3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Mediat serbe: Haradinaj i ka dhënë Jabllanoviqit 100.000 euro

Më të lexuarat

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar i ka dhënë liderit të deriparadokohshëm të Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviqit 100.000 euro, të cilat këto ditë po përpiqet t’i marrë prapa, shkruan sot gazeta “Blic”, duke iu referuar më shumë burimeve të paemëruara serbe dhe shqiptare nga Kosova.
Haradinaj, sipas gazetës, ndërkohë ka kuptuar se Jabllanoviqi paratë i ka marrë për vete dhe tani kërkon nga ai që t’ia kthejë borxhin, ndërsa paratë së pari i ka kërkuar nga përfaqësuesit e Beogradit në Kosovë, shkruan “Blic”.

Gazeta sqaron se Haradinaj 100 mijë eurot i ka dhënë për fushatën e Listës Serbe, për të siguruar se pas zgjedhjeve partia e tij dhe ajo e Jabllanoviqit bashkë do të formojnë qeverinë.

Burimet e “Blicit” thonë se Jabllanoviqi nuk i ka kthyer paratë dhe se ka hyrë në koalicion me Hashim Thaçin, nga i cili gjithashtu ka marrë para.

Haradinaj së shpejti i ka kërkuar paratë, por Jabllanoviqi i ka sqaruar se marrëveshja s’ka qenë me të por me Beogradin, kështu që e ka udhëzuar te Zyra për Kosovën, ku Haradinajt i kanë thënë se s’e kanë idenë se për çka është duke folur.

Jabllanoviqi para do kohë u ndërrua nga pozita e kryetarit të Listës Serbe dhe në vend të tij u emërua Branimir Stojanoviqi.

Jabllanoviqi për “Blic” i ka demantuar të gjitha, duke pohuar se bëhet fjalë për insinuata të cilat i plasojnë disa serbë të Kosovës.

“Njerëzit të cilët i plasojnë këto gjepura jonormale janë kriminelë më të mëdhenj se unë. Pas zgjedhjeve Lista Serbe duhej të zgjedhë mes dy opsioneve. Në të parin ishin Isa Mustafa dhe Haradinaj, ndërsa në të dytin Thaçi. Morëm rekomandim nga Qeveria e Serbisë që të bisedojmë me të parët, sepse Mustafa është politikan i matur pa të kaluar luftarake”, ka sqaruar Jabllanoviqi.

Ai ka shtuar se më pas Mustafa ka nisur negociatat me Thaçin dhe se Lista Serbe është kyçur në ato bisedime.

Jabllanoviqi ka pohuar se kontaktin e fundit me Haradinajn e ka pasur në janar 2015, se mezi që e njeh dhe se asgjë nuk i ka borxh, transmeton Tanjugu. /kp/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit