3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Izraeli si përjashtim nga rregulli

Më të lexuarat

Nga Redi Shehu

Ka kohë që e vërteta është kthyer thjesht në një opsion, por ama ka pak kohë, që nga ngjarjet në Palestinë, që e vërteta nuk është më sot fare si opsion. Në këmbim, një turbullirë gënjeshtrash e lënë të vërtetën memece, pa gjuhë. Sot, përmasa e gënjeshtrës në lidhje me popullin palestinez është aq e madhe, sa precipitate të banalitetit depozitohen në mendjet e secilit duke rritur trashësinë e llumit. Sot, e vërteta palestineze është e fragmentarizuar, e selektuar, e proçesuar, ajo është e manipuluar për t’i bërë striptizë audiencës me gjithë mendjeshkurtësinë e vet. Sot, ajo i paraprin epshit mendor dhe intelektual të kastave të tëra të zhytur në konjukturat e veta, të cilët bërtasin për të mbrojtur një shtet, i cili por kryen sipas konventave ndërkombëtare, akte terroriste duke i lënë pa ujë dhe drita, ushqim dhe ilace, karburante dhe veshje, dy milionë e gjysëm njerëz, të cilët janë po ato qënie njerëzore të ngjashme si ukrainasit të cilëve kur Rusia i bombardoi centralet elektike, u quajt nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar “akt i pastër terrori”.

Sot, hipokrizia duket se është i vetmi opsion. Të jesh i ndershëm dhe të thuash të vërtetën pa bërtitur dhe ngrysur vetullat, konsiderohet gati vepër penale. Sot, kërkohet që historia të fillojë nga data 7 Tetor, sot kërkohet që të dënohet vetëm Hamasi dhe askush tjetër, sot kërkohet që të harrohen 75 vitet më të ngjeshura të terrorit, aparteidit, gjenocidit, spastrimit etnik, që historia njerëzore ka parë ndonjë herë në kaq shtrirje kohore. Sot, kastat pragmatiste, të pyesin: “A e dënoni Hamasin?”, gjoja duke mos e kuptuar se kjo është pyetja me efektet më debilizuese që ndonjë pyetje mund të ketë. Ku ka qënie njerëzore me integritet që të pajtohet me terrorin dhe gjitha pasojat tij? Vetë vënia para kësaj pyetje është fyerje intelektuale. Efektet e saj debilizuese shtohen më tej kur nuk pasohet nga pyetja tjetër: “A e dënoni terrorin izraelit ndaj popullsisë civile palestineze?” Pra sot, terrori na paska vetëm një krah, vetëm një burim, vetëm një ngjyrë, duke përjashtuar rregullin universal që çdo akt terrori i njërit krah, prodhon akte të tjera terrori të krahut tjetër. Izraeli na paraqitet si përjashtim nga rregulli, ashtu siç edhe gënjeshtra na paraqietet si përjashtim nga rregulli i jetëshkurtësisë së saj. Sot, gënjeshtra nuk i ka më këmbët e shkurtra, ajo i zgjat ato përmes një alibie të sofistikuar mbi të drejtën për të ekzistuar e vetme në kurriz të ekzistencës së palës tjetër. Sot, pyetja “Përse?” është harruar krejtësisht, është përjashtuar nga rregulli i kërkimit të së vërtetës.

Izraeli sot është një përjashtim nga rregulli, për të ka interpretime të veçanta ndërkombëtare, për të ka ndihma të veçanta perëndimore, për të ka favorizime speciale logjistike, për të ka leje të posaçme për të vrarë e maskruar. Sot, rregulli ndërkombëtar nuk vlen për Izraelin, sepse ai mund të bëjë çdo gjë. Bile sot po thuhet se edhe Palestina është një përjashtim nga rregulli i historisë, se popullsia semite palestineze nuk ka qene atje prej shekujsh, se hebrenjtë gëzojnë të drejtën e tokës së premtuar, dhe për këtë ata kanë liçensë të vrasin këdo edhe kananitët e babilonasit po të ishin gjallë, edhe të krishterët e myslimanët që janë gjallë. Të parët i vrasin duke i eleminuar historinë, të dytët i vrasin duke i eleminuar fizikisht. Pra, mjafton të kesh jetuar në ato toka vetëm 250-300 vjet në 5000 vite histori dhe të kesh liçensë të bësh gjithçka. Po, sepse sot Izraeli është zionist dhe ata janë një përjashtim nga rregulli, ndërsa hebrenjtë besimtarë që i kundërvihen zionizmit, ata sigurisht që me logjikën e debilizimit, duhet të jenë me Hamasin.

Po hakmerremi nga sulmi i 7 Tetorit thonë, por nuk të thonë se pse në Bregun Perëndimor, që nuk ka Hamas, aparteidi, gjenocidi, zhvatja e pronës, vrasja e burgoja e civilëve, kolonizimi i tokave që me rezolutën 242 te Kombeve të Bashkuara nuk i përkasin atyre, vazhdon prej 56 vitesh që nga vitit 1967. Ku është e drejta për t’u vetmbrojtur, ku është e drejta për ekzistencë e palestinezëve? Për pyetje të tilla nuk ka përgjigje sepse ata nuk janë një përjashtim nga rregulli. Izraeli u bën thirrje 2.5 milione banorëve të Gazës të largohen nga vendbanimt e tyre brënda 24 orëve, ndryshe do konsiderohen si terroristë. Kjo për komunitetin ndërkombëtar dhe për United Nations of Nothing, nuk shihet si pastrim etnik se Izraelli është një përjashtim nga rregulli. Kur Izraeli u bën thirrje jo pak por 22 spitaleve të evakuohen se do t’i bombardoje, ndërkohë që Al Ahlin e bëri shoshë në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, askush nuk flet nga kanceleritë e pispillosura të Perëndimit sepse Izraeli është një përjashtim nga rregulli. Kur Izraeli pasi u tregon rrugën se ku duhet të evakuojnë banorët e Gazes, i bombardon ekzaktësisht në atë rrugë që ata po ndiqnin, duke vrarë 70 familjarë, kur numri i fëmijëve të vrarë po kalon 1500 të tillë, kur bombardon kishat e krishtera duke vrarë dhjetra veta përnjëherësh, ky quhet efekt anësor se Izraeli është një përjashtim nga rregulli.

Hamasi është pasqyrim i ndërgjegjes, strategjisë dhe masakrave të zionistëve në vite. Është paralelja e organizatave terroriste si Irgun, Hagganah, Lev, Sternvgang që në vitet 1941 deri në 1948 kanë kryer me qindra akte terroriste të udhëhequra nga Itzhak Shamir, Ariel Sharon, ndërsa Menahem Begin dhe Ben Gurion (themeluesi i shtetit të Izrelit) jane shpallur terroristë para se Izraeli të ishte një përjashtim nga rregulli. Dënimin e Hamasit së pari duhet ta kërkojmë tek ndërgjegja dhe aktet terroriste të këtyre grupeve zioniste që bënë spastrimet më të mëdha etnike në Palestinë dhe që maskaruan adminstratën britanike të asaj kohe, po sigurisht, këto sot nuk kanë vlerë se historia fillon me datën 7 Tetor.

Këto ditë të vështira e vërteta mediatikisht dhe politikisht nuk është fare si opsion, ajo qëndron e fshehur në ndërgjegjet e qindra miliona njerëzve kudo në botë të cilët me kurajo denoncojnë, protestojnë dhe nuk pranojnë kurrë që ajo të trajtohet si gënjeshtër. E vërteta palestineze është testi moral dhe intelektual i çdo banori në këtë rruzull për të mos pranuar të papranueshmen. Ajo qëndron në ato fëmijë të masakruar dhe në ato të tjerë të cilët shkruajnë emrat në duart e tyre për t’u identifikuar ndërkohë që presin të masakrohen. Ajo qëndron në ato burra e gra të cilët nuk largohen nga toka e tyre për t’u bërë dëshmitarë të gjallë apo të vdekur, se e vërteta nuk mund të zhduket kurrë dhe se ajo është vetë rregulli që përjashton çdo mashtrim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit