Presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti rus Vlladimir Putin u takuan në margjinat e samitit G20 në Meksikë, në bisedimet e para dypalëshe, që kur Putin u kthye për një mandat të tretë në Kremlin.
Duke folur me gazetarët pas takimit, Obama tha se dy udhëheqësit ranë dakord mbi nevojën për të arritur sukses në fushat me interes të përbashkët, “edhe pse ka fusha të mospajtimit.”
“Ne diskutuam për Sirinë dhe u pajtuam se duhet të shohim përfundimin e dhunës, se duhet të krijohet një process politik për të penguar luftën civile dhe vdekjet e tmerrshme që i kemi parë në javët e fundit, dhe u zotuam se do të punojmë me aktorët tjerë ndërkombëtarë, përfshirë të dërguarin e OKB-së, Kofi Anan, dhe palët tjera të interesuara për të gjetur një zgjidhje për këtë problem”, tha Obama.
Uashingtoni ka kërkuar ndihmën e Rusisë në zgjidhjen e krizës politike dhe humanitare në Siri, ku forcat e presidentit Bashar al-Assad thuhet se kanë vrarë rreth 14 mijë njerëz gjatë kryengritjes 15-muajshe.
Deri tani, Rusia iu ka rezistuar thirrjeve ndërkombëtare që Asad ta lë pushtetin, duke i mbetur besnike aleates së saj të fundit në Lindjen e Mesme.
“Ne kemi diskutuar çështjet ndërkombëtare, përfshirë Rusinë. Sipas pikëpamjes sime, ne kemi gjetur pika të përbashkëta për këtë çështje”, ka thënë Putin./BS/kohaislame