Uashingtoni zyrtar bëri një deklaratë në lidhje me bisedën telefonike të Presidentit Recep Tayyip Erdogan me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden.
Në deklaratën me shkrim të bërë nga Shtëpia e Bardhë theksohet kënaqësia për përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Presidenti Erdogan dhe Biden kanë shprehur shqetësimin për sulmet ruse në Ukrainë (të cilat vazhdojnë që nga 24 shkurt).
“Të dy liderët theksuan edhe një herë nevojën që Rusia të ndalojë sulmet e saj sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa mirëpritën përgjigjen e koordinuar ndaj krizës”, bëhet e ditur në deklaratë.
Në mes tjerash në deklaratë thuhet: “Presidenti Biden shprehu kënaqësinë për përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, si dhe kontaktet e fundit të Turqisë me krerët rajonalë për paqen dhe stabilitetin. Përveç kësaj, të dy krerët diskutuan mundësitë për forcimin e lidhjeve dypalëshe.”