1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Nëna e djalit palestinez të liruar nga burgu izraelit: Djali im u rrit në burg, larg syve të mi

Më të lexuarat

“Djali im ishte fëmijë kur shkoi në burg, nuk kishte mjekër apo diçka të tillë, djali im u rrit në burg, larg syve të mi”, tha nëna Amani al-Magribi

Amani al-Magribi, nëna e Hamza al-Magribit, një prej djemve të burgosur palestinez që u lirua në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit, tha: “Djali im ishte fëmijë kur shkoi në burg, nuk kishte mjekër, djali im u rrit në burg, larg syve të mi”.

Më në fund, mbrëmë, 30 të burgosur palestinezë, 15 prej të cilëve gra dhe 15 fëmijë, u liruan nga burgjet izraelite në këmbim të 10 të burgosurve izraelitë në Gaza.

Një nga të rinjtë palestinez që u bashkua me familjen e tij mbrëmë ishte 17-vjeçari Hamza, i cili u ndalua në Kudsin Lindor të pushtuar në shkurt dhe u burgos dhe për të cilin u kërkua dënim me 33 muaj burg.

Si me çdo të burgosur palestinez të liruar, emocioni, gëzimi dhe lotët e ribashkimit me fëmijët e tyre mbizotëronin në shtëpinë e familjes Magribi.

Hamza, i cili u ribashkua me nënën Amani, babain Raid dhe familjen e tij, shpjegoi përjetimet e tij për Anadolu.

“Djali im u rrit në burg, larg syve të mi”

Nëna palestineze Amani tha se djali i saj ishte vetëm 16-vjeç kur u burgos. “Djali im ishte fëmijë kur u burgos. Nuk kishte mjekër, djali im u rrit në burg, larg syve të mi, qaja sa herë e vizitoja”, thotë ajo.

Duke u shprehur se është e lumtur që u ribashkua me djalin e saj, Amani tha: “Ishte ndjenjë e bukur, por kur e pashë kështu, më erdhi shumë keq për të, ai nuk ishte i tillë. Shikoni flokët dhe mjekrën. Djali im nuk ishte i tillë. Shikojeni, ai është i sëmurë. Në çfarë lloj njerëzimi mund të përshtatet kjo?”.

“Të gjitha nënat ta përjetojnë të njëjtin gëzim që përjetova unë”

Ajo tha se flisnin në telefon çdo ditë kur djali i saj ishte në burg. “Më merrte në telefon çdo ditë, më thoshte se e kishte marrë malli, vizitat ishin çdo 15 ditë. Por, unë përpiqesha ta vizitoj çdo javë. Kam vetëm një Hamza, nuk kam tjetër”, tha nëna palestineze.

Amani tha se për djalin e saj është kërkuar 33 muaj burg dhe se nuk e prisnin që ai të lirohej para përfundimit të kësaj periudhe. “Faleminderit Zotit, ishte një ndjenjë shumë e mirë. Shpresoj që të gjitha burgjet të zbrazen. Të gjitha nënat ta përjetojnë të njëjtin gëzim që përjetova unë”, u shpreh ajo.

“Ne përjetuam një gëzim të ndërlikuar, të rraskapitur”

Babai palestinez Raid tha se periudha gjatë së cilës djali i tij ishte në burg ishte shumë e vështirë për ta dhe se u përpoq të qëndronte i fortë për të qetësuar gruan dhe familjen e tij.

Duke thënë se janë të lumtur që u ribashkuan me djalin e tij, Raid tha: “Ne përjetuam gëzim të madh. Ishte një gëzim i ndërlikuar. Falë Zotit, ky gëzim është i përzier me krenarinë, nderin dhe dhimbjen”.

“Prej 2 muajsh jam i sëmurë”

17-vjeçari palestinez i liruar Hamza tha se është i lumtur që ishte në shtëpi me familjen, të dashurit dhe miqtë e tij dhe se ishte një ndjenjë shumë e bukur dhe e papërshkrueshme.

Lidhur me vështirësitë që përjetoi në burgun izraelit, Hamza tha: “Nuk mund të ushqeheshim aspak mirë. Nuk kishte televizor. Ishte sikur në qeli. Nuk na lejonin të dilnim jashtë. Nuk mund të bënim dush çdo ditë, një ditë po një ditë jo. Jam i sëmurë prej 2 muajsh. Deri tani nuk e di se cila është sëmundja ime. Nuk më kanë ndihmuar as ilaçet e dhëna nga mjeku”.

Hamza thotë se ka plane për të ardhmen dhe se dëshiron të vazhdojë shkollimin dhe të bëhet arkitekt.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit