Të frymëzuar nga vepra e atdhetarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe në vigjilje të shënimit të 134 vjetorit të tubimit të tyre për formimin e Lidhjes së Prizrenit, forumet rinore të partive politike shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, kanë formuar Lidhjen Mbarëshqiptare të Forumeve Rinore (LMFR).
Nënshkrimi i deklaratës themeluese të kësaj lidhjeje të re është bërë të shtunën, në kompleksin muzeor të Lidhjes së Prizrenit, ku është përkujtuar se ky aktivitet përkon edhe me shënimin e shekullit të parë të Shqipërisë.
Nënshkruesit e deklaratës janë zotuar se do të angazhohen për bashkëpunim dhe afirmim të vlerave kombëtare, duke lënë prapa dallimet politike dhe partiake.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Qeverisë së Kosovës dhe njëherësh kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka theksuar se nënshkrimi i kësaj deklarate dëshmon unitetin në çështjet madhore që lidhen me interesin e kombit.
Ai ka deklaruar se deklarata themeluese e LMFR-së jo rastësisht është nënshkruar në Prizren, që paraqet qytetin e lavdisë së kombit dhe ka uruar që të rinjtë e partive politike të bashkëpunojnë sikur dikur të parët e tyre.
Ndërsa deputeti i Parlamentit të Shqipërisë dhe kryetari i Rinisë së PD-së, Gerti Bogdani ka shprehur bindjen se me ndërtimin e rrugës së kombit janë shembur barrierat fizike për komunikimin mes shqiptarëve, ndërkohë që detyrë e të rinjve të angazhuar në politikë mbetet rrëzimi i barrierave tjera që pengojnë fuqizimin e këtyre marrëdhënieve.
Forumet rinore të partive politike shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës përmes deklaratës së nënshkruar kanë marrë përsipër obligimin për afirmimin e vlerave kombëtare, duke promovuar frymën e bashkëpunimit dhe dashurisë mes pjesëtarëve të kombit shqiptar, duke respektuar diversitetitn fetar e rajonal, por edhe aspiratën për paqe e dashuri mes popujve të Ballkanit.