0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Ja pse s’duhet ta lëmë Rusinë të luftojë ISIS

Më të lexuarat

Autor: Marc A. Thiessen

Donald Trump thotë: “Lëreni Rusinë të merret me ISIS. Ç’dreqin na intereson ne?”. Është një pyetje me vend. Çfarë dëmi mund të vijë duke e lënë presidentin rus, Vladimir Putin, të luftojë për ne në Siri?
Ka plot përgjigje.

Së pari, Rusia nuk po lufton Shtetin Islamik. Sipas Institute for the Study of War, bombardimet ruse janë kryer kryesisht në zona të kontrolluara nga grupet sunite, të cilat presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad i sheh si një kërcënim, përfshi grupet rebele të trajnuara dhe aleate të Shteteve të Bashkuara. Kjo sepse qëllimi strategjik i Rusisë nuk është që të shkatërrojë Shtetin Islamik, por të rimëkëmbë regjimin e Assad-it të mbështetur nga Irani dhe që ta detyrojë Perëndimin që ta mbështesë gjithashtu atë. Duke shkatërruar opozitën e moderuar, bota do të lihet me një zgjedhje ndërmjet Assadit dhe Shtetit Islamik. Presidenti Obama duket se nuk e kupton këtë. Javën e kaluar, ai deklaroi me naivitet se Rusia nuk do të godasë rebelët e mbështetur nga Amerika sepse ne kemi nevojë për një opozitë të moderuar për të patur një tranzicion nga regjimi i Assadit. Kjo është pikërisht arsyeja përse Putini po i godet ata.

Së dyti, ndërhyrja e Rusisë në fakt do ta përforcojë Shtetin Islamik. Duke eliminuar opozitën e moderuar, Rusia po i bashkon të gjitha grupet sunite në komandën e Shtetit Islamik dhe te filiali i al-Kaedës, Jabhat al-Nusra — duke i bërë ata të vetmin faktor për popullin që e kundërshton Assadin, pavarësisht faktit se shumica e popullit mund të mos ndajë të njëjtën ideologji radikale me terroristët. Kjo do ta radikalizojë konfliktin dhe do ta bëjë Sirinë në një magnet edhe më të fortë për xhihadistët. Kjo ndihmon Assadin, i cili ka nevojë për kërcënimin e Shtetit Islamik për të justifikuar vazhdimin e ekzistencës së regjimit të tij si një garanci kundër tyre.

Së treti, prania e re e Rusisë në Siri forcon Iranin. Nuk është një rastësi që Rusia i dërgoi forcat e saj në Siri disa javë pasi komandanti i Forcave Iraniane Quds, Qasem Soleimani, vizitoi Moskën. Irani, fytyra shiite e radikalizmit islamik, është në marshim përreth Lindjes së Mesme dhe ndërhyrja e Rusisë e rrit kërkesën e Iranit për të dominuar në rajon. Të dyja palët përfitojnë. Rusia përfiton një vendqëndrim të përhershëm në Lindjen e Mesme, me një bazë të madhe ajrore dhe një port me ujë të ngrohtë në Mesdhe, nga e cila mund të projektojë fuqinë e saj dhe të sfidojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë. Irani merr armë (si sistemi raketor i përparuar S-300 tokë-ajër për t’u mbrojtur kundër një bombardimi ushtarak ndaj programit të tij bërthamor), si dhe një koalicion të ri, për t’i bërë ballë influencës së SHBA-ve, i përbërë nga Rusia, Irani, Iraku, Siria dhe Hezbollahu Libanez. Kjo është një dramë për interesat amerikane. Sikurse ka thënë Gjenerali në pension Jack Keane për “Fox News Sunday,” “Aleanca ruso-iraniane e ndryshon lojën strategjike në Lindjen e Mesme. Do të ketë impakt në çdo vend në Lindjen e Mesme dhe ka gjasa ta zvogëlojë influencën amerikane”.

Së katërti, ndërhyrja e Rusisë jep një mesazh të rrezikshëm për dobësinë e Amerikës. Obama i shpalli luftë Shtetit Islamik dhe premtoi se do ta “shkatërronte” rrjetin terrorist. Pretendimi i ndërhyrjes ruse është se ne po e humbasim atë betejë dhe se Rusia po vjen për të shpëtuar. Qe fushata jonë anemike ushtarake (75 për qind e mjeteve fluturuese amerikane nuk hodhën ndonjë bombë) që krijoi vakuumin të cilin po e mbush Rusia tani.
Dobësia jonë në Siri mund të ketë pasoja në rajon. Qe dështimi i Obamës për të reaguar pasi Assadi e kaloi vijën e kuqe duke përdorur armë kimike që i dha zemër Putinit që ta aneksonte Krimenë.

Me më tepër provat dobësisë amerikane, Putini e testoi më tej vendosmërinë amerikane për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s në shtetet baltike ose të tjerët, ndaj të cilëve ne kemi detyrime që burojnë nga traktatet. Tani ai ka një bazë ajrore, nga e cila avionët rusë mund të mbërrijnë për pesë minuta në Turqi, një aleate e NATO-s.

Edhe kundërshtarët e tjerë të SHBA-së, si Kina dhe Koreja e Veriut, mund të marrin gjithashtu kurajë për ta testuar vendosmërinë tonë. Dobësia është provokuese.
Së pesti, fushata bombarduese e Rusisë sinjalizon se Shtetet e Bashkuara janë një aleat i pabesueshëm.

Kur Rusia i paralajmëron Shtetet e Bashkuara që “të hapen nga rruga” teksa ajo bombardon forca të cilat ne i rekrutuam dhe trajnuam në kuadër të luftës kundër Shtetit Islamik, dhe ne heshtim, të tjerët që varen nga garancia siguruese e SHBA-ve e humbasin besimin te ne. Qeveria e Irakut sapo ka nënshkruar një marrëveshje inteligjence me Iranin dhe Rusinë.

Dhe kryeministri irakian tha gjatë fund-javës se Rusia është e mirëpritur të ndërmarrë bombardime kundër Shtetit Islamik në territorin e tij. Ne vazhdojmë të jemi në bisedime me Rusinë lidhur me mospërplasjen me operacionet tona ajrore, çka është një formë bashkëpunimi ushtarak. Mbështetja apo toleromi i veprimtarive ruse forcon dhe rrit bindjen në rajon se ne jemi aleatë me Rusinë, Iranin, Assadin, Hezbollahun dhe milicët shiitë të Irakut kundër të gjithë aleatëve tanë tradicionalë.

Obama thotë se nuk duhet të shqetësohemi për asgjë prej këtyre. Putini po vepron për shkak të “dobësisë”, këmbëngul ai, dhe po e fut veten në një “labirint” që ngjan shumë me pushtimin sovjetik të Afganistanit më 1979. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, nuk është se na ngushëllon shumë. Çfarë ndodhi kur sovjetikët më në fund u tërhoqën nga Afganistani?

Me pak fjalë, ndërhyrja e Rusisë në Siri është një katastrofë gjeostrategjike për Shtetet e Bashkuara.

Ja përse dreqin na intereson.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit