Në fshatin Tafeghaghte, ku konfirmohet se kanë vdekur 90 persona – rreth gjysma e fshatit – dhe shumë të tjerë janë të zhdukur, përveç ekipeve të shpëtimit, janë angazhuar edhe qentë e kërkimit.
Dhe në videon më poshtë, reporteri i BBC, po flet jo me zë të lartë sepse shpëtimtarët po dëgjojnë me vëmendje për ndonjë shenjë jete në rrënojat, përcjell Telegrafi.
Por sipas mediumit në fjalë, shpresa për të gjetur më shumë të mbijetuar po zbehet, duke pasur parasysh shembjen katastrofike të ndërtesave që nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë një tërmeti të tillë.
Pamjet vijnë nga vendi i cili u godit nga një tërmet shkatërrues të premten, që thuhet se ishte më i fuqishmi në atë rajon në 100 vitet e fundit.
Morocco: Inside village with 90 people dead after quake https://t.co/tZe1YfJhGe
— BBC News (World) (@BBCWorld) September 10, 2023
Derisa numri i të vdekurve është duke u rritur, raportet më të fundit flasin për 2 mijë të vdekur dhe me mijëra tjerë të lënduar.
Epiqendra e tërmetit ishte në male, 71 kilometra në jugperëndim të Marakeshit, në një thellësi prej 18 kilometrash.
Ndërkohë presidenti Joe Biden ka thënë se SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë Marokun dhe “mikun” e tij Mbretin Mohammed VI nëse është e nevojshme.
Duke folur gjatë një vizite në Vietnam, Biden hapi fjalën e tij duke shprehur trishtimin për “humbjen e jetës dhe shkatërrimin e shkaktuar nga tërmeti”.
Ai shtoi se zyrtarët amerikanë po punojnë “me shpejtësi” me homologët e tyre marokenë.
/Telegrafi/