-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Masakra në xhaminë Al-Ibrahimi ndryshoi përgjithmonë jetën fetare për muslimanët në Al Khalil

Më të lexuarat

Më 25 shkurt 1994, 29 palestinezë u vranë nga një ekstremist izraelit gjatë namazit të sabahut

Adel Idriss nuk do ta harrojë kurrë ditën kur humbi vëllain dhe kushëririn e tij teksa po falnin namazin e sabahut në xhaminë Al-Ibrahimi në qytetin e vjetër Al Khalil (Hebron) të premten e dytë të muajit të Ramazanit.

Atë ditë, Idriss ishte imam ose prijësi i namazit dhe ai ende kujton momentin e tmerrshëm kur ekstremisti izraelit, Baruch Goldstein, hapi zjarr ndaj besimtarëve me mitraloz.

Sulmi i tmerrshëm i 25 shkurtit 1994 la të vdekur 29 persona dhe dhjetëra tjerë të plagosur.

“Kam humbur vëllain tim Saleem-in dhe tjetri u plagos. Gjithashtu, familja jonë humbi kushëririn tim, Diab Al Karaki. Kur ai na sulmoi në një krim të tmerrshëm ne ishim duke agjëruar, civilë të paarmatosur dhe duke kryer adhurimet tona islame në muajin e shenjtë të Ramazanit, tha Idriss për Anadolu Agency (AA).

Palestinezët thonë se sulmi ishte planifikuar nga një grup kolonësh hebrenj me ndihmë indirekte nga ushtria izraelite, e cila nuk ishte e pranishme gjatë masakrës.

Muslimanët i kushtojnë rëndësi të madhe Xhamisë Al-Ibrahimi, pasi besojnë se ajo është ndërtuar mbi varrin e Profetit Ibrahim.

Pas masakrës, jeta fetare e muslimanëve në Al Khalil dhe aftësia e tyre për të shkuar në xhami u ndryshuan për shkak të kufizimeve ushtarake të Izraelit që u vendosën kundër të gjithë qytetit të vjetër, i cili ndodhet në jug të Kudsit.

“Që nga dita e masakrës, forcat izraelite na kanë ndaluar të thirrim ezanin të shtunën, dhe gjatë festave fetare hebraike, muslimanët nuk lejohen asnjëherë të hyjnë në xhami për t’u falur, ajo është plotësisht e mbyllur për muslimanët”, tha Idriss.

Gjatë atyre ditëve, edhe punëtorët e xhamisë nuk lejohen të hyjnë në të.

“Okupimi izraelit hap pjesërisht pjesët e konfiskuara të xhamisë kryesisht të premteve gjatë Ramazanit dhe dy bajrameve, festat vjetore të Islamit që shoqërohen me Ramazanin dhe Haxhin, apo pelegrinazhin në Mekë,” tha për AA drejtori i xhamisë Al-Ibrahimi, Ghassan Rajabi.

Sipas Rajabi, me një vendim ushtarak 63 për qind e hapësirës prej 2.050 metrash katrorë të xhamisë u konfiskua së bashku me të gjitha oborret e saj dhe u shndërrua në një sinagogë hebreje.

“Për muslimanët që duan të falen në xhami, ata duhet të kalojnë nga tre deri në gjashtë postblloqe ushtarake për t’u lejuar të hyjnë në të. Në pikën e fundit të kontrollit në hyrje të xhamisë, ata duhet t’u japin kartat e identitetit ushtarëve”, tha ai.

Për palestinezët në Al Khalil, masakra në fjalë ishte një pikë kritike që ndikoi thellë në jetën e tyre, shoqërore, ekonomike dhe fetare.

Idriss tha se kufizimet agresive ushtarake e detyruan atë dhe familjen e tij të largoheshin nga qyteti i vjetër pas 40 vjetësh.

“Nuk ishte e lehtë të largohesh, por politikat e tyre kundër nesh na detyruan të kërkonim një shtëpi tjetër për të jetuar”, tha ai.

Ndërkohë, banorët e Al Khalil thonë se po vuajnë nga sjellja e kolonëve ekstremistë aty, ata janë të ekspozuar ndaj sulmeve dhe fyerjeve të vazhdueshme kundër besimeve të tyre fetare dhe Profetit Muhamed, veçanërisht gjatë festave fetare hebraike.

Ndërsa bota shënon 22 gushtin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Akteve të Dhunës bazuar në Fe ose Besim gjendja e vështirë muslimanëve të Al Khalilit vazhdon. Sipas OKB-së, kjo ditë është për të siguruar rëndësinë e ofrimit të mbështetjes dhe ndihmën e duhur viktimave të akteve të dhunës të bazuara në fe ose besim dhe anëtarëve të familjeve të tyre në përputhje me ligjet në fuqi.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit