Si shpjegohet kjo nga vendi që ruan pasurinë një agresori
Qeveria zvicerane ka “shkrirë” 3,4 miliardë franga (3,26 miliardë euro) të aseteve ruse të bllokuara përkohësisht, duke vënë në dukje se shuma totale e fondeve të “ngrira” është 6,3 miliardë franga zvicerane (gjashtë miliardë euro), raporton Reuters.
Kjo shumë, sipas agjencisë britanike, është 1.2 miliardë franga më e ulët se në 7 prill, kur Zvicra raportoi 7.5 miliardë franga në pronat e ngrira ruse, me zyrtarin qeveritar Erwin Bollinger që theksoi se fondet e bllokuara më pas u reduktuan me 2,2 miliardë franga.
Kjo do të thotë se Zvicra ka zhbllokuar miliarda fonde ruse, që nga marsi, kur u vendosën sanksione ndaj Moskës për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.
“Ne nuk mund të ngrijmë fondet nëse nuk kemi baza të mjaftueshme,” u tha gazetarëve Bollinger, një zyrtar i lartë në Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), i cili mbikëqyr sanksionet.
Një vend për të ruajtur pasurinë ruse
Zvicra, një destinacion popullor për elitën e Moskës dhe një vend për të ruajtur pasurinë e Rusisë, është nën presion në rritje për të identifikuar dhe ngrirë më shpejt asetet e qindra rusëve nën sanksione.
Në fillim të majit, Komisioni i Helsinkit në Shtetet e Bashkuara, një organ i financuar nga qeveria që merret me sigurinë, bashkëpunimin dhe të drejtat e njeriut, etiketoi Zvicrën si një “ndihmës kryesor” të presidentit rus Vladimir Putin dhe miqve të tij, siç u tha, “duke përdorur ligjet zvicerane të fshehtësisë për të fshehur dhe mbrojtur të ardhurat e krimit”.
Qeveria zvicerane i ka mohuar akuzat në “mënyrën më të fortë të mundshme”, dhe në një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, presidenti Ignazio Cassis i kërkoi Uashingtonit “të rregullojë menjëherë imazhin mashtrues” të Zvicrës. /tesheshi.com/