-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Logjika historike dhe përmasa tejhistorike e Muhammedit (a.s.) dhe islamit

Më të lexuarat

Ngjarjet që ndodhën në skenën e madhe të historisë, në periudhën ndërmjet viteve 571- 632 dhe veçmas ndërmjet viteve 611-632, më shumë u zhvilluan në bazë të një rrjedhe që erdhi si rezultat i parashikimit hyjnor, i cili e relativizon konceptin tradicional të intrerpretimit sipërfaqësor të ngjarjeve historike, sipas të ashtuquajturës “logjikë historike”.

Zhvillimet dramatike të asaj periudhe historike, veçmas luftërat e gjata dhe rraskapitëse ndërmjet Persisë dhe Bizantit, si dhe konstituimi e fuqizimi i rrufeshëm i shtetit Islam, nën udhëheqjen e Muhamedit, a.s., kur shikohen në përmasat e tyre dhe në dritën e efekteve që prodhuan për fatet e popujve dhe të njerëzimit në përgjithësi, na e bëjnë të qartë se është fjala për zhvillime të programuara nga Krijuesi i Botërave, e jo nga spontaniteti, ose nga gjeopolitikat e kohës. Spontaniteti nuk mund të ishte as element përcjellës i atyre ngjarjeve dhe zhvillimeve, sepse ato ishin përplasje ndërmjet dy perandorive të mëdha të asaj kohe, sipas planifikimit dhe vullneti hyjnor. Nga ana tjetër, asfarë gjeopolitike nuk arrin të shpjegojë kompleksitetin e atyre ngjarjeve dhe efektet direkte dhe afatgjata, që prodhuan për fatet e njerëzimit nëpër shekuj e deri në ditët tona.

Defektet e logjikës historike

Në sipërfaqen e historisë, sipas një interpretimi a posteriori, ballafaqimi duket i logjikshëm: pushtimi nga ana e Persisë i territoreve që sundoheshin nga Bizanti, kishte motiv zgjerimin e perandorisë perse dhe përhapjen e qytetërimit të saj në hapësirat e mëdha të gadishullit arabik dhe të Palestinës. Sfida perse i adresohej pa dyshim edhe Jerusalemit, si simbol i krishtërimit. Ndërsa, lufta mbrojtëse e Bizantit,në rastin e parë dhe lufta sulmuese në rastin e dytë, ishte e planifikuar brenda legjitimitetit perandorak dhe mbrojtjes së vlerave të qytetërimit krishterë.

Por, intrepretimi dhe vlerësimi sipërfaqësor i atyre ngjarjeve të mëdha, bëhet në bazë të fakteve dhe të materialeve të njohura pjesërisht, ashtu që ato të radhiten sipas një “logjike” të parapëlqyer nga shkruesit e historisë. Ky nuk është rasti i parë dhe as i vetëm që e ashtuquajtura logjikë historike konstrukton vlerësimin e saj.

Është e sigurt se në rast se do të ndodhnin ngjarjet ndryshe, fjala vjen në rast se fitorja e Persisë do të ishte përfundimtare, dhe Perandoria e Bizantit do të dekompozohej, logjika historike do të konstruktonte një rend tjetër të interpretimit dhe të vlerësimit të tyre, duke i afirmuar disa faktorë që do të llogariteshin si përcaktues të zhvillimit të ngjarjeve dhe të epilogut të tyre. Do të mund të theksohej trimëria e mbretit pers dhe e ushtrisë së tij, fuqia ekonomike, thyerja psikologjike e të krishterëve pas humbjes së Jerusalemit, sulmet avare e sllave në pjesën perëndimore të Bizantit, dobësia e brendshme e Perëndorisë për shkak të konflikteve fetare. Pra, do të radhiteshin në mënyrë arbitrare dhe spekulative faktorët që do të arsyetonin fitoren perse ndaj Bizantit.

Në fund të fundit, kjo është njerëzore, sepse kufizimet e njeriut në parashikimin e ngjarjeve, dhe në gjetjen e shkaqeve të vërteta të ndodhjes së tyre, janë evidente. Praktikisht për asnjë ngjarje që ka ndodhur dhe që ka ndikuar në fatet e popujve dhe të njerëzimit, studimet nuk mund të krijojnë një tablo të plotë, pavarësisht materialeve që kanë në dispozicion. Asnjë historian dhe asnjë histori nuk mund të jep përgjigje përse vdiq Alekandri i madh në kulmin e famës së tij dhe në moshë të re, në mes të ekspeditave të tij spektakulare, dhe si do të dukej historia e njerëzimit në rast se kjo nuk do të ndodhte. Pra, jo vetëm që nuk arrin të zbulojë shkakun e vërtetë të ngjarjes, në këtë rast të vdekjes së Aleksandrit të Madh, por aq më pak pasojat që janë shkaktuar në rrjedhimet dhe fatet e popujve e të vendeve. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për vrasjen e Gjon Kenedit, në kohën e re. Cili ka qenë shkaku i ndërprerjes së jetës së këtij presidenti dinamik dhe cilat kanë qenë pasojat për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilat kanë qenë rrjedhimet në konfrontimin bipolar të Luftës së Ftoftë, është një çështje që ansjëherë nuk mund të merr përgjigje të plotë.

Nëse duam ta zgjerojmë tezën edhe më shumë, mund të kujtojmë se asfarë logjike historike nuk arrinë të vlerësojë realisht shkakun përse janë zhdukur sa e sa popuj nga faqja e dheut, disa prej të cilëve janë zhdukur bash në kulmin e fuqisë së tyre. Mjafton të kujtojmë këtu Adin, Themudin, Pompein dhe Inkët.

Përfundimisht, duhet të thuhet se mplekjsa dhe rrjedhat e ngjarjeve historike, si edhe të atyre të secilit individ, mbartin në vete një faktor vendimtar, që në fakt është vullneti i Krijuesit. Historia e njerëzimit, që nga vendosja e njeriut të parë në Tokë, Ademit, a.s., zhvillohet brenda ligjësive natyrore dhe sociale, të cilat i ka vendosur vetë Krijuesi dhe sipas sprovave që bën njeriu, në pajtim me mundësitë e zgjedhjes ndërmjet të mirës dhe të keqes, ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, e që i janë lënë në dispozicion. Logjika historike nuk arrin ta depërtojë perden e misterit të shkaqeve dhe të pasojave që shkaktohen nga ngjarje dhe nga zhvillime konkrete, sepse Krijuesi i Botërave ka krijuar ligje që janë mbi parashikimet me hamendje, dhe mbi ambiciet e paekuilibruara me vetë urdhërin Hyjnor. Zoti ka shpallur qartë:

“ E sikur të përputhej e vërteta me ambiciet e tyre, do të shkatërroheshin qiejt dhe toka dhe çdo gjë që gjendet në to” ( Mu’minun:71)

Rrjedhimisht, e vërteta buron nga ligjet që zotërojnë në gjithësi dhe në shoqëri, dhe ajo e vërtetë është e fshehtë për mendjen njerëzore, derisa të ndodh e të njihet si e tillë dhe ajo nuk i përshtatet ambicieve të njerëzve që do ta shpërdoronin deri në shkatërrim të jetës e të gjithësisë.

Por, Krijuesi ka dërguar shpallje të vazhdueshme për njerëzit, në mënyrë që ata të orientohen në kohë e në hapësirë dhe të gjejnë përgjigjet e duhura për problemte e ekzistencës së shoqërive të tyre. Ka raste kur e ka shpallur edhe epilogun e ndonjë ngjarjeve në Librin e Shenjtë, si argument dhe si mësim për njerëzit, që kanë arsye.

Parashikimi i sures Er Rrum

Një parashikim i tillë i ngjarjeve që do të ndodhnin pas disa viteve, e që bie në periudhën e pejgamberisë së Muhamedit, a.s., gjendet në suren Er Rrum. Ajetet fillestare të kësaj sureje, vërtet janë çelës për të interpretuar varganin e jashtëzakonshëm të ngjarjeve që ndodhën në atë periudhë, po edhe historinë njerëzore në përgjithësi:

1. Elif – Lam – Mim.

2. Bizantinët (rumët) u mundën

3. Në tokën afër(tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhnjejnë,

4. Brenda pak viteve.Çështja është vendim i Allahut, fillim e mbarim (për disfatë e për fitore). E atë ditë (kur do të ngadhnjejnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen.

5.për ndihmën e Allahut. Ai ndihmon atë që do dhe ai është i gjithfuqishëm, mëshirues.

6.Premtim i Allahut është (Ky), Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk po e dinë. (Er Rrum:2,3,4,5,6)

Humbja e Bizantit në luftë me Persinë ndodhi në vitet 612-614, në territoret e Palestinës dhe të Arabisë. Persët arritën që të pushtonin Armeninë e Sirinë më 612, Jerusalemin më 614 dhe Aleksandrinë më 618. Me rastin e pushtimit të Jerusalemit, arritën të merrnin edhe”Kryqin e Shenjtë”, që ishte simbol i krishterimit. Kjo ishte një goditje e rëndë për Bizantin dhe për të krishterët, ngase persianët e asaj kohe ishin paganë. Sipas disa dëshmive*, vetëm në rrugët e Jerusalemit të pushtuar prej persëve, mbetën të vrarë rreth 60. 000 të krishterë.(1) Në kohën kur ndodhën këto pushtime perse ndaj zotërimeve të Bizantit, ishte viti i dytë dhe i tretë i fillimit të shpalljes së hapët të Kur’anit hyjnor nga ana e Muhamedit a.s.

Dhe derisa ende po vajtohej humbja e rëndë e bizantinëve të krishterë, u shpallën ajetet e sures Er Rrum, që u citua më lart dhe që me siguri të plotë parashikonin fitoren e bizantinëve.

Shpallja parashikonte se “ata do të ngadhnjejnë brenda pak viteve”, dhe se fitorja e tyre do të ishte një gëzim për besimtarët. Dhe e vërteta doli në shesh brenda pak viteve. Në vitet 622-628 perandori bizantin Herakliu, me anë luftimesh rraskapitëse, i dëboi persët nga tokat e pushtuara. Madje ai arriti që në vitin 627 të pushtonte edhe territorin pers, e të shkaktoi një revoltë të brendshme, e cila rezultoi me rrëzimin e mbretit nga froni dhe me kthimin e “Kryqit të Shenjtë”në Jerusalem në vitin 630. Kësisoj, parashikimi i shpalljes kur’anore u realizua plotësisht.

Në këtë rast “logjika historike”, lidhur me fitoren e bizantinëve mund të kontstruktojë lloj lloj arsyetimesh, por ato nuk i qëndrojnë faktit se ajo fitore u shpall në Kur’an disa vite para se të ndodhte. Pra, ajo ishte një fitore e paralajmëruar, e shpallur në mënyrë të qartë dhe aksiomatike.

Motivi i perandorit të Bizantit, Herakliut, që të koncentrohej ashtu si u koncentrua me të gjitha energjitë e shtetit të vet në luftën kundër Persisë, në fakt ka të bëjë me atë fitore të paralajmëruar bizantine, që do të ndodhte domosdoshmërisht. Për ta fuqizuar motivin e luftës mund të shërbentin një varg elementesjh si puna e “Kryqit të Shenjtë” që ishte plaçkitur nga Jerusalemi, ose dëshira për hakmarrje ndaj mizorive që kishin kryer persët ndaj të krishterëve në Jerusalem dhe gjithandej tokave të pushtuara të perandorië së Bizantit. Mund të ketë edhe një varg motivesh që kanë mbetur të fshehura përgjithmonë në kokën e perandorit dhe të këshilltarëve të tij eventualë. Por, ajo që dihet është se perandori kishte si prioritet të jetës së tij rikthimin e pushtetit të vet në ato territore.

Ndërsa, kur të analizohen në kompleksitetin e tyre ngjarjet e atyre viteve dhe rreziqet reale për fatet e Bizantit, shihet se lufta kundër Persisë mund të mos ishte prioritet. Atje perandoria e Bizantit kishte humbur territore dhe madje edhe simbolin e krishterimit, por në pjesën perëndimore të saj, rreziku për Bizantin ishte edhe më i madh. Ekspeditat pushtuese avare e slave në ato vite po e shkatërronin pjesën perëndimore të Perëndorisë së Bizantit dhe po e rrezikonin edhe vetë Kostandinopojën. Megjithë ndonjë përpjekje të flashkët për zbrapsjen e këtyre sulmeve, Herakliu u tregua pothuajse tolerant ndaj invadimeve avare e slave në territoret perëndimore të Bizantit. Ai u koncentrua në luftën kundër Persisë, në një luftë të gjatë e rraskapitëse, në një luftë e cila e dërrmoi jo vetëm humbësin, po edhe fitimtarin, duke i hapur ashtu udhën daljes në skenën e madhe të historisë të shtetit Islam të themeluar nga Muhamedi, a.s.

Një digresion i vogël për argumentim sa më të plotë

Përveç saktësisë së realizimit të parashikimit lidhur me fitoren e bizantinëve mbi persët, këto ajete kanë edhe disa aksioma që vlejnë për mbarë historinë njerëzore, e që ia vlen të afirmohen këtu, duke bërë një digresion të vogël.

Në ajetin 4 pamë se thuhet:

Çështja është vendim i Allahut, fillim e mbarim (për disfatë e për fitore).

Kjo do të thotë se vargani i ngjarjeve në skenën historike dhe të fateve të protagonistëve të tyre dhe të njerëzve në përgjithësi, ndodh sipas vullnetit të Krijuesit të Botërave, fillim e mbarim. Pra, nuk ka rastësi e stihi në jetën dhe në historinë njerëzore. Në fakt, logjika historike i nënshtrohet vullnetit të Krijuesit, vullnet që mbetet i paarritshëm për mendjen njerëzore, dhe shpallet vetëm kur do Vetë Krijuesi. Vetëm brenda kuptimit të kësaj aksiome, që na është shpallur me këtë ajet kur’anor, mund të kuptohet drejt edhe krijimi, ngritja dhe rrënimi i perandorive të mëdha, të cilat shpesh herë bash në kohën kur e arrijnë një epërsi të jashtëzakonshme ekonomike, ushtarake dhe politike ndaj rivalëve, fillojnë e rrënohen dhe për një kohë shpërbëhen si të kishin qenë kështjella prej rëre. Mund të sillen shumë shembuj, po ne po mjaftohemi vetëm të sjellim në kujtesë të lexuesit emrat e Mesopotamisë, të Egjiptit, të Trojës, të Mikenës, të Spartës, të Kartagjenisë, të Ilirisë, të Romës, të Bizantit, të Persisë, që të jetë e qartë se nëpër shekuj e mijëvjeçarë, ka ndodhur një proces i pandalëshëm i ngritjeve dhe i rënieve të perandorive e të shteteve, e që jo rrallë rënia e tyre nuk mund të shpjegohet me interpretimin sipërfaqësor të fakteve parciale nga e ashtuquajtura “logjikë historike”.

Fragmenti i ajetit 5, që thotë : “Ai ndihmon atë që do”, është plotësisht në koherencë me ajetin pararendës, dhe në fakt e argumenton shkakun e rënies e të ngritjes së perandorive dhe të ndodhive jetësore e historike.

Ndërsa, në ajetin 6 thuhet se “Allahu nuk e thyen premtimin e Vet”, që i referohet fitores së parashikuar të bizantinëve, po edhe mbarë jetës në përgjithësi, duke konstatuar se edhe pse ka argumente të plota, shumica e njerëzve mbeten injorantë dhe nuk arrijnë ta kuptojnë këtë të vërtetë.

Përgatitja e fitores së Islamit

Lufta e gjatë ndërmjet Persisë dhe Bizantit në vitet 612-630, bie në kohën kur Muhamedi a.s. po e pranonte shpalljen e Krijuesit dhe po e përhapte Islamin. Shpallja publike e Islamit filloi në vitin 613, deri sa vazhdonte lufta e ashpër ndërmjet dy perandorive të mëdha, Persisë e Bizantit. Në vitin 614 persët pushtuan Jerusalemin, ndërsa bashkësia e vogël muslimane në Mekë, përballej me presionin kurejshit, për çka në vitin pasues një pjesë e tyre emigruan në Abisini. Në vitin 622, Bizanti e rifilloi ofensivën për të rikthyer territoret e pushtuara nga persët, ndërsa Muhamedi, a.s. po atë vit emigroi nga Meka në Medine, dhe atje e filloi projektin e madh të krijimit të bashkësisë islame. Deri sa dy perandoritë po luftonin për vdekje në vitet 624- 628, bashkësia islame dhe shteti islam u forcua edhe me fitoren e luftës së Bedrit, (624), Betejës së Uhudit (625) dhe Luftës së Hendekut (626).

Bash në vitin kur perandori pers ra nga froni, ndërsa Herakliu kremtonte fitoren e shtetit të dërrmuar, shteti musliman i udhëhequr nga Muhamedi, a.s. ishte shndërruar në një faktor të pashmangshëm të realitetit politik të kohës në atë rajon, gjë që konfirmohet nga letrat, që ai u dërgoi në atë vit perandorit të Persisë, perandorit të Bizantit, si dhe mbretit të Abisinisë dhe të Egjiptit.

Rrjedhimet e tilla të ngjarjeve janë argumenti i qartë se luftërat perso-bizantine ose bizantino-perse, e përgatitën terrenin për fitoren e Islamit në ato hapësira të mëdha.

Fillimisht, fitorja e persëve mbi bizantinët, i liroi fiset arabe nga kontrolli i Bizantit, ndërsa fitorja e mëvonshme e Bizantit mbi Persinë, i shkallmoi të dy perandoritë deri në masën sa ato u bënë të pushtueshme nga shteti i ri Islam që lindi.

Por, ajo që është simbolike, ka të bëjë me faktin se lufta e parë, (612-618) kur persët fituan, ishte nga fillimi i shpalljes së pejgamberisë, ndërsa revanshi bizantin (622-628) po ndodhte në kohën kur Muhamedi a.s. e kishte stabilizuar shtetin e ri islam.

Shikuar nga pikëpamja e interesit të fiseve arabe dhe të vetë bashkësisë së re muslimane, lufta perso-bizantine dhe bizantino-perse, i dha mundësi edhe Muhamedit a.s. që të veprojë në një ambient më të lirë nga aspekti i presioneve të jashtme. Kësisoj, ai kishte barrën e pengesave të brendshme, pra të komunitetit të vet, por ishte më i lirë sa u takon pengesave të dy perandorive të mëdha, të cilat luftonin për vdekje njëra kundër tjetërës.

Vërtet, sipas “logjikës historike”, nuk mund të interpretohet kjo situatë e lehtësimit të pejgamberisë dhe shpalljes islame nga një luftë e përgjakshme që bëhej ndërmjet të krishterëve bizantinë dhe zjarrputistëve persianë. Ishte një shkak suprem, që i kishte shkaktuar në atë formë e në atë përmbajtje ato zhvillime, që ishin lehtësim për përhapjen e Islamit dhe për forcimin e muslimanëve.

Ndryshe nuk ka si të shpjegohet që muslimanët, nga një enklavë e vogël në Medinë, arritën të forcohen e të mposhtin të dy perandoritë e mëdha, Persinë dhe Bizantin. Me një sërë luftërash ku u shqua guximi islam, i paparë deri atëherë në histori, muslimanët morën nga sundimi i Bizantit Sirinë më 636, Jerusalemin më 638, ndërsa Egjiptin gjatë viteve 640-650. Poashtu muslimanët, të udhëhequr nga Umeri r. a., mposhtën Persinë në vitin 642.

Uragani musliman kësisoj arriti që të mposhtë dy perandoritë më të mëdha të botës së atëhershme. (Perandoria Romake e Perëndimit kishte pushuar së ekzistuari në vitin 476).

Po të mbetej interpetimi i këtyre ndodhive të mëdha, duke përfshirë këtu edhe rënien e e Perandorisë Romake të Perëndimit, vetëm brenda interpretimit sipërfaqësor të së ashtuqajturës “logjikë historike” do të ishte e pakuptueshme si ka qenë e mundshme që fiset arabe të mposhtin dy perandori në të njëjtën periudhë historike. Por, këtë e shpjegon qartë dhe plotësisht shpallja e Zotit në ajetet që janë cituar më herët.

Luftërat e përgjakshme të doktrinave krishtere

Nga shkaqet konkrete që kanë krijuar një ambient të përshtatshëm për fitoret spektakulare të muslimanëve kundër zorërimeve të Bizantit, ka qenë çështja e doktrinës së krishterë, e cila të krishterët i ka konfrontuar ndërmjet tyre, deri në gjakderdhje të tmerrshme, sikundër ka ndodhur në viset lindore të sundimit të Bizantit, në Siri, në Egjipt dhe në Palestinë. Arianizmi si doktrinë që mohonte karakterin unik të Jezu Krishtit me të Zotit, (Krishtin e trajtonte si profet dhe jo si Zot), lindi nga një prift i Aleksandrisë dhe u përhap në territoret lindore te Perandorisë së Bizantit. Kjo doktrinë u shpall si herezi në Koncilin e Nikesë në vitin 325, edhe me pëlqimin e perandorit Kostandini i Madh. Doktrina zyrtare që u miratua në Koncilin e Nikesë, krijoi bazat për përndjekjen e ithtarëve të arianizmit si heretikë dhe për dhe luftërat e tmerrshme që u zhvilluan me shekuj në ato territore.

Mësimi i ngulitur i arianizmit se Jezu Krishti nuk kishte natyrë hyjnore po ishte vetëm profet, u shndërrua në terren të përshtatshëm për pranimin e Islamit, i cili shpallte poashtu natyrën njerëzore të Isait, a.s. dhe të të gjithë profetëve, duke përfshirë edhe vetë Muhamedin a.s. Islami për këta popuj erdhi si një lehtësim nga luftërat e dogmave kishtare dhe në fakt ishte një çlirim nga pushtimi dhe persekutimi i Bizantit që praktikonte doktrinën monofiziste.

Herakliu ndërmjet incestit dhe fobisë së lemerishme

Fati i protagonistëve kryesorë të skenës historike të periudhës ndërmjet viteve 611-634 e pak më tej, është poashtu një çelës për të kuptuar shumë nga misteret me të cilat Krijuesi ka dashur të na e paraqet historinë njerëzore. Këta protagonistë janë Herakliu, dhe Muhamdi a.s.

Herakliu ishte perandor i Bizantit në vitet 610-641, pra një vit para se të shpallej pejgamberia e Muhamedit a.s. dhe shtatë vjet pas kalimit të Muhamedit a.s. në Ahiret.

Herakliu si perandor njohu rënie dhe ngritje të sundimit të tij: pushtimet e zotërimeve të tij lindore nga persët, dhe luftërat e gjata për kthimin e atyre territoreve nën sundimin e vet.

Pati sukses të shpëtonte Kostandinopojën nga sulmet avare e sllave, mirëpo në luftërat e egra me ta në pjesët perëndimore të Perandorisë, nuk arriti të pengonte vërshimin e tyre në Gadishullin Ilirik. Sidoqoftë, fitorja e tij kundër Perssë ishte vërtet e madhe.

