4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Bushati: Shqipëria e gatshme të presë refugjatë

Më të lexuarat

Shqipëria është e gatshme që të mirëpresë refugjatë. Ky qëndrim i vendit tonë është theksuar dje nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili, i shoqëruar edhe nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, mori pjesë në Ministrerialin e posaçëm të Bashkimit Evropian për krizën e refugjatëve.

“Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat në rast se prekemi nga ky fenomen”, u shpreh Bushati gjatë fjalës së tij në këtë Ministerial.
Duke rikujtuar eksodin kosovar në fund të viteve ‘90, kur Shqipëria hapi dyert për qindra mijëra refugjatë nga Kosova, ministri Bushati, në fjalën e tij, theksoi nevojën për të trajtuar dhe për të adresuar bashkërisht krizën e krijuar nga flukset e emigrantëve që kërkojnë të arrijnë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. Në situata të tilla, tha ai, ndjenja e solidaritetit duhet të mbizotërojë. “Kjo është një krizë që ka në vetvete kriza të ndërlidhura, një krizë humanitare në det dhe në tokë që mbart me vete dhe rreziqe për çështje të sigurisë, si dhe një krize financiare me të cilën duhet të përballen vendet e prekura nga vala e refugjatëve.
Kjo ndërthurje krizash sfidon aftësitë reaguese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si vende tranziti, por, pavarësisht dyndjeve në kufijtë e tyre, vendet e rajonit kanë dëshmuar gjatë kësaj krize se i kanë qëndruar me besnikëri vlerave evropiane”, deklaroi ministri Bushati. Në fund të takimit, ministrat miratuan me unanimitet deklaratën qe përcjell vullnetin e përbashkët të vendeve të BE-së, Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Libanit dhe Jordanisë për përballimin e sfidave të përbashkëta të krizës emigratore si partnere, duke iu përgjigjur me solidaritet nevojës për një bashkëpunim konkret dhe kthimin e përgjegjësisë kolektive në veprime kolektive.
Respektimi i detyrimeve ndërkombëtare dhe i të drejtave të njeriut në dhënien e ndihmës dhe mbrojtjes ndërkombëtare për refugjatët, forcimi i sigurisë nëpërmjet menaxhimit efikas të kufijve dhe lufta kundër krimit të organizuar si dhe mbështetja e komuniteteve pritëse dhe vendeve të tranzitit përbëjnë shtyllat kryesore te bashkëpunimit të dakordësuara ne këtë deklaratë. Ministeriali i posaçëm u zhvillua në Luksemburg, me ftesë të Jean Asselborn, ministër i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Emigracionit dhe Azilit i Luksemburgut, dhe Federica Mogherinit, përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme dhe Sigurisë.
Por ndërkohë gatishmëria e Shqipërisë për të qenë pjesë e zgjidhjes në krizën e refugjatëve u shpreh edhe gjatë një takimi që kryeparlamentari Ilir Meta zhvilloi dje në Tiranë me ministren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Landit të Bavarisë, Beate Merk. “Për sa i përket azilkërkimeve nga rajone të tjera lufte, Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përkrah Gjermanisë dhe partnerëve të saj evropianë”, u shpreh Meta në takimin me ministren gjermane.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit