Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e djeshme në komunat veriore u zhvilluan të qeta dhe pa incidente.
Për këtë gjë, Kurti falënderoj KQZ-në e Policinë e Kosovës për organizimin dhe sigurinë e krijuar.
“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri tha se atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët.
“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje.
“Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, tha Kurti. /Telegrafi/