Megjithatë, nga fundi i sundimit të tij, ai ishte dëshmitar i topitur i humbjes së po atyre territoreve lindore të Perandorisë, për të cilat kishte luftuar me shumë energji dhe trimëri, dhe kalimin e tyre spektakular nën sundimin e muslimanëve.

Në vitin 636 humbi Sirinë, në vitin 638 Jerusalemin dhe në vitin 640, një vit para vdekjes, muslimanët filluan operacionet e marrjes së Egjiptit..Në këto ngjarje, Herakliu më nuk e kishte vendosmërinë e dikurshme, të treguar në luftërat me persët për Jerusalemin.

Indikative është veçanërisht jeta personale dhe familjare e Herakliut për të kuptuar fatin tragjik të tij dhe të Perandorisë që sundonte, jashtë klisheve të “logjikës historike”. Herakliu pati një martesë incestioze (u martua me të bijën e motrës së vet), dhe pati dy djem të gjymtë. Nga fundi i jetës iu shfaq një fobi e tmerrshme nga uji, aq sa nuk guxonte as ta shikonte ujin.

Madje bëri përpjekje edhe të arratisej nga froni, po u pengua nga patriarku Sergius. Me një fjalë, jeta e tij familjare ishte e zymtë dhe tragjike, sikundër edhe fundi i jetës së tij që ishte me fobira dhe çrregullime psikike.

Edhe pse perandorët bizantinë veten praktikisht e llogaritnin si zotëra në Tokë, edhe mbi patriarkun dhe mbi Kishën, dobësia e brendshme i shkërmoqte dhe i bënte të mjerë e tragjikë, ashtu sikundër ndodhi edhe me Herakliun, i cili nga një fitimtar i madh, për gjallje të veten u katandis në njërin nga humbësit më tragjikë të historisë njerëzore.

Mizoritë e pasardhësve të Herakliut

Pas vdekjes së Herakliut, pasoi një periudhë e tmerrshme e dhunës dhe e masakrave në ndërmjet pasardhësve e pasuesve të tij, që është nga më të trishtueshmet në mbarë historinë e njerëzimit. Ja si është përshkruar ai degradim i pushtetit bizantin, nga bizantinologu i njohur Ogyst Baj, (të dhënat faktografike të të cilit janë përdorur më edhe më lart në këtë vështrim): “Mendohet se ai, (Kostandini, nënv.ynë) vdiq i helmuar nga Herakloni, i nënshtuar me shumë përulësi ndaj së ëmës, Martinës, i cili mbeti i vetëm në pushtet. Por, mbretërimi i tij nuk do të vazhdojë gjatë. Qysh në muajitn tetor trupat ngritën krye dhe, me mbështetjen e senatit, kërkuan që në qeverisjen e perandorisë të merrte pjesë edhe djali i vpogël i Kostandinit, Kostanti II. Kjo s’ishte veçse një etapë kalimtare drejt rrëzimit të Heraklonit. Katër muaj më vonë, Martina dhe djali i saj u dëbuan nga Kostantinopoja, pasi u gjymtua mizorisht: Martinës i prenë gjuhën, Heraklonit hundën.” (2)

“Dy uzurpatorët, Tiberi dhe Leontisui, i ofruan popullit spektaklin e një torture të gjatë e teatrore. Ashtu të lidhur me zingjirë, qenë të detyruar të vraponin nëpër rrugët e qytetit, ndërmjet radhëve të vegjëlsië që ulërinte e shante. I vërshëllenin, i qëllonin me lloj lloj gjërash. (…) Pastaj dy uzurpatorëve u prenë kokën, dhe xhelati i nxori sytë patriarkut Kalinikos, që kishte marrë pjesë në grushtin ushtarak të shtetit të vitit 695”. (3)

“Egërsia e Justinianti II, gjatë mbretërimit 705-711, do të shndërrohej në një delir të vërtetë. Shprehja “larë në gjak” tek ai do të gjente një zbatim konkret: ai ndiente çdo ditë nevojën e ekzaltimit të brydhët që i transmetonte pamja e torturave. Viktimat nuk mungonin. Gjithë ata që i qenë nënshtruar sundimit të Leontiusit e Tiberit ishin të dyshimtë. Ndërsa, priste koka, mbyste, varte, gjymtonte, i mbyllte tradhtarët në thes, që i hidhnin pastaj në Bosfor, ose i vriste sa ngriheshin nga tavolina ata që kishte ftuar për të ngrënë me të, bazileu nuk harronte të organizonte festa me një salltanet të paimagjinueshëm për të kremtuar kthimin e Teodorës e për ta lidhur me perandorinë fëmijën që kishte me të e që mbante emrin e Tiberit.

Justinianit II, pasi e burgosën i prernëkokën. Pastaj e shëtitën kokën nëpër qytet, e dërguan në Itali de e ekspozuan triumfalisht në rrugtë e Romës e të Ravënës. Kështu përfundoi më 711 ekzistenca ekstravagante dhe e egër e përbindëshit me hundë të prerë dhe kjo periudhë e gjatë tmerresh mbetet një nga tablotë më të hidhura e më të çuditshme në gjithë historinë bizantine. (4)

Njohësi i stërholluar i historisë së Bizantit, Ogyst baji, e ndjen se është fjala për “tablo të çuditshme”, kur numëron degjenerimin që ka katandisur perandorinë në kohën e pasardhësve të Herakliut. Por, kjo “tablo e çuditshme” e ka burimin te refuzimi arrogant që i ishte bërë nga Herakliu dhe perandoria e tij ndaj Shpalljes Hyjnore të Islamit. Alternativa e refuzimit të së Vërtetës së shpallur nga Krijuesi i Botërave, ishte degjenerimi dhe krimi.

Pastërtia e të dërguarit të Allahut

Muhamedi a.s. pati një jetë mjaft të trazuar në vitet e para të pejgamberisë, që ishin sprova për skalitjen e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij në përhapjen e mesazhit hyjnor.

Pas përhapjes së fshehtë të Islamit në vitet 610-612, ai filloi në vitin 613 edhe përhapjen haptas të fesë së re, pavarësisht se ishte mjaft i rrezikuar nga mënia e politeistëve mekas. Por, Muhamedi, a.s, u shqua për vendosmnëri dhe trimëri të pashoqe, sepse nuk u ndalua as nga kërcënimet,as nga presionet e shumta që iu bënë. Krahas publikimit të Shpalljes Hyjnore, ai punoi me energji të madhe në përhapjen e fesë së re, në forcimin e bashkësisë së re dhe në ruajtjen e saj nga dëmtimi i mënisë së politeistëve. Aftësia e tij e pashoqe u dëshmua në arritjen e marrëveshjeve me fiset e ndryshme, duke përfshirë edhe disa fise hebreje, pastaj në udheheqjen ushtarake dhe sociale të shtetit të ri.

Mbetet si dëshmi e mrekullueshme e vizionit të tij ligjërata në haxhin lamtumirës në vitin 632 në Mekë, e cila edhe sot është shembull i një gjenialiteti të paarritshëm. E mira është që ajo të sillet e plotë, po për shkaqe praktike, pra vetëm për të argumentuar tezën themelore të këtij teksti se ai ishte persona tejhistorik, me mesahzh ër të gjithë njerëzimin dhe ëpr të gjitha kohët, deri në Ditëne Gjykimit, do të përfshihen vetëm disa ide të asaj ligjërate të haxhit lamtumirës:

– “ Ruajeni, respektojeni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor.

– Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë ai që nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.(…)

– Gjakmarrja është e ndaluar.Të gjitha akuzat e këtilla që rrjedhin nga koha para Islamit, anulohen…(…)

– Ruajuni nga prostitucioni, tradhtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkate të rënda, ndërkaq xhelozia mund të shkaktojë prishjen e bashkëshortësisë.

– Martohuni me ato që i doni, e kur vullneti i Zotit t’ju bashkojë, atëherë respektojeni dhe duajeni njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri dhe harmnoni të vërtetë.

– O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi e dashuri.

– O besimdrejtë! Largohuni nga ngatërresat e përgojimet! (…)

– O besimdrejtë! Thuajeni gjithnjë të vërtetën e pastër. Urrejtja asnjëherë le të mos ju largojë nga rruga e të drejtave dhe drejtësisë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësohuni nga Allahu! Ai e sheh punën tuaj.”(5)

Mesazhi që la pas vetes për pasuesit e tij, jo vetëm në këtë ligjëratë të haxhit lamtumirës, po me tërë jetën dhe veprën e tij të papërsiritshme sa i pëkret devotshmërisë, pastërtisë dhe vizionaritetit të një krijese njerëzore, edhe sot rrezaton njerëzi, moralitet, drejtësi dhe vizion për jetë më të mirë të njeriut.

Këto vlera shihen edhe në letrat që ua dërgoi kundërshtarëve dhe mohuesve të Islamit, mbretërve dhe sundimtarëve të krishterë të asaj kohe. Muhamedi a.s. i përfundonte letrat me këtë ajet kur’anor:

“ Thuaj ( Muhamed): O ithtarë të librave të parë! Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe e përbashkët mes nesh dhe jush, që të mos adhurojmë askend pos Allahut, që të mos i vëmë shokë atij në adhurim dhe që asnjë prej nesh të mos marrë të tjerë për zot përveç All-llahut. Pastaj në qoftë se ata largohen, thuaju: dëshmoni për ne se jemi muslimanë. (Ali Imran: 64).

