8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Tre gra dhe një burrë, mund të ndryshojnë historinë e zgjedhjeve në SHBA

Më të lexuarat

Biden s’ka ndërmend të tërhiqet, por lidershipi demokrat po përgatit planin B

Nga Andrea Marinelli, Corriere della Sera

Nata e debatit të parë presidencial midis Joe Biden dhe Donald Trump, u karakterizua nga ankthet më të këqija të Partisë Demokratike. Gjatë diskutimit, ndërsa presidenti dukej i lodhur dhe konfuz, drejtuesit e partisë shkëmbyen midis tyre mesazhe që përcillnin shqetësim, dhe në disa raste tmerr, duke pyetur njëri-tjetrin se çfarë mund të bëjnë teksa po afrohen zgjedhjet presidenciale.

“Do të ketë shumë diskutime mbi mundësinë nëse Biden duhet lejuar apo ta vazhdojë garën”-u shpreh strategu i njohur demokrat David Axelrod, njeriu që kontribuoi në zgjedhjen president të Barack Obamës, dhe që u shfaq i alarmuar, për të thënë më të paktën, në  një ndërhyrje të tijën në CNN të enjten në mbrëmje pak minuta pas debatit.

Deklarata e tij është bërë linja zyrtare e komentatorëve dhe analistëve pranë të majtës, nga Tom Friedman tek Van Jones. Megjithatë, ndryshimi i kandidatit në këtë pikë të fushatës nuk është dhe aq i thjeshtë, dhe mbi të gjitha ai do të varet vetëm nga vullneti i Joe Biden.

Vetë ky i fundit e hodhi poshtë po të enjten këtë opsion. Nga ana tjetër, nuk janë të shumtë zëvendësuesit e gatshëm të përfshihen në këtë moment në garën presidenciale. Ata duhet të kërkohen midis atyre që e mbështetën kandidaturën e tij, dhe duhet të përpiqen të fitojnë shumicën e delegatëve që do të kenë braktisur Biden.

Është pak si ajo që ndodhte në konventat e vjetra të Partisë Demokratike, kur emri i kandidatit shfaqej pas negociatave të gjata në prapaskenë midis lidershipit, përpara se institucioni i zgjedhjeve paraprake në vitin 1972, t’ia besonte vetëm votuesve përzgjedhjen e kandidatit.

Kamala Harris

Hipoteza më konkrete, është se stafetën do ta marrë zv/presidentja Kamala Harris, 59 vjeçe, ish-senatore e Kalifornisë, edhe pse rregullat e partisë nuk i japin asaj ndonjë avantazh, nëse Joe Biden vendos vërtet të tërhiqet. Ajo nuk do të merrte automatikisht delegatët e caktuar gjatë zgjedhjeve paraprake.

Por presidenti aktual mund të përpiqet të ndikojë mbi procesin, duke i dhënë asaj miratimin e tij.Harris do të kishte avantazhin e të qenit tashmë pjesë e ofertës presidenciale, dhe për këtë arsye do të ishte e vetmja që do të kishte qasje tek fondet e mbledhura për fushatën elektorale.

Gjithsesi nuk do të konsiderohet si zgjedhja më e mirë. Katër vitet e fundit kanë qenë të vështira, ajo është kritikuar shumë dhe rendimenti i saj në këtë post ka qenë larg pritshmërive.

Posti i zëvendëspresidentit të SHBA-së është shumë delikat. Sepse ai nuk duhet të krijojë probleme, dhe në të njëjtën kohë s’duhet të lërë në hije figurën e liderit apo të duket shumë i etur për t’i zënë vendin. Ndaj Harris bart gjithnjë me vete një hije natyrale, gjë që e ka zbehur entuziazmin ndaj gruas së parë zv/presidente të Shteteve të Bashkuara.

Gavin Newsom

Më popullori ndër kandidatët alternativë është ndoshta guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, 56 vjeç, i konsideruar gjithmonë si një zëvendësues i mundshëm i minutës së fundit, sepse është relativisht i ri, i pashëm dhe karizmatik. Megjithatë, ai sjell me vete avantazhet e shtetit të tij – ndikimin politik, njohjen, marrëdhëniet – por edhe disavantazhet.

Kalifornia gjendet sot në një krizë identiteti, dhe republikanët po e akuzojnë Newsom për një qeverisje të keqe, e cila ka sjellë rritjen e kriminalitetit, shtimin e të pastrehëve dhe të varurve nga droga që jetojnë rrugëve. Ai i mbijetoi një skandali gjatë bllokimit për shkak të pandemisë, kur shkeli kufizimet që kishte vendosur vetë duke ngrënë në një restorant me tre yje Michelin në Napa Valley.

Dhe fitoi zgjedhjet e vitit 2021, kur republikanët mblodhën më shumë se 2 milion firma në të gjithë shtetit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat ai i fitoi me lehtësi. Newsom ishte në Atlanta të enjten në mbrëmje, dhe ai përsëriti para gazetarëve deklaratën e tij se Partia Demokratike mbetet përkrah Joe Biden. “Në nëntor unë do të votoj për të”- theksoi ai.

Gretchen Whitmer

Të njëjtat fjalë, ka thënë pak a shumë edhe Gretchen Whitmer, emri i tretë në listën e zëvendësuesve. Ajo që ndoshta më shumë se kushdo tjetër, mund të përfaqësonte vërtet një risi. Guvernatorja 52-vjeçare e shtetit të Michigan njihet mbi të gjitha sepse gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19 iu kundërvu me mjeshtëri Donald Trump, i cili nga Uashingtoni nxiti protesta kundër kufizimeve të saj, që ishin më të ashprat në vend.

Janë të paharrueshme imazhet e demonstruesve të armatosur, që protestonin para parlamentit lokal të këtij shteti. Në vitin 2021 ajo ishte viktimë e një tentative për rrëmbimi:FBI arrestoi anëtarë të një milicie të ekstremit të djathtë që donin ta vrisnin. Një histori që për fat të mirë përfundoi vetëm me shumë trembje dhe nëntë dënime penale.

Michelle Obama, një sugjerim i përjetshëm (por gjithmonë i përgënjeshtruar)

Pastaj ka edhe disa emra në rreshtin e dytë – guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro, ai i Illinois J.B.Pritzker, kongresmeni i Kalifornisë Ro Khanna, që të gjithë në një pozicion më të izoluar – dhe sugjerimi i përjetshëm i Michelle Obama, i ri-promovuar nga gazetat dhe e refuzuar më shumë se një herë nga vetë ish-Zonja e Parë. Ajo pretendon se nuk ka ndërmend të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit