuhet në konferenca dhe diskutohet në takime — ajo është një përmbledhje e të gjitha sprovave të umetit: në besim, sinqeritet, besnikëri, tradhti dhe vizion.

Ajo është një test që nuk i prek vetëm ata nën bombat, por edhe ne jashtë tyre: na provon në qëndrimet tona, në reagimet tona, në mënyrën se si e përfshijmë çështjen në edukim, në biseda, në vendime, në zemra.

Trishtimi fisnik është ai që sjell lutje, jo “reklamë”.

Ai që shfaqet në lot në sexhde, jo në shfaqje në rrjete sociale.

Ky trishtim lind në zemrën e besimtarit dhe jep fryte në mendjen e thelluar, duke u përkthyer në ndikim dhe urtësi në realitet.

 

Zgjidhjet që përmenden:

  1. Rikthimi i busullës së besnikërisë.

Armiku nuk është vetëm ai që ngre armën — por ai që lufton fenë e këtij umeti, që armiqëson të devotshmit, që mashtron rininë, dhe që përhap një gjuhë që i banalizon çështjet madhore të këtij umeti.

Ky armiqësim shpesh nuk del nga tytat e armëve, por vjen tinëz nga rreshtat, nga ekranet, nga gjuha e “influencuesve”.

  1. Forcimi i bindjes për fitoren.

Duhet t’ua mësojmë shpirtrave tanë se ky umet mund të thyhet diku, por kurrë nuk rrëzohet. Mund të sprovohet, por nuk zhduket. Shtypja është fazë, jo fund.

Historia nuk shkruhet nga lajmet, por nga ata që i qëndrojnë besnik Allahut.

  1. Ndërtimi i vetëdijes.

Vetëdije që nuk ushqehet nga ndjesi të çastit, por që kupton thellësinë e betejës. Gaza nuk është e ndarë nga zgjedhjet tona të përditshme, nga heshtja jonë përballë rrënimit të vlerave, ndërsa buzëqeshim.

  1. Shndërrimi i dhimbjes në projekt.

Ai që vërtet ndjen, nuk mjaftohet me një lot — e kthen atë në veprim:

  • Nëse je mësues, ktheje orën mësimore në fjalim ndërgjegjësimi.
  • Nëse je prind, ke përpara shpirtra që po formohen.
  • Nëse je shkrimtar, fjala jote është shigjetë.
  • Nëse nuk ke gjë tjetër veç lutjes, atëherë bëje me sinqeritet: “O Zot, Ti e di atë që ne nuk e shfaqim — bëje këtë lutje shigjetë që nuk gabon.”

Një lot në pjesën e fundit të natës peshon më shumë në peshoren e qiellit se një mijë postime.

Në një kohë kur fjalimet janë të shumta dhe qëndrimet duken njësoj, ajo që mbetet është: sinqeriteti, përgjegjësia në edukim, dhe veprimi i qëndrueshëm.

Nëse nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve — mund të ndryshojmë veten, ta formojmë gjeneratën tjetër, dhe ta shkruajmë në këtë krizë një histori besnikërie që e ruan qielli edhe nëse e harron historia.

Nuk kërkojmë që bota të ndjejë për ne, por që ne të ndjejmë për fenë tonë siç duhet.

Të rikthejmë veten në hartën e besnikërisë.

Të pyesim veten: Çfarë kemi dhënë ne secili për këtë çështje?

Përkthim dhe përshtatje

Amar Dauti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit