1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Madhështia e faljes

Më të lexuarat

Ndjesa është një virtyt sa i lartë, aq edhe i vështirë i njeriut, sepse ai duhet të luftojë me pasionin e fuqishëm që ka ngërthyer zemrën e tij, pasionin e hakmarrjes apo më keq, atë të gjakmarrjes.

Në fise barbare, hakmarrja merrej si detyrë feje e në disa të tjera si detyrim familjar. Kryerja e hakmarrjes ose gjakmarrjes duket në fillim se është lehtësim shpirti ose ndjehet kënaqësi se kujtohet se kemi kryer një detyrë që ja detyrojmë vetës sonë ose personit a farefisit të atij që na bëri të keqen.
Falja duket e vështirë, sepse natyra njerëzore për një çast kërkon hakmarrje ose gjakmarrje të vend e pa vend për nderin apo dinjitetin vetjak ose familjar. Ky akt mund të kryhet shpejt ose në roje për të gjetur rastin për ta kryer atë.
Dëshira për hakmarrje ose gjakmarrje bëhet kaq e madhe sa që vdekja e hasmit nuk të qetëson.
Ky pasion i neveritur kapërcen të gjithë kufijtë e drejtësisë, pra ky pasion nuk ka ligj. Ai e bën njeriun të paekuilibruar sa që është gati të shkaktojë vdekjen e gjithë familjes, duke përfshirë edhe fëmijët e mitur.
Në qoftë se do t’i drejtohemi historisë, vërejmë se në Indi, një nga personalitetet e atij vendi, me ndjenjën e hakmarrjes së fortë, jo vetëm zhduku tërë familjen Raman, por dogji e bëri hi Lanken, kryeqytetin e armikut të tij. Shahu i Persisë, Nadiri, për hakmarrje bëri thirrje të përgjithshme në popullin e Delhisë, duke zhdukur me qindra mijëra njerëz.
Parisi, një princ trojan, rrëmbeu Helenën, gruan e bukur të një princi grek, duke u bërë shkak i
fillimit të luftës së gjatë të Trojës, që vazhdoi për dhjet vjet dhe që përfundoi me shkatërrimin e plotë të vendit. Roderiku, mbreti gotik i Spanjës, turpëroi vajzën e kontit Tulian dhe ky i fundit, i shtyrë nga dëshira për hakmarrje, harroi detyrimet ndaj racës e fesë, ftoi një popull të huaj për të ardhur e pushtuar atdheun. Sot ka shembuj të shumtë në botë, ku popujt vuajnë hakmarrjen e pafre të drejtuesve të shteteve pushtuese, për të cilat janë të gjithë dëshmitarët ose i shohim e i dëgjojmë me mjetet e komunikimit masiv.
Këto janë vetëm pak nga ndodhitë e panumërta të kryera për të kënaqur pasionin e hakmarrjes, duke likuiduar njerëz të pafajshëm e të fajshëm.
Aktet gjyqësore na mësojnë se hakmarrja dhe gjakmarrja kanë vlerë barbare në lidhjet shoqërore.

Po t’i referohemi profetit islam, do të vërejmë se ai është i vetmi personalitet në histori që nuk mori
hak, nuk i vrau, po i fali dhe i la të lirë kundërshtarët e tij. Kështu ai dha një shembull të larte, për të cilin ka e do të ketë nevojë bota mbarë. Për të pasqyruar më qartë madhështinë e karakterit të Muhamedit alejhi selam, po skicoj disa nga të këqijat e shumta që i janë bërë zotërisë së tij nga bashkëkohësit.
Kur profeti ynë i nderuar filloi predikimin e fesë, kurejshët e morën me tallje dhe mospërfillje. E quajtën magjistar, dredharak dhe sharlatan. Ata arritën që të kryejnë ndaj tij një fushatë të caktuar persekutimi, të formave të ndryshme, e pengonin kur ecte rrugës e godisnin me gurë, i hodhën brezin në fyt për ta mbytur si dhe ofendime të tjera të këtij lloji ose më të rënda se këto.
Kjo vazhdoi me vite me radhe, duke e detyruar profetin të largohej nga Meka. Një herë e bojkotuan për një kohë të gjatë në shtëpi duke e privuar edhe nga gjërat me elementare, ushqimin e përditshëm. Kur fëmijët qanin, kurejshët qeshnin , e tragjedi të tilla. Por në raste të tilla nuk kanë
munguar njerëzit zemërmire, që, pavarësisht nga rreziqet që i kanoseshin, i çonin pak ushqim që
profeti, familja dhe shokët e tij të mos vdisnin urie.
Këto persekutime nuk e mposhtën shpirtin e Lajmëtarit të Allahut. Predikimet e tij plotë zjarr hyjnor thitheshin nga masat të cilët hynin pa pushim në qarkun islam. Kjo e shtoj urrejtjen e kurejshëve që vendosën masa hakmarrëse ndaj njerëzve të pafajshëm, duke e rrahur pa mëshirë, duke e hequr zvarrë në rrugët me gurë, duke i shkaktuar plagë në trup, duke i lënë të përvëloheshin në rrezet e nxehta të diellit të Arabisë ose duke i vendosur gurë të rëndë mbi trupat e tyre për të vetmin “faj”
se ishin bërë mysliman e ndiqnin rrugën e mësimit e të Dërguarit të Allahut (x.sh).
Këto veprime barbare u bënë aq të padurueshme, sa që profeti lejoi disa prej pasuesve të emigronin në shtetin mik të Abisinisë. Me gjithë këmbënguljen e përfaqësuesve të kurejshëve për dorëzimin e tyre, Nexhashiu, që kishte frikë Zotin refuzoi dorëzimin e emigrantëve të pafajshëm që kishin kërkuar mbrojtjen e tij.
Duke pare se mundimet nuk ndalonin përparimin e fesë islame, kurejshët vendosen të vritnin profetin, por ky i shpëtoi veprës se tyre kriminale ani pse shumë nga pasuesit e tij u vranë dhe u torturuan në mënyrat më të rënda. Për vrasjen e tij u vu çmimi më i lartë i shpërblimit – 100 deve. Surapa me shoke u vu në ndjekje të tij, por s’ia arriti dot qëllimit sepse ai mbërriti i sigurt në Medinë.
Koha bëri punën e vet. Fuqia e kurejshëve mori fund dhe Muhamedi alejhi selam erdhi fitimtar në Meke, të ish armiqtë që tanimë ndodheshin në mëshirën e tij. Kur ai hyri në Meke i pyeti mekasit se si e pritnin ata të Dërguarin, ata ju përgjigjen vetëm se të butë dhe të mëshirshëm, tha ashtu edhe jam. Kur ata qëndronin para tij duke menduar për fajet e tyre, në fytyrën e profetit islam u dallua një qeshje mirëdashëse, ai i thirri si vëllezërit e tij dhe u dha falje e liri pa asnjë konditë.
Ngjarje të përditshme të hakmarrjes dhe gjakmarrjes që dëgjojmë ose shohim na bëjnë t’i hedhim
sytë nga koha dhe veprimet e profetit të islamit e të veprojmë siç ka bërë ai për të qenë të denjë për emrin që gezojmë – muslimanë.
Ne qofte se përveç zbatimit të ligjeve në mënyrë rigoroze për të mos lejuar hakmarrjen dhe për të
mos krijuar gjakmarrje në breza e familje të tëra në qytet ose në fshat, do të angazhohet edhe
opinioni shoqëror, përfundimi do të jetë pozitiv e i kënaqshëm.
Falja ka një çmim shumë të madh prandaj çdo qytetar e besimtar qe studion e predikon deri në një mësimet e Kur’anit dhe Thëniet profetike duhet të fal e të bëhet etalon faljeje edhe për gjithë bashkëkombësit e bashkëqytetarët.
Madhështia e faljes qëndron në atë që nuk do të ketë hakmarrje apo gjakmarrje, pra jemi vëllezër.
Mendoj se një punë me vlerë, me tregues të lartë e kah pozitiv duhet të kryej feja dhe punonjësit e saj.
Drejtuesit islame, me forcën e reputacionit në masë, me përvojën e kulturën e tyre, gjithmonë të
udhëhequr nga mençuria, drejtësia dhe mësimet e Kur’anit, nga praktika e Muhamedit (alejhi selam), duhet të bëhet pishtar që ky zakon me pasoja katastrofike të ulet gradualisht sa që të arrijmë në pajtimin midis njerëzve e familjeve. Kjo punë e programuar nga drejtuesit e Bashkësisë Islame në rrethe, me qellim të lartë moral, qytetar e atdhetar, do të ketë edhe përfundim të kënaqshëm. Sot, më shumë se kurrë, këtij vendi e populli i duhet të shuaj veprimet barbare të hakmarrjes e gjakmarrjes.
Është e udhës që edhe pushtetarët, pavarësisht nga mendësitë politike, të punojnë me përkushtim atdhetar e të ndikojmë që në vendin tonë të mos përdoren armët, të dorëzohen me vullnet ato dhe të mendojmë, jetojmë e punojmë të qetë e në paqe.
Është e drejta morale dhe ligjore e çdo qytetari të ndershëm, të pastër nga pocaqitë e kohës që po shikojmë e jetojmë, që me forcën e se vërtetës e së drejtës, të punojmë e të luftojmë që ky shëmtim i fundshekullit të 20-të të zhduket përfundimisht nga gjeografia e historia e popullit tonë.
Atdheu ynë i shtrenjtë dhe populli atdhetar shqiptar nuk ka nevojë për “fjalë të bukura” (nënkupto gënjeshtra e mashtrime) dhe as figura në televizione (kushdo qofshin) që dinë vetëm të mburren nga njëra anë për vetën e tyre dhe nga ana tjetër të shajnë të tjerët. Të tillët duhet të shohin e të njohin veten e vet se populli i njohu dhe po i njeh njerëzit e tepërt të shoqërisë shqiptare.
Jemi shqiptarë, kemi një gjuhë dhe gjuhën nuk po e gjejmë për të sotmen e të ardhmen tonë. Le të
na ndriçoj udha e mësimit e paraardhësve tanë që për Shqipërinë shkrinë pasurinë e ne… për tu
pasuruar e siguruar kolltukët pa të drejtë po kacafytemi midis nesh, po vritemi e përfundimisht bëhemi preh e interesave të armiqve tanë shekullorë. Historia nuk do të na i fal! T’i ruhemi mallkimit të historisë!
Besimi në Zot, ndjekja e rrugës së Zotit dhe të Dërguarve të Tij dhe largimi nga rruga e shtrembër do të mund të na kthej drejtë se mirës dhe ardhmërisë.
Zoti ynë, jepi mend popullit tonë, rinisë sonë e pushtetarëve tanë që të gjejnë rrugën e drejtë që të
jetojmë, punojmë e mendojmë me drejtësi, vëllazërim e të bëjmë të mira!

Remzi Sh. Gani

/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit