1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Paralajmërimi i Listës serbe për bojkot të votimit më 21 prill – reagimi i QUINT-it, OSBE-së dhe liderëve vendorë

Më të lexuarat

Ditë më parë Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se anëtarët e KKZ-ve prej Listës Serbe janë dorëhequr në katër komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, ndërsa edhe anëtari i Nismës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë është dorëhequr në Mitrovicë të Veriut.

Lista Serbe ditë më parë po ashtu ka thënë se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21 prill.

Pas këtyre deklaratave reagimet ishin të shumta.

Shtetet e QUINT-it, kanë kërkuar nga Lista Serbe që t’i rishqyrtojnë vendimet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me zgjedhjet e 21 prillit.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë pranojnë se, në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimet për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës.

Kjo kërkohet si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në njoftim.

“Ne e pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”, theksohet tutje.

Sipas QUINT-it, bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri.

Po ashtu, QUINT i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi.

“Ftojmë të gjitha palët e interesuara që të veprojnë në atë mënyrë që të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote në veri të Kosovës të kenë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në njoftim.

Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka kërkuar të martën prej dy subjekteve politike, Listës Serbe dhe Nismës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, që t’i zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr prej Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ).

Sipas KQZ-së, dy subjektet kanë afat deri më 11 prill, në orën 16:00, që t’i nominojnë emrat e rinj.

Hapi që të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri është marrë bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës, që i ka hapur rrugën largimit të një kryetari nga pozita që mban.

Sipas udhëzimit të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë ka ftuar serbët e veriut të marrim pjesë në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill.

Në një njoftim për media, OSBE ka kërkuar edhe nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ) t’i shmangë qasjet novatore, si përdorimi i kamerave në vendvotime.

“Prandaj, votuesit kanë të drejtë të presin që nisma e tyre t’i përgjigjet në përputhje me legjislacionin përkatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka mbikëqyrur procesin duke respektuar kuadrin ligjor dhe do të këshillohet t’i shmangë qasjet novatore, si përdorimi i kamerave në qendrat e votimit, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”.

“Pavarësisht nga deklaratat e fundit zhgënjyese politike partiake që dekurajojnë votuesit nga ushtrimi i të drejtës së tyre demokratike, do t’u mbetet votuesve në secilën komunë që të vendosin nëse do të votojnë ose jo për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në proceset dhe institucionet demokratike është thelbësore për lehtësimin e normalizimit”, thuhet në njoftim.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila theksoi se kjo thirrje e Listës Serbe për bojkot vjen me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuqiq ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të pa ligjshme ndaj serbeve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.

Osmani tha se jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë pa dallim.

E pyetur rreth akuzave të Listës Serbe se institucionet kosovare po u bënë presion komunitetit serb, Osmani ka thënë se ajo janë akuza false të cilat kanë për qëllim që të mbulojnë një presion të jashtëligjshëm që presidenti Vuçiq po e realizon nëpërmjet listës serbe në Kosovë.

Edhe Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit