-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Shumë të kualifikuara, por me dëshirë zgjedhin të jenë shtëpiake dhe edukuese të fëmijëve

Më të lexuarat

Doktor, inxhinier, infermiere – mami e certifikuar, shkrimtar dhe kritik letrar. Këto profesione shumë të respektuara janë kulmi i viteve të studimit intensiv, trajnimit dhe vetëdisiplinës. Shumica e njerëzve, me arritjen e këtyre pozicioneve të çmuara, me kënaqësi do t’i kushtonin pjesën tjetër të viteve të punës përdorimit të njohurive dhe ekspertizës së tyre. Ata gradualisht do të fitonin më shumë përvojë, do të fitonin paga më të mëdha dhe do të grumbullonin përfitime profesionale. Me shumë mundësi, ata gjithashtu, me kalimin e kohës, do të marrin role drejtuese, do të fitojnë çmime ose do të bëhen ekspertë të kërkuar në fushën e tyre.

Kush i ka të gjitha këto në majë të gishtave të saj, por vendos të heqë dorë? Kush do të tregtonte në vitet e studimit rraskapitës dhe përpjekjeve profesionale për një pozicion të nënvlerësuar që nuk kërkon asnjë diplomë. Cili lloj profesionisti do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga një pagë e konsiderueshme për të punuar pa pagesë, pafundësisht, pa asnjë shans për një rrogë, njohje, përfitime, apo promovim?

Kush tjetër përveç një nëne?
Ndërsa sigurisht jo të gjitha nënat zgjedhin të heqin dorë nga karriera për të rritur fëmijët e tyre, ka një grup grash që e bëjnë këtë. Nënat që qëndrojnë në shtëpi mund të kalojnë pjesën më të madhe të ditëve të tyre duke kryer detyra të thjeshta si larja e enëve, ndërrimi i pelenave dhe leximi i librave me tregime për të vegjlit e zhurmshëm, por pas titullit të thjeshtë të punës qëndrojnë gra dinamike, të arsimuara dhe të afta. Ato aktualisht mund të kenë një pëlhurë në njërën dorë dhe një filxhan të kafes në tjetrën, por shanset janë që këto nëna kanë një mendje dhe aftësi që arrijnë shumë përtej qëllimit të dukshëm të detyrave të tyre shtëpiake.

Çfarë e motivon një grua të aftë dhe ambicioze të heqë dorë nga karriera e saj dhe të qëndrojë në shtëpi për të rritur fëmijë? A është e detyruar në të, apo e zgjedh me dëshirë? Cila është forca e saj lëvizëse, nëse jo paratë, statusi apo respekti? Kisha shumë pyetje për këto gra – motrat e mia në Islam dhe “koleget” e mia që qëndrojnë në shtëpi – dhe disa nga përgjigjet e tyre më befasuan.

Për këtë artikull kam intervistuar shtatë nëna muslimane me arsimi të lartë, të cilat zgjodhën pezullimin e karrierave të tyre të suksesshme, të paktën përkohësisht, për t’i rritur fëimjët e tyre. Prej tyre kishte me diploma doktorate e masteri. Ndërsa stereotipi i përhapur për gratë muslimane është se ato janë të shtypura dhe të prapambetura, këto femra me arritje të larta nuk janë anomali. Në fakt, sipas artikullit të saj në ‘USA Today’, Dalia Mogahed thekson se, “gratë muslimane amerikane janë ndër grupet më të arsimuara në vend dhe ia kalojnë homologëve të tyre meshkuj në arsimin e lartë”. Përtej oqeanit, ‘The Guardian’ britanik raporton se “më shumë gra të reja muslimane kanë fituar diploma në universitetet britanike sesa burra muslimanë, edhe pse ato kanë qenë të nënpërfaqësuara për dekada të tëra”.

Ambiciet dhe ëndrrat
Secila prej grave që intervistova u rrit në një familje me prindër të cilët i jepnin rëndësi të madhe arsimimit të vajzave të tyre. Në fakt, të gjitha u inkurajuan – ose me butësi ose me më shumë këmbëngulje – për të ndjekur karriera në mjekësi, inxhinieri ose shkencë. Ndoshta çuditërisht, shumica e grave që intervistova ishin të parat e klasave të tyre në universitet.

Në vitet e shkollës, para martesës, të gjitha gratë me të cilat fola e konsideronin karrierën si prioritetin e tyre kryesor; amësia dukej e largët dhe e pasynuar. “Kur isha në universitet,” shpjegon Neveen, një dentiste që përfundimisht e vuri karrierën e saj në pritje për t’u bërë ‘’nënë që qëndron në shtëpi’’dhe ‘’student nga shtëpia’’, “asnjëherë, kurrë nuk kam menduar se do të shkollohem nga shtëpia (as nuk kam besuar në të). Isha shumë e orientuar drejt karrierës. Isha në krye të klasës sime në fakultetin e stomatologjisë.”
“Mendja ime ishte e ndarë: do të isha një grua e karrierës,” pranon Nicole, një nënë e tre fëmijëve në Kaliforni, e cila ka një diplomë masteri në Studimet e Lindjes së Mesme. “Unë kurrë nuk e kam menduar të qëndroj në shtëpi me fëmijët, sepse ata asnjëherë nuk më vinin në mendje në atë kohë.”

“Prisja që pas diplomimit të ndiqja një karrierë të bazuar në kërkime”, shton Layla, një tjetër nënë nga Kaliforni, e cila mban një doktoraturë në Inxhinieri Kompjuterike. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të qëndroja në shtëpi sepse besoja se ishte mirë që fëmijët të shkonin në çerdhe. Mendova gjithashtu se nënat po humbnin potencialin e tyre dhe po e kufizonin tej mase veten e tyre.”

Si të reja, shumë prej nënave që i kam intervistuar mendonin se nëse do të zgjidhnin ndonjëherë të krijonin një familje, do të kishin asistente, dado ose ndihmëse shtëpiake për t’ua lehtësuar punët. Disa prej tyre besonin se do t’i dërgonin fëmijët e tyre në çerdhe. Megjithatë, realiteti i të qenurit nënë bëri që secila prej këtyre grave të ndryshonte mendje.
‘’Fëmija im ishte shumë i lidhur me mua,—shpjegon Sazida, asistente e një deputeti në parlamentin e Anglisë, ‘’dhe nuk mund ta imagjinoja të kujdesej për të dikush tjetër, pavarësisht ofertave bujare nga të afërmit’’ vazhdon ajo.
“Pasi linda fëmijën tim të parë, gjithçka që doja të bëja ishte të mund të kujdesesha vetë për të,” pranon Melissa, një mami e certifikuar nga Nju Jorku.

Motivet të tjera
Rezulton se instinktet e nënës nuk ishin i vetmi faktor që i bëri këto gra të zgjidhnin të largoheshin përkohësisht nga ndekja e një karriere të suksesshme. Përkushtimi ndaj Islamit luajti një rol të madh në vendimmarrjen e tyre.
‘’Pasi linda fëmijën tim të parë,—shpjegon Lejla,—vendosa se ai ishte shumë më i çmuar se puna. Ai është një dhuratë që Allahu subhanehu ue teala më dha për ta mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të.”

“Pasi u bëra muslimane, – tregon Nicole, – synimet e mia ndryshuan dhe shpresoja të martohesha dhe të kisha fëmijë. Unë mendoj se ishte e dobishme për fëmijët e mi që të kishin një prind gjithmonë aty për t’u mbështetur,” shton ajo. “Ndihem sikur isha spiranca në familje për ta dhe shpresoj ta vazhdoj këtë rol.”

