1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Takimi i Musait (alejhi selam) me magjistarët e Faraonit

Më të lexuarat

– “Pastaj (sipas urdhrit të Faraonit) thanë: “Këta të dy janë magjistarë, që duan t’ju nxjerrin nga toka juaj me magjinë e tyre …” – Ja pra këto ishin fjalët që ranë dakort se do t’ia thonë popullit. Kjo fjalë e thënë nga magjistarët para popullit ishte e ngjashme me fjalën e Faraonit thënë më parë. Ka mundësi që kjo përzgjedhje e fjalëve nga magjistarët të jetë rastësore, por ka mundësi që Faraoni t’u ketë dhënë urdhër atyre për t’i folur para popullit. Përveç fjalës së Faraonit ata shtuan edhe disa fjalë kur thanë: …dhe ta zhdukin rrugën tuaj që, pa dyshim, është më e drejta.”.

– Këto ishin fjalët që magjistarët ranë dakord të thoshin publikisht, për të nxitur njëri-tjetrin edhe më shumë kundër Musait. Ata thoshin: Musai, nga smira që ka për prestigjin dhe famën tuaj, kërkon të bëhet i famshëm dhe t’ju komandojë ju, që jeni aq të njohur me magjitë tuaja. Ai kërkon t’ju rrëmbejë famën dhe pasurinë, që ju fitoni me magjinë, duke dalë kështu mbi ju.

– “Prandaj vendosni seriozisht për çështjen tuaj dhe dilni në shesh tok e të bashkuar! Ai që triumfon sot, ai ka fituar.”
– Hidhuni në veprim si një trup i vetëm, duke demonstruar gjithë fuqinë tuaj! Për të dalë triumfues, bëhuni të gjithë bashkë, që puna juaj të jetë më e fuqishme!
Jepni gjithçka që keni, sepse kush fiton sot, ka fituar gjithçka që synon, qoftë pasuri apo pushtet.
Nga fitorja e kësaj dite varen ditët që do të vijnë më pas. Subhanallah! Sa të përkushtuar ishin ata në mbrojtjen e së kotës! Sa këmbëngulës ishin arritjen e qëllimeve të tyre! Ata lëvizën çdo gur që të mposhtnin të vërtetën. Por Allahu dëshiron që të triumfojë vetëm e vërteta dhe të mposhtet e kota!
Ja ku erdhi edhe sfida e madhe. Pas përgatitjes së plotë të intrigës, nuk mbetej gjë tjetër veç përballjes:
-“Ata thanë: “O Musa! A do të hedhësh ti, apo të hedhim ne të parët?” – Duke i dhënë të kuptojë se ata do të dilnin patjetër fitimtarë, i lanë Musait mundësinë të përzgjidhte se kush do të fillonte i pari.
Musai u tha:
“Musai tha: “Hidhni ju!” Dhe ja, atij iu duk, nga magjia e tyre se litarët dhe shkopinjtë (e magjistarëve) po lëviznin (si gjarpërinj).”
– Kështu, ata i hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre. Musai iu duk sikur ata po lëviznin dhe zvarriteshin si gjarpërinj, për shkak të magjisë së tyre të fuqishme. Për këtë arsye, Musai ndjeu pak frikë në vete:

  • “Kështu, Musai ndjeu në vetvete njëfarë frike.”
  • E tillë është natyra e njeriut. Musai vërtet u tremb pak nga ajo që pa, si njeri që ishte, por zemra e tij ishte e bindur dhe e qetë në premtimin e Allahut për ndihmë. Allahu kujdesej për robin dhe profetin e Tij të dashur, prandaj i tha:
    – “Ne i thamë atij: “Mos ki frikë! Sepse është e sigurt se ti do të jesh triumfues.” – Duke e qetësuar dhe duke i dhënë kurajë, Allahu e siguroi Musain se do të dilte triumfues dhe do t’i mundte ata. Madje, ata do t’i përuleshin Musait.
    Pastaj e urdhëroi dhe tha:
    “Tani hidhe atë që e ke në dorën tënde të djathtë (shkopin) që t’i gëlltisë menjëherë ato që bënë ata! Ajo që bënë ata nuk është asgjë tjetër, përveçse mashtrim magjistari dhe magjistari kurrë nuk fiton, kudo qoftë.”
    -Hidh shkopin dhe do të shohësh se magjia e tyre nuk ka për t’u sjellë asgjë të pritshme. Gjithçka ishte thjesht iluzion magjistarësh, që mashtrojnë njerëzit dhe ua zbukurojnë të kotën, duke i bërë të mendojnë se janë në të vërtetën.
    Musai e hodhi shkopin, i cili filloi të gëlltiste gjithçka që paraqitën magjistarët, ndërkohë që njerëzit shihnin ç’po ndodhte. Atëherë, magjistarët e kuptuan se kjo nuk ishte magji, por një mrekulli e madhe nga Allahu, prandaj nxituan menjëherë të shfaqnin besimin e tyre:
  • “Atëherë, magjistarët u hodhën në sexhde dhe thanë:
    “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe të Musait.”

– Në këtë mënyrë u shfaq e qartë e vërteta dhe u shkatërrua magjia, kurthet dhe intrigat kundër së vërtetës. E gjithë kjo ndodhi para një tubimi të madh njerëzish. Nga ana tjetër, ngjarja ishte mëshirë dhe qartësim i madh për besimtarët.
Ndërsa për pabesimtarët ishte dëshpërim, sepse ata nuk do të kishin më asnjë justifikim para Allahut të Madhëruar.

/Marrë nga tefsiri i Sadit/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit