Ministrja Hajdari tha se rritja e çmimit të bukës në disa furra në Kosovë deri në 60 cent për një bukë, nuk është e arsyeshme
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) së Kosovës, Rozeta Hajdari ka paralajmëruar se janë duke punuar për një masë ligjore rreth produkteve esenciale në Kosovë të nxitur nga rritja jo e arsyeshme e çmimit të disa produkteve esenciale sikurse buka, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media bashkë me kryetarin e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ministrja Hajdari tha se caktimi i marzhës së fitimit dhe çmimet tavan (çmimi maksimal i shitjes) janë dy opsionet që kjo ministri në bashkëpunim me ministritë tjera po i shqyrtojnë.
Ministrja Hajdari tha se rritja e çmimit të bukës në disa furra në Kosovë deri në 60 cent për një bukë, nuk është e arsyeshme, për shkak se të dhënat e Doganës së Kosovës bëjnë të ditur se përkundrazi ka zbritje në çmime furnizuese të grurit dhe miellit për 7 për qind në muajin e fundit.
“Grupi Punues i themeluar tani do të analizojë tutje se cilën masë ligjore do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo do të shkojmë me një marzhë tregtare, kjo varet edhe nga analizat që do të vijnë me evidencë nga tregu dhe operatorët ekonomikë”, theksoi Hajdari, duke shtuar se të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejtë.
Ajo bëri të ditur se në këtë masë ligjore do të përfshihen produktet: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike.
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu tha se si shoqatë janë kundër abuzimit të çmimeve dhe se nuk duhet shfrytëzuar situata aktuale për të abuzuar me çmime.
Ai tha se Kosova gjithmonë ka furnizuar nevojat e veta me 50 deri në 60 për qind të nevojave të brendshme ndërsa pjesa tjetër është importuar nga vendet e rajonit, përjashtuar Ukrainën dhe Rusinë.
“Pjesa tjetër është varur nga importi rajonal duke mos e pasur kurrë tregun e Ukrainës apo Rusisë si cak. Në regjionin tonë duke nisur nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia dhe Kroacia që i kemi tri shtete më të afërta janë siguruar gjithmonë këto mangësi të cilat kanë qenë të nevojshme për tregun e brendshëm”, theksoi Zejnullahu.
Së fundmi, disa furra të bukës në qytete të ndryshme të Kosovës si Prizren e Gjilan kanë ngritur çmimet e bukës deri në 60 cent.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate, gjë që ka ndikuar që çmimi i naftës dhe i benzinës të bie lehtë.
Sipas të dhënave të muajit maj nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e inflacionit në Kosovë ka arritur në nivelin e 12.5 për qind, që është ndër nivelet më të larta në histori të shtetit.