Transmetohet nga Ibën Omeri radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, çdo mëngjes dhe mbrëmje e thoshte këtë lutje:
“Zoti im! Kërkoj prej Teje shëndet në dynja dhe në ahiret. Zoti im! Kërkoj prej Teje falje dhe shëndet në fenë time, në gjërat e mia të dynjasë, për fëmijët e mi dhe për pasurinë time. Zoti im! Mbuloi vendet e mia të turpshme, më bën të sigurt në situatat e vështira, më ruaj nga përpara dhe nga mbrapa, në të djathtë dhe në të majtë dhe mbi mua dhe kërkoj mbrojtjen Tënde me madhështinë Tënde që të mos fundosem nga poshtë. (Ahmedi e të tjerë. Hadithi është sahih.)
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿لَهُۥ مُعَقِّبَٰتٌ مِّنۢ بَيۡنِ يَدَيۡهِ وَمِنۡ خَلۡفِهِۦ يَحۡفَظُونَهُۥ مِنۡ أَمۡرِ ٱللَّهِ ۗ﴾ (١١)
“Njeriu ka përcjellës (engjëj) para tij dhe pas tij, që me urdhërin e Allahut e ruajnë atë. …” (Rad, 11).
Ibën Abasi radijAllahu anhu ka thënë: “Ata janë engjëjt të cilët me urdhrin e Allahut e ruajnë njeriun. Kur të vijë caktimi (kaderi) mbi të, atëherë ata largohen prej tij.”
Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Me secilin njeri janë dy melekë të cilët e ruajnë prej asaj që nuk e ka të caktuar dhe kur të vijë caktimi (kaderi), ata ia lënë kaderit. Ndërsa afati i caktuar (exheli) është mburojë e fortë.”
Muxhahidi ka thënë: “Nuk ka rob që nuk ka melek që e ruan atë derisa është në gjumë dhe zgjuar prej xhinëve, njerëzve dhe kafshëve. Çkado që i vjen, i thotë: “Largohu prej këtu!” Përveç asaj që ia lejon t’i ndodhë.”
Shejkh Sa’adi në tefsirin e këtij ajeti ka thënë: “Çdo njeriu i janë përcaktuar melekë shoqërues, që ndërrohen me njëri-tjetrin gjatë natës dhe ditës. Ata qëndrojnë para dhe pas njeriut, duke e ruajtur atë, me urdhërin e Allahut. Melekët e ruajnë trupin dhe shpirtin e njeriut nga çdokush që i dëshiron të keqen. Ata, gjithashtu, shkruajnë edhe veprat e Tij. Kështu, njeriu nuk duhet të harrojë se, përveç faktit që Allahu i Lartësuar di gjithçka për gjendjen, nevojat dhe veprat e tij, Ai ka caktuar edhe melekë si shoqërues të njeriut, të cilët mbikëqyrin çdo gjendje dhe aktivitet të tij. Njeriu duhet të jetë i bindur se asnjë veprim, fjalë apo gjendje e tij nuk humbet dhe harrohet.”
/Mesofenetende