Problemi është barazia….
Blendi Kajsiu
Dallimi mes PS-së dhe PD-së nuk reflekton ndarjen ideologjike tradicionale mes së majtës dhe së djathtës. Sipas teoricienit italian Norberto Bobbio, dallimi themelor konceptual mes së majtës dhe së djathtës është barazia. Të majtët mendojnë se shumica e pabarazive prodhohen artificialisht nga shoqëria apo sistemi politik, ndaj mund dhe duhet të eliminohen tërësisht (komunistët) ose të reduktohen (social-demokratët). Të djathtët mendojnë se pabarazia është një tipar natyral i gjendjes njerëzore, madje pozitiv, ndaj as duhet e as nuk mund të eliminohet (e djathta konservatore apo neoliberale), madje duhet thelluar (ekstremi i djathtë, nazizmi). E thënë ndryshe, sa më e shqetësuar të jetë një forcë politike për reduktimin e pabarazive socio-ekonomike, aq më e majtë është. Dhe anasjelltas, sa më pak interesohet për reduktimin e pabarazive, aq më e djathtë është.
Me kriterin e mësipërm as PS-ja dhe as PD-ja nuk janë parti të majta sepse asnjëra nuk ka prioritet reduktimin e pabarazive socio-ekonomike që prej 30 vitesh thellohen në Shqipëri. Me rënien e komunizmit barazitizmi, i konceptuar shpesh si uniformitet, u identifikua si një nga të metat themelore të regjimit. Për pasojë barazia u kthye në një “fjalë të pisët” në fjalorin politik shqiptar të tranzicionit, prej së cilës distancoheshin të gjitha forcat politike.
Në këtë kontekst edhe PS-ja e braktisi reduktimin e pabarazive socio-ekonomike, sidomos pas ardhjes në pushtet në vitin 1997. Tashmë ajo nuk është një forcë e majtë as nga pikëpamja sociologjike dhe as nga ajo ideologjike. Ideologjikisht në konfliktin “kapital-punëtor” PS-ja është rreshtuar tërësisht me kapitalin, duke u mburrur se në Shqipëri kanë vdekur sindikatat, të cilat synojnë reduktimin e pabarazisë mes aktorëve ekonomikë të fuqishëm (kapitalit) dhe atyre të dobët (punëtorëve). Kjo lëvizje e thellë djathtas është korrektuar në mënyrë të zbehtë me mbrojtjen e të drejtave të gruas apo të minoriteteve të ndryshme, që sot janë tipike të artikulimit të majtë.
Ndërkohë, nga pikëpamja sociologjike, PS-ja më shumë sesa shtresat në nevojë sot përfaqëson shtresat e pasura si brenda, edhe jashtë partisë. Sikurse treguan edhe zgjedhjet e fundit mbështetja elektorale e PS-së është me e madhe në zonat dhe shtresat me të ardhura më të larta në krahasim me zonat dhe shtresat me të ardhura më të pakta. Pa përmendur faktin që tashmë pushtetarët socialistë, si në ekzekutiv, në legjislativ apo në administratën publike janë shumë larg shtresës së mesme. Elementët kryesorë dhe më aktivë të Partisë Socialiste sot nga pikëpamja sociologjike i përkasin shtresës së mesme të larë dhe shtresës së lartë, të paktën po t’i referohemi të ardhurave të tyre.
PD-ja, nga ana tjetër, shumicën e votave e merr nga shtresat më të margjinalizuara të elektoratit shqiptar, sidomos në zonat veriore. Ndërkohë thelbi i ligjërimit të saj ideologjik është denoncimi i elitës dhe shtresave të larta për pasurimin e tyre përballë varfërimit të shtresave në nevojë. Denoncimi i oligarkëve dhe korrupsioni i elitës politike/ ekonomike/ mediatike/ komuniste/ puniste/ socialiste/ në pushtet ka qenë thelbi i ligjërimit të Partisë Demokratike edhe kur gëzonte pushtet absolut. Në periudhën 1992-1997 ligjërimi demokrat bazohej në tezën se komunistët “lanë pushtetin politik për të marrë pushtetin ekonomik”. Pra u transformuan nga një elitë politike në një elitë ekonomike.
Ama kjo nuk do të thotë se PD-ja është një parti e majtë. Ligjërimi i saj antielitist historikisht është ndërthurur me koncepte qartësisht neoliberale, antistatiste dhe në disa raste edhe konservatore. Ligjërimi i PD-së, i dominuar nga berishizmi, nuk ka pasur në thelb të tij reduktimin e pabarazisë, por çlirimin e politikës, të shoqërisë dhe të ekonomisë nga elitat e korruptuara social-komuniste. Kemi të bëjmë me një ligjërim thellësisht antielitist që nuk është i majtë.
Ky është në fakt thelbi i ndryshimit ideologjik në Shqipëri, mes së majtës, përfaqësuar nga Partia Socialiste dhe së djathtës, përfaqësuar nga Partia Demokratike. PS-ja është një parti thellësisht elitiste (jo domosdoshmërisht elitare) si në ligjërim, edhe në përbërje, ndërsa PD-ja është një parti thellësisht antielitiste si në ligjërim, ashtu edhe në përbërje. Ky dallim është shumë më i rëndësishëm sesa ndarja e tyre ideologjike në aksin majtas-djathtas, pasi të dyja janë parti të djathta.
Thelbi i ideologjisë socialiste sot është “ne jemi elitë dhe dimë ta bëjmë këtë vend” ndërsa kundërshtarët tanë janë “shpellarë të pacivilizuar dhe primitivë”. Ndërkohë që thelbi i ideologjisë së djathtë sot dhe dje, e përfaqësuar kryesisht nga berishizmi, është “poshtë elita e korruptuar, e degjeneruar dhe perverse socialiste nën udhëheqjen e Ramiz Alisë/Fatos Nanos/Edi Ramës/etj.”.
Kjo ndarje ideologjike trupëzohet qartë tek dy liderët kryesorë të së majtës dhe të së djathtës sot. Udhëheqësi i PS-së Edi Rama artikulon një ligjërim thellësisht elitist dhe shumë pak socialist, që reflektohet tek arroganca dhe përçmimi ndaj kundërshtarëve politikë, në veçanti si dhe ndaj shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Kjo e fundit e bezdis kryeministrin tonë me kazanët mediatikë, me thashethemet dhe një popullatë dembele që merret vetëm me llafe.
Ndërkohë e gjithë karriera politike e Berishës mund të përmblidhet tek denoncimi i elitave komuniste/paskomuniste/socialiste si të degjeneruara, degraduara dhe të korruptuara. Në fakt është e pamundur të gjesh ndonjë elitë politike, mediatike, ekonomike apo kulturore si brenda, ashtu edhe jashtë PD-së që nuk është denoncuar nga berishizmi. Këtu përtej elitave politike socialiste Nano-Meta-Majko-Rama, futet edhe elita antikomuniste e djathtë e përfaqësuar nga Petrit Kalakula në qeverinë e parë Berisha, edhe elita politike nacionaliste e Abdi Baletës në vitet 90-të, si dhe elitat politike të prodhuara nga vetë PD-ja, siç ishte dyshja Pollo-Sheshu dje.
Ndarja e mësipërme mes një PD-je antielitiste dhe një PS-je elitiste nuk është rastësi. Ajo buron nga fakti që Partia Socialiste sot (ashtu sikurse edhe nëna e saj Partia e Punës dje apo gjyshja e saj Partia Komuniste pardje) përfaqëson një projekt modernizues. Komunizmi në Shqipëri nuk hodhi rrënjë si ideologji apo filozofi politike, pasi marksizmi nuk kish lidhje me realitetin socio-politik feudal shqiptar të viteve 1940 ku gati nuk ekzistonte klasa punëtore. Komunizmi shqiptar pati sukses si një projekt kombformues dhe modernizues që premtonte zhvillimin më të shpejtë dhe më efikas të Shqipërisë, sidomos përballë traumave sociale që krijonte sistemi kapitalist që prodhuan edhe Luftën e Dytë Botërore.
E thënë ndryshe, dhe duke përgjithësuar në mënyrë brutale, shqiptarët nuk e përqafuan komunizmin se do të eliminonte luftën e klasave, por sepse do t’i ushqente dhe do t’i zhvillonte më mirë dhe më shpejt se feudalizmi që linin pas dhe se kapitalizmi që kishin përpara. Po kështu edhe elitat shqiptare e përqafuan ideologjinë marksiste jo për dimensionin e saj filozofik, apo për drejtësinë sociale që do të prodhonte, por si rruga më e shpejtë dhe efikase drejt modernizmit të vendit dhe konsolidimit të kombit.
Modernizmi dhe konsolidimi i kombit do të udhëhiqej nga elita e re komuniste që e përdori doktrinën marksiste-leniniste thjesht për të legjitimuar statusin e saj si partia avangardë. Në gjuhën e Gaetano Moskës, marksizëm-leninizmi dhe nacionalizmi ishin formulat politike që justifikuan elitën e re në pushtet. Në thelb të kësaj formule nuk ishte dialektika marksiste apo materializmi historik por nacionalizmi, modernizmi, industrializimi dhe zhvillimi i vendit nën udhëheqjen e partisë avangardë, për të arritur tranzicionin e popullit shqiptar, dhe konsolidimin e kombit, nga prapambetja feudale drejt modernizimit komunist, duke evituar traumat e zhvillimit kapitalist.
Për vetë prapambetjen socio-ekonomike të Shqipërisë, elita komuniste kish fare pak lidhje me klasën punëtore, pothuajse inekzistente në Shqipërinë e viteve 1940. Përkundrazi ajo buronte nga shtresa e mesme dhe e lartë e shoqërisë shqiptare. Shumica e themeluesve dhe figurave kryesore të Partisë Komuniste, si: Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Qemal Stafa, Sejfulla Malëshova, apo edhe Mehmet Shehu më vonë, nuk ishin punëtorë apo bujq, por intelektualë që vinin nga shtresat e mesme dhe të larta të popullsisë së vogël urbane shqiptare, shpesh të arsimuar në universitete dhe akademi të Evropës perëndimore. Figura si Vasil Shanto, që ishte artizan dhe me prejardhje sociale modeste, ishin përjashtimi dhe jo rregulla e elitës komuniste shqiptare në fillimet e saj.
Për nga prejardhja sociale, komunistët shqiptarë ishin shumë më larg klasës punëtore dhe fshatarësisë se komunistët e rajonit. Për ta kuptuar këtë mjafton të krahasosh Enver Hoxhën, lindur në një familje urbane të shtresës së mesme të lartë dhe i shkolluar në universitet në Francë, me udhëheqësit komunist të rajonit, Titon në Jugosllavi, Çausheskun në Rumani dhe Todor Zhivkovin në Bullgari. Zhivkovi lindi në një familje fshatare që nuk pati mundësi ta shkollonte mirë. Çaushesku gjithashtu lindi në një familje të varfër fshatare rumune dhe punoi si ndihmës-këpucar pa arritur kurrë të shkollohet mirë, dhe aq më pak të shkonte në universitet. E ngjashme është edhe historia e Titos, që lindi në një familje fshatare dhe bëri vetëm 4 vjet shkollë gjatë fëmijërisë së tij, dhe më pas ishte punëtor në fabrika të ndryshme të Evropës Qendrore.
Pra komunizmi shqiptar ishte produkt i shtresave të mesme/të larta dhe intelektuale dhe jo i fshatarësisë dhe aq më pak i klasës punëtore shqiptare. Natyrisht me kalimin e kohës, sidomos pas ardhjes në pushtet, Partia Komuniste filloi të hapej më shumë ndaj klasës punëtore dhe fshatarësisë; pjesërisht edhe si pasojë e nevojës së Enver Hoxhës për të hequr qafe konkurrencën. Ama komunizmi shqiptar me Enver Hoxhën në krye mbeti një projekt thellësisht elitist, edhe kur udhëheqja e tij u pasurua me përfaqësues të klasës punëtore dhe të fshatarësisë.
Ndoshta për këtë arsye nacional-komunizmi në Shqipëri kish një dimension të qartë skizofrenik. Ai nga njëra anë lartësonte virtytet e popullit dhe klasës punëtore, ndërsa nga ana tjetër i shikonte punëtorët dhe fshatarët nga lart-poshtë. I trajtonte ata në mënyrë tejet paternaliste si fëmijë që duheshin orientuar nga elita komuniste sepse ishin një masë ende e paformuar. Ndryshe nga klasa punëtore në Jugosllavi që kish autonomi organizative dhe vendimmarrëse.
Pavarësisht virtyteve të shumta, klasa punëtore, fshatarësia dhe populli në përgjithësi duhej të udhëhiqeshin nga elita komuniste sepse në thelb ishin ende tejet të prapambetur dhe injorantë. Ata do të modernizoheshin dhe formoheshin nga elita komuniste në pushtet. Ndaj ëndrra e popullit, e punëtorit dhe e fshatarit në komunizëm ishte të mos ishte popull, punëtor dhe fshatar, pavarësisht lavdeve që i thurte regjimi.
Kalimi nga fshati në qytet, transformimi nga punëtor në intelektual nënkuptonte zhvillim, progres, modernizim dhe mbi të gjitha status social. Sa më larg klasës punëtore dhe fshatarësisë dhe sa më afër elitës komuniste, aq më i lartë ishte statusi social në komunizëm. Logjika elitiste dhe modernizuese ishte shumë më e rëndësishme në legjitimin e regjimit komunist se doktrina e thatë marksiste që prodhonin institutet tona.
Në momentin që projekti modernizues komunist hyn në krizë në vitet 1980, pasi nuk prodhon më mirëqenie dhe zhvillim, komunizmi fillon dhe delegjitimohet. Pjesërisht edhe si pasojë e faktit se Enver Hoxha eliminon pjesën me elitare të Partisë së Punës që mund t’i bënte hije, duke e zëvendësuar atë me përfaqësues të klasës punëtore. Në një regjim politik që bazohej tek superioriteti i elitës modernizuese ndaj popullit të prapambetur, më tepër se tek marksizmi, figura të tilla si Lenka Çuko, Muho Asllani apo Pali Miska ishin problematike për mungesën e theksuar të dimensionit elitar që supozohej se përfaqësonte Partia e Punës. Ndaj nuk ish rastësi që këto personazhe e bjerrnin legjitimitetin e Partisë së Punës teksa bëheshin objekt i talljes popullore. Në fund të viteve 1980 elita komuniste nuk perceptohej më si “elitare” apo “modernizuese”, por si një udhëheqje injorante, regresive dhe antimoderne.
Ndaj rënia e ideologjisë komuniste nuk shënoi rënien e paradigmës së modernizimit dhe aq më pak të elitizmit. Përkundrazi ideja se Shqipëria duhej udhëhequr nga një elitë e ndriçuar që do ta modernizonte u forcua me rënien e komunizmit. Prapambetja dhe shkatërrimi ekonomik që prodhoi komunizmi dhe rënia e tij ishin dëshmi e qartë se Shqipëria kish nevojë ulëritëse të modernizohej. Ndërkohë degradimi elitës puniste me Ramiz Alinë në krye thjesht dëshmonte nevojën e një elite të re, më moderne dhe më evropiane se punistët e “mykur” shqiptarë.
Përballë degradimit të Partisë së Punës dhe elitës së saj puniste prodhohen dy ligjërime që reflektojnë dy nevojat akute të tejkalimit të kolapsit së regjimit komunist në vitet 1990-1992. Së pari, krijohet ligjërimi antielitist që përqendrohet tek rrëzimi dhe delegjitimimi i elitës në pushtet. Ky ligjërim përvetësohet nga PD-ja dhe kalërohet veçanërisht nga lideri i saj Sali Berisha që më mirë se kushdo e artikulonte dhe e trupëzonte denoncimin e elitës komuniste.
Së dyti, krijohet ligjërimi elitist që reflekton nevojën e krijimit të një elite të re që do të zëvendësonte elitën e vjetër komuniste. Ky ishte ligjërimi që përvetësohet nga Partia Socialiste që si karakteristikë të tranzicionit ka artikulimin dhe legjitmimin e një elite socialiste që do të udhëheqë modernizimin e Shqipërisë në tranzicion, ashtu sikurse PP-ja udhëhoqi modernizimin e Shqipërisë gjatë komunizmit. Për pasojë nëse PD-ja specializohet në denoncimin e elitave, PS-ja fokusohet në prodhimin e tyre.
Në këto kushte Partia e Punës u transformua në Partinë Socialiste e cila thjesht duhet të zëvendësonte marksizmin me ideologjinë e radhës, pa ndryshuar aspak logjikën bazë të projektit modernizues; një elitë e ndriçuar që udhëheq popullin e prapambetur. Në periudhën 1991-1997, Partia Socialiste tentoi të vishte ideologjinë social-demokrate, por pa sukses sepse kjo ideologji tashmë ish futur në një krizë të thellë edhe në Evropë. Pas vitit 1997 PS-ja përqafoi tërësisht ideologjinë dominante neoliberale që kish kritikuar kur ishte në opozitë, duke vazhduar të gjitha reformat e nisura nga qeveria Meksi, por me më “kompetencë”.
Ndonëse në pamje të parë zëvendësimi i ideologjisë marksiste me atë neoliberale duket i vështirë në fakt, sikurse e kanë vërejtur shumë autorë, neoliberalzmi dhe marksizmi kanë shumë pika të përbashkëta. Të dyja janë ideologji antishtet. Marksizmi synon eliminimin e shtetit ndërsa neoliberalizmi reduktimin e tij. Të dyja ideologjitë janë thellësisht dogmatike dhe elitiste. Ato propagandojnë ligjësi sociale apo ekonomike të hekurta që i njeh dhe i zbaton një elitë e ndriçuar. Neoliberalizmi predikon ligjet e tregut të lirë ndërsa marksizmi ligjet e materializmit dialektit apo të luftës së klasave.
Për të gjitha këto arsye zëvendësimi i marksizmit me neoliberalizmin nuk ishte tejet traumatik. Krijimi i njeriut të ri komunist (që ishte altruist) u zëvendësua me njeriun e ri neoliberal (homos ecomicus që ishte egoist). Tranzicioni socialist drejt modernitetit komunist u zëvendësua me tranzicionin postkomunist drejt modernitetit kapitalist. Në të dyja rastet një elitë e ndriçuar ishte e nevojshme për të udhëhequr procesin modernizues dhe masat e paformuara popullore.
Ndaj nuk është çudi që socialistët u transformuan në kapitalistë, liberalët dhe neoliberalët më të thekur të tranzicionit shqiptar. Lideri socialist Fatos Nano ishte më larg ligjërimit punist dhe komunist dhe më moderni ndër udhëheqësit politik të brezit të tij. Elita e re socialiste legjitimohej në pushtet si grupi më i aftë për të realizuar modernizimin e ri të vendit, tashmë drejt kapitalizmit liberal.
Në frazën legjendare të Pjetër Arbnorit, ata “nuk ishin socialista, por specialista”, preket thelbi i projektit socialist që nuk kish fare lidhje me socializmin si ideologji, por me aftësinë për t’u legjitimuar (dhe vjedhur) në pushtet si një grup politik i specializuar për të qeverisur, modernizuar dhe udhëhequr masat. Socializmi shqiptar mbetet në thelb një projekt modernizues, tashmë neoliberal, që legjitimon pushtetin e elitës socialiste.
Si në çdo projekt elitist dhe modernizues edhe këtu elita në pushtet e sheh shoqërinë, popullin dhe elektoratin nga sipër, pra shpesh me përçmim. Ky përçmim shprehet publikisht nga kryeministri Rama teksa u thotë biznesmenëve që të marrin punëtorë nga Banglandeshi sepse shqiptarët merren vetëm me llafe dhe nuk punojnë. Në ligjërimin e Ramës koncepti “popullor” nënkupton injorancë dhe prapambetje. Ndaj ai flet me përçmimin për “kalkulatriçet popullore” me të cilat mediat llogarisin humbjet e inceneratorëve. I njëjti përçmim dhe e njëjta arrogancë reflektohet edhe tek komunikimi i kryeministrit me gazetaret dhe gazetarët e thjeshtë që kontraston fort me respektin që kryeministri tregon me pronarët e tyre, edhe kur u shemb kullat.
Pa përmendur ankimin konstant të socialistëve gjatë opozitarizmit të dytë të tyre (2005-2013) se shqiptarët ishin tejet injorantë dhe ndaj votonin Sali Berishën. Ky përçmim shprehej veçanërisht qartë në zonat më të margjinalizuara të kryeqytetit, si Bathorja ku socialistët dhe intelektualët e tyre shprehin në mënyrë shpesh brutale përçmimin për popullatën e “pagdhendur” veriore që mbështeste PD-në e Berishës duke e identifikuar atë me informalitetin, krimin, rrumpallën dhe prapambetjen. A thua se kriminaliteti, rrumpalla dhe informaliteti nuk ekzistonin tek blloku.
Për këtë arsye epiteti themelor që përdorin socialistët për të cilësuar kundërshtarin e tyre politik është “shpellar”. Përballë “shpellarëve” berishistë, socialistët janë të qytetëruar, të edukuar dhe modernë. Sikurse thotë udhëheqësi Rama, “vetëm ne dimë ta bëjmë këtë vend”. “Ne” nënkupton elitën socialiste modernizuese në pushtet. Ashtu sikurse dje vetëm Partia e Punës dinte ta modernizonte Shqipërinë e prapambetur.
Ligjërimi elitist dhe modernizues me të cilin legjitimohet Partia Socialiste nuk do të thotë se brenda saj mungojnë figura të rëndësishme politike që nuk janë elitistë as në prejardhjen sociale dhe as në artikulimin politik. Karriera politike e Namik Dokles, Gramoz Ruçit dhe e Ilir Metës brenda PS-së është dëshmi e këtij fakti. Ashtu sikurse fakti që asnjëri prej këtyre kandidatëve nuk është projektuar si kryetar i PS-së dhe as ka arritur ta kontrollojë atë, tregon se Partia Socialiste i përket elitës socialiste shumë më tepër se atyre që vijnë nga populli, edhe pse këta të fundit i duhen në terren.
Dështimi i Ilir Metës për t’ia marrë PS-në Fatos Nanos në fillim të viteve 2000 është një tjetër dëshmi e dimensionit thellësisht elitist ë PS-së. Edhe pse Ilir Meta si kryeministër kontrollonte pothuajse të gjitha pushtetet dhe buxhetet dhe kish blerë një pjesë të mirë të mediave ai nuk arriti t’ia merrte PS-në Fatos Nanos që ishte me “duar në xhepa” dhe tërësisht i mënjanuar nga qeverisja socialiste. Nuk është rastësi që midis Fatos Nano, që si në prejardhje sociale edhe në formim përfaqësonte elitën e re socialiste, dhe Ilir Metës, që përfaqësonte popullin e thjeshtë socialist, fitoi Fatos Nano.
