1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Mrekullia dhe Krenaria në Suren El-Isra

Më të lexuarat

Surja Isra e ka marrë emrin pikërisht nga udhëtimi që iu mundësua Profetit tonë Muhamed salAllahu alejhi ue selem, gjatë një nate nga Xhamia e Shenjtë në Meke (Qabeja) e deri në Xhaminë e Shenjtë në Kuds (Xhamia Aksa).
Në këtë sure, vetëm në ajetin e parë përmendet kjo ngjarje kaq e rëndësishme në jetën e Profetit tonë salAllahu alejhi ue selem, por jo vetëm, dhe në asnjë ajet tjetër. Në të përmenden jehudët dhe raporti i tyre me Allahun dhe profetët e tyre, qortim për ta.
Ngjarja e Israsë ishte një ngjarje e madhe edhe për tërë ymetin e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, sepse pikërisht në këtë ngjarje ka ndodhur mrekullia Profetit tonë dhe gjithashtu edhe krenaria.
Mrekulli ishte vetë ky udhëtim, në një kohë që i Dashuri ynë përjetoi dhimbjet më të mëdha, humbjen e xhaxhait të tij, i cili ishte mbështetje edhe pse nuk e besoi dhe humbjen e dashurisë së tij të madhe, Hatixhen radijaAllahu anha, e cila ishte gruaja, mikja dhe mbështetja e tij pa kushte.

Pas kësaj vuajtjeje të madhe, Allahu i Lartësuar deshi që ta ngushëllojë të dashurin e Tij duke i treguar se pikërisht tani i duhej ta ndjejë peshën e përgjegjësisë, edhe pse jeta ka humbje të mëdha, por ka gjithashtu edhe triumfe të mëdha.
Ai, salAllahu alejhi ue selem, u bë imam i të gjithë profetëve alejhimusSelam, duke i treguar edhe një herë vlerën e madhe që kishte ndër ta, salAllahu alejhi ue selem.
Dhe gjithashtu, gjatë atij namazi, Profeti ynë salAllahu alejhi ue selem, u drejtua nga kibla aq e dëshiruar prej tij gjatë gjithë kësaj kohe, drejt Qabesë.
Kjo ishte mrekulli, ngushëllim për të, por edhe krenari, sepse me këtë i tregohej jehudëve dhe të krishterëve se krenaria tashmë u mor prej tyre dhe iu dorëzua Profetit me origjinë arabe e deri tek Ismaili alejhisSelam, dëshmi për ta deri Ditën e Kiametit.
Tashmë ata nuk ishin më, të zgjedhurit e Zotit dhe të dashurit e Tij, por nëse do ndiqnin hapat e Profetit Muhamed, do ishin të tillë.
Krenaria dhe profetësia tanimë ishte e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem dhe ymetit të tij pas tij.
Prandaj, vëllezër dhe motra, ndihuni krenarë me këtë fe!
Nuk ka nevojë të bëni diçka që të ndiheni të pranuar nga shoqëria, apo nga bota.
Ji krenar dhe ballin lart me Islamin!
Të mos kërkojmë gjetkë, e kemi aq afër:
Kuranin dhe Synetin e Muhamedit, salAllahu alejhi ue selem.

“I Lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e të cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.”
El-Isrâ’: 1

Përgatiti: Amina Ndreu
—————————
/aminandreu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit