Kreu i komitetit të Dumës për çështjen e marrëdhënieve midis republikave post-sovjetike, Leonid Kallashnikov beson se tani nuk është koha e duhur për të mbajtur një referendum në të ashtuquajturin Republika Popullore e Luhanskut për bashkim me Rusinë.
“Unë nuk mendoj se tani është koha e duhur për këtë. Tani për tani, nuk ka nevojë të shqetësohemi për çështje të tilla, kur fati vendoset në front”, tha ai sot për agjencinë ruse të lajmeve TASS.
“Ne nuk po ndërmarrim asnjë veprim për të mbajtur një referendum”, tha Kallashnikov, duke shtuar se qëllimi i tyre kryesor tani është “përfundimi i armiqësive”.
Ndërkohë, udhëheqësi separatist i Luhanskut, Leonid Pasechnik, u tha gazetarëve më herët se një referendum për bashkimin me Rusinë mund të mbahet në të ardhmen e afërt, në të cilin banorët do të votojnë për të.
Ndryshe, Rusia ka vazhduar edhe sot me bombardime duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale në Ukrainë. /Telegrafi/