Elitizmi i Partisë Socialiste kontraston shumë me ligjërimin berishist që karakterizon Partinë Demokratike. Në gjithë ligjërimin e tranzicionit të Berishës është e vështirë të gjesh përçmim për popullin e thjeshtë, fshatarësinë, elektoratin, shoqërinë shqiptare apo për gazetarët, madje edhe kur i dhunon ata. Ndryshe nga elita socialiste që është krenare për prejardhjen e saj nga elitat e komunizmit, që shpesh legjitimon edhe karrierën e tyre politike brenda PS-së, berishizmi është krenar për prejardhjen e tij sociale jashtë elitës sociale komuniste. Berisha është thellësisht krenar për origjinën e tij modeste dhe aspak i preokupuar që nuk i përket elitës së etërve dhe të bijve. Përkundrazi, ky është aseti i tij kryesor politik që shpesh nuk kuptohet nga kundërshtarët e tij elitist.
Është një aset që Berisha e ka ruajtur dhe kultivuar me kujdes duke projektuar gjithnjë imazhin e një personi që edhe pse tejet i shkolluar nuk i përket elitës së degraduar. Shprehjet e tij thellësisht veriore, shkeljet e shpeshta të gramatikës së shqipes, të tipit “ju keni punur, luftur” etj. më shumë sesa produkt i paaftësisë së tij për të folur shqipen letrare, janë një mënyrë për t’u identifikuar me shqipen autentike të popullit dhe jo me atë të elitave.
Antikomunizmi i Berishës në fillim të viteve 1990 ishte antielitizëm më shumë sesa një ligjërim doktrinor apo një ideologji e qartë politike që kritikonte doktrinën marksiste. Urrejtja ndaj bllokut, apo bllokmenëve nuk kish të bënte me ideologjinë e tyre komuniste, por me statusin e tyre elitar. Pikërisht për këtë arsye një ish komunist i bindur si Berisha mund ta artikulonte dhe trupëzonte fare mirë urrejtjen popullore ndaj elitës komuniste, në mënyrën më puniste të mundshme, sepse nuk ishte një urrejtje ideologjike, por sociale. Në këtë ligjërim, mëkat nuk ishte përqafimi i ideologjisë komuniste, por të bëje pjesë tek elita e degraduar e bllokut, që në fakt e kish tradhtuar ideologjinë komuniste duke e dhunuar dhe mashtruar popullin.
Në këtë kontekst karizma politike e Berishës, kombinuar me prejardhjen e tij gjeografike dhe sociale, e bënin Berishën kandidatin perfekt për t’u transformuar në pishtar të antielitizmit shqiptar. Veriu ishte zona më e margjinalizuar dhe e përçmuar nga elita komuniste shqiptare dhe projekti i saj modernizues. Ndërkohë prejardhja modeste sociale e Berishës certifikonte distancën e tij nga elitat dhe hidhte poshtë çdo akuzë se suksesi i tij profesional në komunizëm ishte produkt i lidhjeve me bllokun komunist.
Nuk ishte aspak rastësi që kur u zgjodh president në vitin 1992 Berisha vendosi të mos shkonte në pallatin presidencial ku kishin jetuar elitat komuniste, por të jetonte në apartamentin tij modest në Tiranë. Me intuitën e tij të mprehtë politike ai e kuptonte se ruajtja e statusit antielitë ishte themelore për të sidomos në momentin kur bëhej President i Republikës. Akti i Berishës për të mos shkuar në pallatin presidencial pati një jehonë të madhe në elektoratin shqiptar dhe betonizoi statusin e tij antielitist.
Ky status i garantoi një fitore të qartë Berishës ndaj rivalëve të tij në PD si majtas edhe djathtas. Ligjërimi antielitist i delegjitimonte lehtë si elitat e “majta”, të tipit Pashko, Ceka apo Zogaj, edhe elitat e djathta të tipit Kalakula, apo ato nacionaliste, të tipit Baleta. Fryma antielitiste e PD-së nënkuptonte se projekti i saj politik nuk ishte zëvendësimi i elitës së majtë apo komuniste me elitën e djathtë balliste apo legaliste. Jo rastësisht i vetmi kundërshtar i vështirë në PD për Berishën ka qenë Azem Hajdari, kundër të cilit ligjërimi antielitist nuk funksiononte.
Ligjërimi antielitist i ka shërbyer Berishës jo thjesht për të delegjitimuar rivalët politikë, por për të eliminuar procesin e formimit të elitave të reja politike brenda PD-së. Ligjërimi antielitist, me theksin e tij tek denoncimi i elitës së korruptuar, vështirëson krijimin e një elite politike alternative, pasi çdo elitë është e dyshimtë. Karriera në PD historikisht ka nënkuptuar adoptimin e një ligjërimi shpesh agresiv, të ashpër, pak koherent, dhe antielitist, jo thjesht sepse duhet të përsërisësh dokrrat e shefit, por edhe sepse duhet të vërtetosh që nuk je pjesë e “elitës së korruptuar”, por e “popullit” të zemëruar.
Në këtë aspekt berishizmi ka një dimension të fortë antiintelektual. Ai e shikon me dyshim çdo politikan “elitar” jo vetëm sepse i bën hije shefit, por edhe sepse kërcet me ligjërimin antielitist të berishizmit. Ndaj karriera politike në kuadrin e ligjërimit antielitist të berishizmit nënkupton një proces sa de-elitizimi aq edhe de-intelektualizimi për t’u integruar në garnizonin pothuajse ushtarak të denoncuesve të elitave të korruptuara socialiste.
Nuk është rastësi që në tridhjetë vite tranzicion Partia Demokratike nuk ka arritur të krijojë një elitë politike të djathtë. Aq më pak mund të flitet për elita të djathta kulturore apo ekonomike, ndonëse këto të fundit rrallë kanë ngjyrim të qartë politik. Denonocimi i çdo lloj elite si brenda, dhe jashtë PD-së është pjesë e ligjërimit antielitist po aq sa produkt i interesave të ngushta të shefit.
Për ta mbyllur këtë përsiatje të gjatë mund të themi se përplasja reale mes së djathtës dhe së majtës në Shqipëri në tri dekadat e fundit mund të përmblidhet në përplasjen e ligjërimit antielitist të së djathtës me ligjërimin elitist të së majtës. Të djathtët e akuzojnë të majtën si një elitë e degraduar dhe e korruptuar, ndërkohë të majtët argumentojnë se ata janë një elitë reale dhe modernizuese që dinë të qeverisin ndryshe nga të djathtët berishist që janë “shpellarë”.
Të dyja këto ligjërime sot ndodhen në një krizë të thellë. Berisha nuk është më i aftë të denoncojë neobllokmenët socialistë nga pallati i tij luksoz në Bllok. Aq më tepër kur komunikimin direkt me popullin e varfër ia pengojnë kullat e larta të dhëndrit. Rama nga ana tjetër e ka gjithnjë e më të vështirë të bind shqiptarët se po qeverisen nga një elitë modernizuese ndërkohë që procesi i prodhimit të elitave politike në PS është bllokuar, qeveritë e tij kanë numrin rekord të ministrave anonimë, ndërsa Shqipëria si kurrë më parë po zbrazet nga truri. Vetëm ligjërimi i fortë antielitist i berishizmit arrin ta mbulojë mediokritetin e thellë të “elitës” socialiste në pushtet.
Burimi: Medius Communication Institute