Lideri i Byrosë Politike i Frontit Çlirimtar Demokratik Popullor të Palestinës, Talal Abu Zarifa, tha se Hamasi nuk është pro-ekstremizmit dhe shtoi se Izraeli po shkel ligjet ndërkombëtare.
Talal Abu Zarifa, lideri i Byrosë Politike i Frontit Çlirimtar Demokratik Popullor të Palestinës, një organizatë e krahut të majtë që vepron në Palestinë, tha se qëllimi i Izraelit për etiketimin e Hamasit si “organizata terroriste DEASH” është “të legjitimojë gjenocidin që kryen duke e derdhur gjakun e popullit” në Rripin e Gazës.
Duke folur për Anadolu, Abu Zarifa theksoi se Hamasi nuk është pro-ekstremizmit. “Hamasi i cili administron Rripin e Gazës, vitet e fundit është përplasur me grupet ekstremiste dhe nuk u mundësoi të ekzistojnë në Gaza”, tha ai.
Abu Zarifa theksoi se Izraeli po shkel ligjet ndërkombëtare, duke shtuar: “Asnjë diskurs lidhur me krahasimin e rezistencës palestineze me DEASH-in dhe demonizimin e saj nuk është i saktë. Ajo që bën Hamasi është pjesë e përpjekjeve të popullit palestinez që kundërshton pushtimin izraelit, i cili konfiskon tokat, shkatërron shtëpitë dhe përdhos vendet e shenjta”.
– “Nuk duhet të përdoret etiketim i DEASH-it për të legjitimuar gjenocidin e Izraelit”
Në lidhje me përpjekjet për të krahasuar Hamasin me DEASH-in, Abu Zarifa tha se “Izraeli përpiqet t’i legjitimojë masakrat duke e krahasuar Hamasin me DEASH-in. Nuk duhet të përdoret etiketim i DEASH-it për të legjitimuar derdhjen e gjakut të palestinezëve në Gaza dhe gjenocidin e Izraelit”.
Duke folur për lidhjen e Hamasit me grupet tjera të rezistencës palestineze në Gaza, ai tha: “Ne menaxhojmë të gjitha veprimet e armatosura brenda një kuadri kombëtar përmes Dhomës së Përbashkët Operative të Grupeve Palestineze të Rezistencës, e cila përcakton formën dhe mjetet tona për të kundërshtuar pushtimin”.
“Asnjë entitet i vetëm palestinez nuk lejohet të ndërmarrë hapa që kundërshtojnë konsensusin kombëtar ose të dëmtojnë interesat e kauzës palestineze” tha mes tjerash Abu Zarifa për funksionimin e rezistencës.
– “Në shënjestër nuk është Hamasi, por populli palestinez”
“Deri më tani dhamë shumë martirë, shumë persona u plagosën. Ka familje që janë fshirë nga regjistri. Pushtuesi izraelit nuk bën dallim mes Hamasit, Fatahut ose Xhihadit Islamik me agresionin dhe masakrat e tij, në shënjestër nuk është Hamasi, por populli palestinez”, u shpreh Abu Zarifa.
Duke tërhequr vëmendjen në atë që ndodh në Gaza, ai vlerësoi: “Ajo që bëhet në Gaza është gjenocid dhe masakër masive në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
– “SHBA-ja nuk ka të drejtë t’i sigurojë mbrojtje politike dhe ligjore Izraelit”
Lidhur me mbështetjen e SHBA-së ndaj Izraelit, Abu Zarifa tha se “SHBA-ja nuk ka të drejtë t’i sigurojë mbrojtje politike dhe ligjore Izraelit, që ai t’i vazhdojë sulmet ndaj Gazës”.
Ai gjithashtu bëri thirrje që menjëherë të ndalohen sulmet dhe masakrat ndaj popullit palestinez.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, kishin bërë deklaratë që krahasojnë Hamasin me organizatën terroriste DEASH.
– Fronti Çlirimtar Demokratik Popullor i Palestinës iu bashkua “Tufanit të Aksasë”
Fronti Çlirimtar Demokratik Popullor i Palestinës i cili ka një botëkuptim marksist, u themelua nga Nayef Hawatmeh në vitin 1969 pasi u nda nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës nën lidershipin e George Habash.
Fronti luajti një rol të rëndësishëm në politikë në vitet 1970 dhe 1980 në Palestinë, ndërsa organizoi gjithashtu operacione të ndryshme ushtarake.
Ndikimi i Frontit u zvogëlua në vitet 90-ta pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Krahu ushtarak i Frontit, Brigadat e Rezistencës Kombëtare Forcat e Martirit Omar Al-Qassem gjithashtu iu bashkua operacionit “Tufani i Aksasë” në udhëheqjen e Brigadës Kassam.