1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Cila është panorama e sulmeve të Huthive në Arabinë Saudite – Florian Leli

Më të lexuarat

 

Që kur sulmet e para të huthitëve kundër Arabisë Saudite nisën, rreth një javë më parë, për mua panorama dhe gama e ngjarjeve ishte e qartë. Sot, grupi i huthive i quajtur “Lëvizja Ensarullah” i përshkallëzoi më shumë sulmet, duke goditur 16 objektiva, kryesisht infrastrukturën e naftës. Pa dyshimin më të vogël, pas këtyre sulmeve qëndron Irani dhe pas Iranit Rusia me Vladimir Putinin, i cili nuk po del aq i brishtë dhe aq i ngutur sa e pandehte Perëndimi.

Goditja e Saudisë do të thotë goditje direkte e tregjeve botërore të naftës. Ndikimi i naftës saudiane ka qënë i drejtpërdrejtë në të gjitha krizat botërore të naftës. Ditët e fundit, Amerika dështoi të bindte Arabinë Saudite për shtimin e prodhimit. Kërkesat u pritën me refuzime edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe. I vetmi vend që ka pranuar deri tani të ndihmojë sado pak vendet e NATO-s është Katari, qeveria e të cilit miratoi sot një rritje të prodhimit të gazit natyror, një lëvizje e qartë kjo për të mbushur boshllëqet që mund të krijojë mungesa e gazit rus në treg.

Vëndet e tjera arabe i janë përgjigjur negativisht kërkesave të vazhdueshme amerikane. A është kjo si shkak i ftohjes së marrëdhënieve me administratën amerikane, së fundmi, për shkak të premtimeve të shumta të pambajtura, zvarritjes së dosjeve të shumta dhe për shkak të gjyqeve të hapura në SHBA kundër elitës së këtyre vendeve, prej të cilave nuk shpëtoi as princi i kurorës, Bin Selmani? Apo kjo është më shumë një frikë nga Rusia dhe aleatët e saj? Një shtim i produktit do të lexohej nga Rusia si përkrahje direkte e kampit perëndimor. Rusia ka në rajon shumë letra destabilizuese në dorë?

Sidoqoftë, goditjet gjatë kësaj jave, sidomos këto të sotmet, që mesa duket janë fillimi i një krize të re në rajon; këto goditje synojnë destabilizimin e rajonit dhe të tregut botëror të naftës, për të rritur çmimin e saj në kuotën e 200$. Kështu, kampi rus, do të kompesojë shumë humbje ekonomike dhe rifreskojë financiarisht veten, për përballimin e një lufte afatgjatë në Ukrainë, e cila ka kohë që është kthyer në një luftë frontale.

Ose në një situatë më të rëndë, Rusia duke destabilizuar tregun e naftës, parapërgatit një goditje të fortë ekonomike ndaj bllokut perendimor. Të mos harrojmë se Irani me Irakun janë dy prodhues me ndikim gjithashtu. Një dalje e befasishme e këtyre vendeve nga tregjet botërore të naftës, bashkë me Rusinë, pas destabilizimit të tregjeve, do të thotë një goditje fatale për Perëndimin dhe çmimet mund të prekin shifrat e çmendura të 300-400$ për fuçi. Pra kundërsaksione shkatërruese për ekonominë perëndimore.

Që pas huthive të Jemenit qëndron Irani, kjo nuk ka më asnjë mëdyshje. Armët e përdorura në sulmet sporadike gjatë vitit të fundit dhe sidomos gjatë sulmeve të kësaj jave janë armë moderne të një preçizioni të lartë, të cilat i posedojnë vetëm ushtritë e rregullta dhe moderne. Lëvizja huthite është vetëm një grup i armatosur, asgjë më shumë dhe armatimi që kanë shtënë në dorë nga ushtria jemenase është i vjetër dhe i amortizuar, i pafuqishëm për sulme të përmasave të tilla.

A do kemi luftë në rajon. Një luftë të re në Gjirin Persik, mes Iranit dhe aleatëve të saj, Sirisë, grupeve shite në Irak, Kuvajt dhe Bahrejn në njërën anë dhe vendeve sunite, kryesisht Arabisë Saudite në anën tjetër? Apo këto sulme janë vetëm për të krijuar presione dhe destabilizime për të përzier letrat e hedhura në tavolinë mes dy blloqeve? Për këtë është akoma herët të flasim. Duhet akoma kohë për të lexuar situatën e plotë.

Sidoqoftë, ne, në vend që të kritikojmë SHBA-në për mos tregim serioziteti në zgjidhjen e asnjë krize në rajon, më shumë duhet të kritikojmë vendet arabe, që deri tani kanë jetuar në iluzonin se SHBA-ja do të sakrifikonte ç’të mundte për ruajtjen e sigurisë dhe të stabilitetit të këtyre vendeve. Në fund të fundit Amerika punon vetëm për interesat e saj dhe prej saj nuk pritet ndonjë gjë tjetër. Pyetja që duhet të ngrihet këtu është: A ka ardhur koha që vendet arabe të zgjohen dhe të kuptojnë realitetin në të cilin ndodhen? A ka ardhur koha të rishikojnë politikat e ndjekura deri tani dhe të ridimensionojnë qëndrimet e tyre në të ardhmen? Të presim dhe shpresojmë.

Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit