0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Imamë nga Kosova marrin pjesë në Seminarin njëjavor në Stamboll

Më të lexuarat

Imamë nga Kosova marrin pjesë në Seminarin njëjavor në Stamboll

 

Nën organizimin e Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë me seli në Doha të Katarit dhe në marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës, njëzet imamë nga Kosova po marrin pjesë në Seminarin njëjavor të organizuar nga ky Union, i cili po mbahet në Stamboll të Turqisë.
Hapja e këtij Seminari u bë të hënën, më 26 gusht 2024, gjatë së cilit prof. Hajredin ef. Hoxha, shpjegoi në pika të shkurta programin e Seminarit, por edhe objektivat dhe synimet që ka Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Myslimanë. Ai potencoi se prioritet i këtij Seminari është ruajtja e frymës institucionale dhe respektimi i lidershipit fetar në vendet tona, për të cilat tha se Unioni këto vlera i ruan me një fanatizëm të madh.
Më pas, kryetari i Unionit të Dijetarëve Myslimanë, prof. dr. Ali Karadagi, mbajti një ligjëratë rreth konceptit të veçantë që ka ndërtuar me dekada jurisprudenca ekuilibruese (Fikhu el mizan), e për të cilën tha se ka qenë tejet e nevojshme, ngase keqkuptimet dhe keqinterpretimet e teksteve fetare ishin tejet të pranishme në mesin e besimtarëve. 
Një ligjëratë që zgjoi kërshërinë dhe interesin e të pranishmëve ishte edhe ajo e dr. Muhamed Ali Sallabit, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryetar i Unionit. Ai gjatë ligjërimit të tij theks të veçantë i kushtoi Kuranit, si burimi dhe referenca më e besueshme e dokumentimit të historisë njerëzore dhe jo vetëm. Ligjëratën e tij ai më pas e vazhdoi me tregimet e disa prej pejgamberëve të përmendur në Kuran, si dhe mësimet që nxjerrim nga jeta e tyre.
Gjatë këtij Seminari, imamët do të kenë mundësi të dëgjojnë ligjërata të ndryshme nga Kurani, tefsiri, fikhu, kultura dhe civilizimi, si dhe për kontributin e shqiptarëve myslimanë në komentimin e Kuranit.
Në këtë Seminar, përveç njëzetë imamëve nga Kosova, po marrin pjesë edhe dhjetë imamë nga Shqipëria, pesë nga Maqedonia e Veriut dhe tre nga Lugina e Preshevës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit