Pse kriza ekonomike mund të ndezë shumë revolucione
Revista britanike The Economist publikoi një analizë ku thuhet se kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta ruse kundër Ukrainës do të çojë në mënyrë të pashmangshme në shpërthimin e trazirave në mbarë botën këtë vit, të cilat mund të prekin edhe vendet arabe.
Në një artikull analitik të botuar me titullin “Një valë trazirash po vjen, ështu mund t’i shmangni disa”, revista thekson se hera e fundit që bota u përball me krizën e çmimeve të larta të ushqimeve siç po ndodh tani, ishte shpërthimi i “Pranverës Arabe”. Ngjarje të tilla rezultuan në përmbysjen e katër presidentëve dhe ndezën luftëra të tmerrshme civile në Siri dhe Libi.
The Economist thekson se lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës po shkakton dëme serioze në tregun e drithit dhe energjisë. Prandaj edhe këtë vit trazirat janë një gjë e pashmangshme.
Revista shpjegon se modeli statistikor që përgatiti për të ekzaminuar lidhjen midis çmimeve të larta të ushqimeve dhe karburanteve dhe trazirave politike, zbuloi se rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve në të kaluarën ishte një tregues i fortë i shpërthimit të demonstratave masive, trazirave dhe dhunës politike.
Nëse konkluzionet e këtij studimi janë të sakta, shumë vende pritet të përjetojnë një përshkallëzim të trazirave këtë vit.
Shtetet arabe janë në rrezik
Revista thekson se rreziku më i madh ekziston në vendet që tashmë po përjetojnë paqëndrueshmëri, si Jordania dhe Egjipti, të cilat varen nga importet e ushqimeve dhe karburanteve dhe kanë financa publike të paqëndrueshme. Shumë vende me rrezik të lartë drejtohen keq ose në mënyrë represive.
Gjithashtu, qeveritë e shumë vendeve po përpiqen të zbusin efektet e krizës ekonomike, por janë të ngarkuara me borxhe dhe vuajnë nga mungesa e likuiditetit për shkak të krizës së shkaktuar nga shpërthimi i pandemisë.
Raporti mesatar i borxhit publik të vendeve të varfra ndaj PBB-së është rreth 70 përqind dhe kjo përqindje po rritet. Vendet e varfra paguajnë gjithashtu norma më të larta interesi, të cilat po rriten. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, 41 vende të varfra janë në “telashe borxhi” ose në rrezik të vështirësive financiare për shkak të akumulimit të borxhit.
Sipas The Economist, është e vështirë të shmanget një shpërthim i zemërimit popullor në ditët në vijim, por një fillim i mirë do të ishte puna për të shfuqizuar politikat që dekurajojnë prodhimin bujqësor, si kontrollet e çmimeve dhe kufizimet e eksportit. Analiza e revistës sheh gjithashtu nevojën për të adresuar politikat e disa qeverive që dekurajojnë fermerët dhe i pengojnë ata të punojnë, siç është ajo që ndodh në Tunizi, ku fermerët lënë tokën e tyre pjellore të papunuar sepse duhet t’i shesin të korrat shtetit për një tarifë të vogël.
Raporti i gazetës përfundon se institucionet financiare ndërkombëtare tani duhet të arrijnë një ekuilibër të vështirë. Mohimi i financimit mund të çojë në trazira në vend. Po kështu, miratimi mund të shpëtojë qeveritë e varfra duke konsoliduar politika të këqija dhe të paqëndrueshme.
The Economist thekson se organe të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar, negociatorët e të cilit mbërritën në Sri Lanka dhe Tunizi këtë javë, duhet të ofrojnë ndihmë bujare, por edhe të insistojnë në reforma. Ata gjithashtu duhet të vazhdojnë të monitorojnë se si shpenzohen paratë e dhëna për këto vende. /tesheshi.com/