Në fund të muzgut që mbulon këtë qytet, zhurma e lutjes së natës jehon nëpër kompleksin Hagia Sophia.
Derisa myslimanë dhe jomuslimanë, disa turistë dhe disa jo, shijojnë këtë mrekulli të lashtë, shumë prej tyre presin të falen dhe të përjetojnë lutjet e veçanta të teravive (lutjet e natës gjatë Ramazanit) që po praktikohen sërish në këtë muze të kthyer në xhami, pas 88 vitesh.
50-vjeçari Ibrahim Cetin po viziton për herë të parë xhaminë e madhe Hagia Sophia dhe është i pushtuar nga emocionet.
“Edhe pse kam jetuar në këtë qytet për 30 vjet, hyra në këtë ndërtesë për herë të parë sepse dua të fal namazin e teravive këtu”, tha ai për Al Jazeera.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që është sërish xhami. E kam të vështirë të shpreh me fjalë se çfarë do të thotë për mua ky moment”, shtoi ai i përlotur.
Hagia Sophia ka qëndruar me kalimin e kohës si një simbol qendror i betejave dhe ndryshimeve historike: ky monument u lakmua dhe u vajtua nga perandorët, sulltanët dhe politikanët modernë.
Hagia Sophia ishte një katedrale, një xhami, një muze dhe tani përsëri xhami, pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shpalli vendimin në vitin 2020 për të qenë sërish e tillë, siç në shekuj, që kur iu ble Partiarkanës së Kostandinopojës.
Vendimi i Erdoganit hasi në shumë reagime negative, ku kritikët e përshkruan atë si “të motivuar politikisht”. 52-vjeçari Nuh Atikoglu, një vizitor në Hagia Sophia, shprehu pikëpamje të ngjashme.
“Nuk më intereson nëse është xhami apo muze. Jam indiferent sepse e kam Xhaminë Blu aty pranë. Erdogan e mori këtë vendim për të larguar vëmendjen e turqve nga kriza aktuale politike në atë kohë”, tha Atikoglu.
Ndërrimi i përdorimit, megjithatë, u konsiderua një kërkesë e kahershme e konservatorëve turq. Cetini nuk e priste që Hagia Sophia të ishte përsëri xhami, por siç tha ai, “është një monument që u përket paraardhësve tanë osmanë”, tha ai.
Ndryshimi i kuptimit me historinë
Në 900 vitet e para të ekzistencës së saj, Hagia Sophia ishte një simbol kyç në kulturën dhe politikën bizantine. Ajo konsiderohet një mrekulli arkitekturore, e ndërtuar në 537 pas Krishtit, gjatë sundimit të perandorit Justinian I.
Ndaj, megjithëse qëndron ende në formë dhe strukturë, kuptimi i tij mbetet i rrjedhshëm, duke reflektuar transformimet politike të Turqisë së vjetër dhe moderne.
Një ndryshim i rëndësishëm historik për këtë monument ndodhi në 1453 kur Sulltan Mehmeti II fitoi sundimin e Stambollit, Kostandinopoja atë botë. I kënaqur nga ky monument madhështor, ai e pengoi shembjen e tij dhe e ktheu në xhami.
“Mehmedi II ishte një udhëheqës jashtëzakonisht i zgjuar. Nëna e tij ishte e krishterë, kështu që ai donte të udhëhiqte të krishterët e këtij qyteti dhe në vend që të shkatërronte Hagia Sophia-n, e zgjeroi atë”, tha Kaya Ganc, autore.
Hagia Sophia u bë kështu një simbol i prestigjit perandorak dhe të shenjtë për Perandorinë Osmane, gati gati e barabartë në rëndësi me Qaben në Mekë dhe Al Aksa-në në Jerusalem, ndonëse në terma hyjnore s’është e tillë.
Ndërkohë, ndryshime në pamjen e brendshme ndodhën gjatë sundimit osman. Dekoracione islame, si dhe emrat e Zotit, Profetit Muhamed e të katër kalifëve të parë, janë gdhendur në mure.
Gjithashtu është vendosur një mihrab që tregon drejtimin e Mekës.
Mihrabi në Hagia Sophia është poshtë mozaikut të Maries, “sepse drejtimi i Mekës është gjithashtu në lindje, kështu që nuk kishte nevojë të ndryshonte drejtim apo fokus brenda kishës”, tha një historian arti, i cili kërkoi të qëndronte anonim për temën e ndjeshme të Hagia Sophia-s.
Për t’i dhënë më tej objektit një karakter islam, gjatë historisë nën sundimin osman janë shtuar katër minare dhe një foltore.
“Kjo ndërtesë do ndikonte në ato që të vinin më vonë, me ndërtimin e xhamive perandorake në Kostandinopojë apo Stamboll. Forma, madhësia e tyre, komplekset që u formuan rreth tyre ndikuan në ndërtimin e ndërtesave fetare perandorake në të gjithë botën isame”.
Epoka moderne
Ndërsa Perandoria Osmane u shemb në fillim të shekullit të 20-të, Turqia u bë një republikë laike në vitin 1923. Ndryshimi politik nga perandoria në republikë bëri gjithashtu që Hagia Sophia të fitonte një kuptim të ri pasi u kthye në një muze në 1934.
Ganc tha se kjo është një vazhdimësi politike e shprehur në këtë fatet e kësaj ngrehine fetare.
Sipas saj, “ajo që bëri Ataturku në vitin 1935 ishte një formë vazhdimësie në shoqërinë e re, moderne turke. Ashtu si Islami është vazhdim i Krishterimit, laicizmi është vazhdim i Islamit në versionin modern”. /tesheshi.com/