Në këtë mënyrë ai përjetësoi me fjalën dhe me veprën e tij përparësinë dhe përjetësinë e Islamit mbi faqe të dheut.

Kalimi në Ahiret i Muhamedit a.s. në vitin 632, nuk e ndali rritjen e shtetit të ri islam. Per më tepër, përgatitjet që ishin bërë me vite, rezultuan me shtrirjen e rrufeshme të shtetit islam në vitet që pasuan. Kështu., në vitin 636, muslimanët çliruan Sirinë, në vitin 638 Jerusalemin e në vitet 640-650 edhe Egjiptin, Afrikën e Veriut, Qipron, Kretën dhe Siçilinë.

Muhamedi, a.s. la pas vetes një ymet unik dhe të motivuar që të përhapë mesazhin hyjnor në të katër anët e botës. Atdheu i shpalljes së Islamit u bë vendi më i vizituar dhe vendi që rrezaton mesazhin më të fuqishëm fetar dhe moral të botës edhe në ditët tona.

Edhe në planin personal dhe familjar, Muhamedi a. s, ishte i lumtur. Ai kishte një familje të pastër dhe shokë të ndershëm, të cilët e verifikuan në praktikë shtetërore

Mundësitë që jep Shpallja Islame.

Feja islame, të cilën e kumtoi Muhamedi a.s. sot ka rreth 1.5 miliardë besimtarë në të katër anët e planetit (duke përfshirë këtu edhe selinë e dikurshme të perandorisë së Bizantit dhe shumicën e territoreve të perandorisë së dikurshme të Herakliut dhe të pasardhësve të tij mizorë, duke përfshirë edhe qendrën e perandorisë së Herakliut dhe të pasardhësve të tij bizantinë, e cila u mor nga muslimanët pas përpjekjeve disashekulore.

Sot dhe në të ardhmen, as që mund të merret me mend historia njerëzore dhe vlerat e njerëzimit pa personalitetin dhe veprën e Muhamedit, a.s. Ndërsa, traditat që kanë mbetur nga sundimi i Herakliut dhe pasardhësve të tij, janë vetëm një kujtimi errët dhe i frikshëm i historisë njerëzore.

Prandaj, edhe nga kjo pikëpamje e fateve që patën këta dy protagonistë kryesorë të asaj periudhe historike, është e qartë se Muhamedi a.s. ishte personalitet i vlerave të tjera përkatësisht i dërguar i Allahut, me mision të qartë që të shpallte dhe të inauguronte të Vërtetën Hyjnore. Pra, Muhamedi, a.s.nuk ishte perandor, si Herakliu, i cili edhe pse i veshur me pushtetin më absolut që mund të uzurpohet nga një njeri, ishte i mjerë për shkak të fatkeqësive familjare, të fobive dhe traumave të rënda psikike dhe të trashëgimisë nga pasardhës mizorë, të cilët lemeritën botën me mizoritë e tyre.

Muhamedi a.s. nuk ishte as si mbretërit e pangopshëm persianë, të cilët arin dhe dhunën i kishin ideal të jetës së tyre.

Muhamedi a.s. ishte një i dërguar i Krijuesit të Botërave, për të ndriçuar udhën e njerëzimit me mesazhin Hyjnor dhe i tillë mbeti tash katrëmbëdhjetë shekuj. Dhe pa asnjë dyshim, i tillë do të mbetet deri në fundin e ekzistencës njerëzore në Tokë, sepse është një person tejhistorik. Pra, ai është vulë e pejgamberëve, që u dërgua me mesazhin përfundimtar për të gjitha kohërat dhe për të gjithë njerëzimin.

Shënime

________________________________

1.Ogyst Baji, Perandoria e Bizantit, Ora, Tiranë, pa datë botimi)

2. Po aty, fq. 83.)

3.Po aty, fq, 89.

4.Po aty, fq. 92-93

5. Hutbeja lamtmirëse, Zëri Islam, Prizren

____________________________________

Ky tekst pati marrë formë të plotë kur me sugjerimin e të nderuarit Husamedin Abazit, (të cilit ia dhashë tekstin për të verifikuar saktësinë e disa datave historike), më ra në dorë libri i Hasan Ejubit, Katër halifët e drejtë, (Furkan ISM, Shkup, 20003), ku autori ka disa konstatime të ngjashme me tonat. Nuk e pashë të domosdoshme të bëj ndonjë ridizajnim të tekstit, duke e lënë idenë që edhe atë ngjashmëri të vlerësimeve ta shohim si një fakt më shumë për vërtetësinë e argumenteve të paraqitura.

Dr. Milazim Krasniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit