Nga Shaban Murati
Botuar në DITA
Nuk kuptohet çfarë thyerje trunore i nxit disa shqytarë halucinantë të pakicave fetare, të cilët janë politikanë, deputetë apo gazetarë, të kërkojnë dhe të shpikin pretekste për të sulmuar vazhdimisht fenë islame të shumicës dërrmuese të kombit shqiptar.
Në një shpjegim, kjo ndodh nga keqpërdorimi dhe mosdurimi i harmonisë fetare shqiptare, si dhe nga frustracion i pakoregjueshëm i disa shqytarëve të pakicave fetare për të diktuar mbi shumicën fetare. Pra për të përmbysur thelbin e demokracisë dhe të lirisë dhe për të sabotuar harmoninë fetare, e cila është në rradhë të parë produkt dhe meritë historike e shumicës myslimane të kombit shqiptar, e cila ka determinuar arritjen e harmonisë fetare shqiptare, me të cilën Shqipëria mburret në katër horizontet diplomatike.
Për disa levantinë, që zbritën dje në qytet dhe zaptuan ndonjë katedër vidhi, ku vetëshpallin misionin donkishotesk të “europianizimit fetar” të kombit, po përsëris një të vërtetë historike, që e kam theksuar në një nga librat e mi: “Të gjitha fetë kanë lindur në Lindjen e Mesme dhe asnjera nuk ka origjinë europiane. Krishtin nuk e vranë myslimanët”.
Në një shpjegim tjetër histeria islamofobike e disa shqytarëve të sëmurë të pakicave fetare, që janë politikanë, deputetë dhe gazetarë, është sponsorizim i qarqeve antishqiptare serbe dhe greke për t’i fryrë përçarjes dhe konflikteve fetare në gjirin e kombit shqiptar dhe për të prishur kohezionin kombëtar përballë rreziqeve të reja kombëtare.
Nën maskën e luftës kundër të ashtuquajturit “islam politik” synohet të harrohet tragjizmi historik i të vërtetës që ortodoksizmi politik i dy shteteve kishtare, Serbisë dhe Greqisë, na ka grabitur mbi gjysmën e territoreve etnike shqiptare dhe se Serbia dhe Greqia mbeten rrezik aktual i integritetit territorial të kombit shqiptar në Ballkan.
Nuk është i rastësishëm fakti që shqytarët e grupit të zjarrit fondamentalist islamofobik: politikanë, deputetë dhe gazetarë, nuk kanë thënë as gjysëm fjale për kërcënimet e reja të njëpasnjëshme për luftë kundër Kosovës nga presidenti nazist serb Vuçiç, i cili në dhjetë muajt e fundit tre herë ka ngritur shpatat e zeza të luftës serbe për të sulmuar dhe pushtuar ushtarakisht Kosovën shqiptare.
Demagogjia filoserbe dhe filogreke fillon qysh aty kur ky takëm shqiptarësh antishqiptarë shtiren si ithtarë të Fishtës dhe jo vetëm nuk kanë lexuar e as kanë mësuar asgjë nga ai, por bëjnë të kundërtën e mësimeve të çmuara historikisht vlera mbarëkombëtare të lëna nga shqiptari i madh, poeti i madh dhe prifti i madh Gjergj Fishta!