“Ajo që është e rëndësishme për mua,” pohon Neveen, “është të rris fëmijët e mi si muslimanë të mirë që e duan jetën dhe fenë e tyre.”
Një arsye tjetër që shumë gra me arsim të lartë zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi është sepse ato kanë mundësinë të shkollojnë në shtëpi disa ose të gjithë fëmijët e tyre. Çuditërisht, nga shtatë gra që iu përgjigjën pyetjeve për këtë artikull, pesë raportuan se zgjodhën të shkollonin në shtëpi të paktën një fëmijë për disa ose më shumë vite. (Në perëndim është e njohur metoda e ‘’shkollimit nga shtëpia’’ ku prindërit e marrin përgjegjësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre në shtëpi, pa i dërguar në ambientet shkollore hiq.)
“Më pëlqen shumë udhëtimi jonë i shkollimit në shtëpi me fëmijët e mi dhe arrijë t’i njoh më mirë, elhamdullilah,” thotë Lejla.
Mundësia për t’i edukuar dhe rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe vlera islame është arsyeja kryesore pse këto gra të talentuara ishin të gatshme të ndalonin karrierën e tyre të suksesshme. “Shpresojmë që Allahu i Madhërishëm do të na shpërblejë në xhenet”, mendon Lejla.

Sfidat
Edhe pse asnjë nga gratë që intervistova nuk i vjen keq për zgjedhjen e saj për t’u bërë nënë që qëndron në shtëpi, të gjitha pajtohen se është një punë sfiduese që në fakt është më e vështirë se karriera e tyre e mëparshme.
Një pengesë që duhet të kapërcejnë është perceptimi negativ që të tjerët kanë për gratë e suksesshme që bëjnë zgjedhjen për të lënë në pritje karrierën e tyre. “Së shpejti mësova se rrobat e thjeshta dhe një fëmijë i vogël nuk të japin të njëjtin respekt si kostumet dhe takat,” thotë Sazida.
Dikush do të priste, duke pasur parasysh rëndësinë që besimi jonë i jep dinjitetit të nënave, që këto nëna muslimane të gëzonin mbështetjen e familjes dhe miqve të tyre. Fatkeqësisht, nuk është gjithmonë kështu.
Një nënë shpjegon: ‘’Prindërit e burrit më ofruan të kujdeseshin për fëmijën tim dhe vjehrri nuk mund ta kuptonte pse unë doja të qëndroja në shtëpi kur ata ofronin kujdes të mirë për fëmijët. Pasi kaluan dy-tre vjet, ai u dëshpërua gjithnjë e më shumë që nuk po fitoja dhe u ankua për të ardhurat e humbura gjatë kohës sa kisha qëndruar në shtëpi.”
“Nëna ime jomuslimane më tha se po e humbisja shkollimin tim”, thotë Nicole. “Ajo nuk më mbështeti të qëndroja në shtëpi, megjithëse mendoj se e vlerësoi që isha aty për fëmijët e mi dhe kisha një marrëdhënie të mirë me ta. Ajo ishte gjithashtu një nënë që la karrierin për tu përkushtuar në rritjen dhe edukimin tonë, kështu që nuk jam e sigurt se nga vinte në të vërtetë ideja e saj.”
Nëna e Melisës ishte gjithashtu skeptike për vendimin e vajzës së saj. “Nëna ime nuk e donte nga unë që isha plotësisht e varur nga burri im,” pranon ajo.
“Unë nuk kisha fare mbështetje nga familja apo miqtë e mi,” ankohet Radhia, një teknike laboratori me një diplomë në mikrobiologji.
Përveç dyshimit dhe fajësimit për zgjedhjen e tyre, ka edhe sfida të tjera me të cilat përballen këto nëna. Të mësuara me stimulimin mendor, sfidat emocionale, arritjet profesionale dhe ndërveprimin e të rriturve, shumë femra që e kanë lënë karrierën për ti rritur dhe edukuar fëmijët e tyre e shohin qëndrimin në shtëpi për t’i rritur të fëmijët si monotoni dhe vetmi. Dadot, asistentët, pastruesit dhe punëtorët e tjerë që ato kishin parashikuar ti angazhonin nuk u jetësuan kurrë, pasi punësimi i këtyre ndihmësve ishte zakonisht shumë i shtrenjtë. Bashkëshortët që e kalonin ditën duke punuar si mbajtësi i vetëm i familjes, zakonisht ishin shumë të lodhur për të ndihmuar me detyrat e shtëpisë. Disa gra pranuan se ndiheshin fajtore duke kërkuar ndihmë në shtëpi kur burri i tyre tashmë ishte i rraskapitur nga puna. Për ta përkeqësuar problemin, shumica e grave që intervistova jetonin larg familjes, kështu që nuk mund të mbështeteshin te ndihma që merr normalisht nga prindërit dhe vëllezërit e motrat. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e kujdesit për fëmijët dhe punët e shtëpisë ishte barrë vetëm e tyre.
‘’Sfidat kryesore për mua, thotë Nicole, ishin mërzia dhe gjetja e miqve të mirë për të kaluar kohën me të cilët kishin interesa të ngjashme. Unë isha gjithashtu shumë i stresuar sepse rritja e fëmijëve, punët e shtëpisë, ushqimi dhe mirëmbajtja e përgjithshme e jetës sonë ishin përgjegjësia ime dhe e pashë se ishte një barrë e rëndë.”
“Mendoj se ndjenjat e cenueshmërisë dhe pasigurisë nëse isha një nënë dhe amvise mjaft e mirë ishin të vështira”, thotë Melissa. “E gjithë ndjenja ime e vlerës ishte e mbështjellë te fëmijët dhe shtëpia, dhe nëse diçka shkonte keq, ndihesha si një dështim.”
“Nuk ishte aq e lehtë sa mendova se do të ishte”, rrëfen Radhia. “Ishte dërrmuese nganjëherë dhe më mungonte puna. Emocionalisht dhe fizikisht, ishte shumë e lodhshme.”
“Të qëndrosh në shtëpi ka qenë më e vështirë nga sa prisja,” shton Summer, një shkrimtare dhe kritike letrare nga Bostoni. “Nuk e kuptoja se sa të vullnetshëm mund të ishin fëmijët. Mendova se ata thjesht do të bënin atë që u thoja. Unë jam ende duke u përpjekur të mësohem me individualitetin! Është më e vështirë se sa ishte puna ime, vetëm për shkak të ngarkesës emocionale dhe faktit që përpjekja që bën nuk garanton rezultatet që shpreson.”

‘Paraja’
Heqja dorë nga paga e tyre gjithashtu i vendos gratë në një gjendje varësie financiare, e cila mund të jetë një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur për gratë që janë mësuar të kenë të ardhurat e tyre.
“Ndihesha shumë e varur nga bashkëshorti financiarisht”, thotë Radhia.
“Elhamdulilah, burri im nuk refuzon nëse i kërkoj të blejë ndonjë gjë”, shpjegon Lejla. “Megjithatë, ndjeva sikur po humbja fuqinë për të vendosur të blej diçka për dikë tjetër. Për shembull, nëse dua t’i blej një dhuratë mamasë ose motrës sime, ai nuk refuzon kurrë kur e pyes, por megjithatë e ndjej se nga brenda është më e vështirë për mua.”
“Elhamdulillah, personaliteti i burrit tim nuk është ai që do të kontrollonte shpenzimet e mia”, thotë Neveen. “Përndryshe nuk do të kisha zgjedhur kurrë të isha nënë që qëndron në shtëpi.”
“Heqja dorë nga karriera ime kufizoi fuqinë time për të marrë vendime financiare”, pohon Summer. “Unë ende mund të shpenzoja atë që doja, por duhej të kërkoja leje, sepse burri im e dinte se kur ‘ne’ paguheshim dhe sa. Ai paguante faturat, të cilat unë as që i shikoja.”
“Të kërkosh leje,” shton Summer, “është shumë e bezdisshme.”
Rihyrja në fuqinë punëtore ishte e vështirë për disa gra, ndërsa për të tjera jo. Koha totale e shpenzuar në shtëpi përgjithësisht ndikoi nëse gratë mund të kthehen lehtësisht në profesionin e tyre apo jo. Disa nga nënat mendonin se aftësitë e tyre nuk ishin ndryshkur fare gjatë pushimit të tyre në shtëpi, ndërsa të tjera mendonin se ishte pothuajse e pamundur të kompensoheshin, profesionalisht, për kohën e humbur.

