Thirrje nga Brukseli për të hedhur armët: S’fitoni dot!
Bashkimi Evropian herët a vonë do të duhet të heqë dorë nga gazi dhe nafta ruse në mënyrë që të ushtrojë presion shtesë ndaj Rusisë për të ndaluar agresionin e saj kundër Ukrainës, tha së fundi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
“Ne po forcojmë sanksionet për të mbajtur presionin maksimal mbi Kremlinin. Mendoj se herët a vonë do të nevojiten masa për naftën, përfshirë gazin,” tha Michel në një debat në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Komisioni Evropian propozoi dje një paketë të pestë sanksionesh kundër Rusisë, e cila përfshin ndalimin e importeve të qymyrit, ndalimin e të gjitha transaksioneve për katër bankat kryesore ruse, ndalimin e ankorimit të anijeve ruse në portet evropiane dhe njoftoi se po punonte për sanksione shtesë.
Por më shumë se kaq, Michel u bëri thirrje ushtarëve rusë të heqin armët nëse nuk duan të jenë kriminelë.
“Ne kemi një mesazh për ushtarët rusë në front: nëse nuk doni të bëheni kriminelë, hidhni armët, ndaloni së luftuari. Do të duhet të ketë pasoja të rënda për ata që janë përgjegjës për krimet e tmerrshme,” tha Michel. “Putini nuk mund dhe nuk do ta fitojë këtë luftë,” tha Michel, duke theksuar se kush do veprojë kështu do i afrohet azil në Europë.
Michel tha se në samitin e fundit të BE-së, presidenti i SHBA Joe Biden dhe ukrainasi Volodymyr Zelensky ishin të ftuar, duke theksuar se “mbështetja transatlantike për Ukrainën është e fortë si një gur”.
Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell theksoi se BE-ja duhet të vazhdojë të armatosë Ukrainën nëse dëshiron një fund të drejtë të luftës.
“Ne nuk duam që lufta të përfundojë me një Ukrainë të ndarë, me miliona refugjatë dhe persona të zhvendosur dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të armatosim Ukrainën”, tha Borrell. /tesheshi.com/