Këshilla nga përvoja
Edhe pse të gjitha gratë që intervistova besojnë me vendosmëri se koha e tyre në shtëpi me fëmijët e tyre është e shpenzuar mirë, ato kanë këshilla për motrat e tyre që synojnë të jenë nëna që qëndrojnë në shtëpi.
“Nëse do të mund të kthehesha dhe të flisja me veten time si një nënë e re, do t’i thoja vetes që të qetësohesha dhe të kënaqesha duke qenë një nënë e re,” thotë Sazida.
Melissa thotë: “Uroj që njerëzit të kuptojnë se sa e talentuar duhet të jesh për të drejtuar një shtëpi me sukses. Është një punë e madhe dhe kërkon që ju të jeni në gjendje të bëni gjithçka, nga përqafimi dhe edukimi, të menaxhoni paratë, buxhetin, të planifikoni me saktësi, të jeni një mikpritëse e mirë, të trajtoni problemet rreth shtëpisë, të menaxhoni kohën dhe të arrini qëllimet gjatë gjithë kohës duke u përpjekur të dukesh bukur.”
“Unë gjithmonë do të rekomandoja që gratë të kenë llogarinë e tyre bankare dhe paratë në xhep,” këshillon Nicole. “Asnjëherë nuk e dini se kur do t’ju duhet.”
“Sapo fëmijët e tyre të jenë në shkollë,” shton Radhia, “Unë do t’u sugjeroja nënave të reja të fillonin ndonjë punë nga shtëpia, ose të merrnin punë me kohë të pjesshme, ose edhe kurse, nëse është e nevojshme.”
“Për nënat që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi,” sugjeron Layla, “Unë do të thoja të përpiqeni të punoni me kohë të pjesshme nëse koha juaj ju lejon dhe nëse keni një pasion për të punuar. Besoni se Allahu subḥānehu ue teala do t’ju mbrojë, pavarësisht se çfarë. Mbani mend, ju po investoni te fëmijët tuaj dhe kjo është shumë më e rëndësishme sesa të mendosh “Më duhet të mbaj para në xhepin tim”.

Përkrahni, mos gjykoni
Si umet musliman, detyra jonë është të mbështesim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra. Duket se njerëzit shpesh e harrojnë këtë dhe gabimisht besojnë se ne kemi të drejtë të bëjmë thashetheme, spekulime dhe të lirohemi në gjykimin e njëri-tjetrit. Në jetën tonë të gjithë padyshim që do të ndeshemi me gra që zgjedhin të vazhdojnë karrierën e tyre, dhe ato që i lënë në pritje dhe ato që vendosin t’i braktisin plotësisht. Përpara se të guxojmë të nxjerrim përfundime për dikë, duhet të kemi parasysh se vetëm Allahu subhanehu ue teala e di të gjithë historinë e një personi, motivimet dhe synimet e tij. Vetëm Ai subḥānehu ue teala lejohet të gjykojë.
Duhet të kujtojmë gjithashtu se disa gra, për një sërë arsyesh, nuk e kanë luksin të zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi. Ato duhet të punojnë për të paguar faturat. Allahu subhanehu ue teala i di qëllimet e tyre dhe do t’i shpërblejë edhe sakrificat e tyre.
Shpresoj që ky artikull të mos shkaktojë më shumë përçarje mes nesh, por përkundrazi të rrisë ndërgjegjësimin për sakrificat e bukura që shumë gra të talentuara dhe inteligjente bëjnë me dëshirë për hir të fëmijëve të tyre, dhe aq më tepër, për hir të Allahut subhanehu ue ta’ala. Ato janë heroinat e harruara të umetit tonë, duke kryer një punë të nënvlerësuar që në fakt është me rëndësi të madhe për të ardhmen e botës.

Laura El Alam

Përktheu:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit